Dëshmitë e personazheve të librit “Mirupafshim në Kosovë” të Ana Exposito Valles (IX)
Fjalët mikpritëse në spanjisht dominojnë diskutimin me të hyrë në oborrin e Musli Berishës në Mazgit të Obiliqit.
“Edhe 20 vjet më vonë, ata nuk kanë harruar kohën që e kanë kaluar në Sigüenza dhe sa mirë ishin trajtuar”, spikat Ana Exposito Valle, pas takimit me familjen e plakut mjekërthinjur. “Musliu është plakur, por vazhdon t’i presë me ngrohtësi të madhe mysafirët”.
Gjatë më shumë se një ore të vizitës në familjen Berisha, e cila gjatë luftës ishte refugjate në Spanjë, dominon muhabeti për ngjarje të hareshme në Gadishullin Iberik dhe për jetën e re në Kosovën e lirë. Ama edhe për vështirësitë pas kthimit. Me paratë që kishin kursyer nga puna gjatë qëndrimit në Spanjë, do të rindërtonin shtëpinë e djegur.
“Por duket se gjithçka përfundoi mirë, keni rindërtuar jetën”, i thotë Valle Berishës pasi ky ia përmbledh krejt historinë e familjes pas luftës. Por plaku dëshiron t’i tregojë për ndihmën spanjollëve për refugjatët shqiptarë, të strehuar nga kampi i Stankovecit në Maqedoninë e Veriut në pranverën e vitit 1999.

Në ethe drejt tokës së panjohur
“Veç kjo nuk ka punu”, thotë Musliu, që hedh shikimin kah bashkëshorte Sabrija në krah të Valles. “Për aq muaj sa keni qëndruar, ia keni dalë të ndani para”, i thotë Valle e kënaqur.
“Qato se s’na lejshin m’i marrë. Na thojshin mos i harxhoni, leni n’bankë”, shton Musli Berisha, duke treguar se punë i ishte gjetur edhe Elmazes, mbesës atëherë tinejxhere. Tani është martuar e jeton me familje në Gjermani. Sikur edhe djali i Musliut, Mexhidi.
Mbesa tjetër, Fikretja, atëherë vogëlushe, nuk dëshiron të dalë para kamerës e as t’i përmendet emri, derisa Valle në laptop ua tregon xhirimet e Televisión de Galicia, që i ka sjellë me vete. Përnjëherë, ndërron humori. Edhe çehretë e Berishëve që shikojnë veten në kamp refugjatësh para nisjes me autobus drejt Aeroportit të Shkupit për të fluturuar në gadishullin tjetër të Evropës. Fikretja qan vazhdimisht. Në autobus, rrugës për në Aeroport, qan edhe djali tjetër i Musliut, Xhevdeti, pa ia hequr krahun nga supet Fikretës së hutuar. Para nisjes, Valle i thotë Elmazes se në Spanjë do të ndjekë mësimin e do të bëjë shoqe të reja.
“Paj, jena mërzit, jena lodhë. E kanë lanë me shpi e me kejt. Janë ardhë na kanë qitë prej shpije, me rafall na kanë gju shpinë”, thotë në xhirime Musli Berisha, duke dënesur. Një dorë ia rrah shpatullat, duke i dhënë zemër.
“Çfarë pret nga Spanja?” - do ta pyeste Valle.
“Po, ishalla e gjajmë mirë, nuk dimë, s’dimë kurrgja. Nashta e gjajmë ma mirë se k’tu. Falemineret, edhe këtu na kanë prit shumë mirë”, përgjigjet Berisha kapuçkuq.
Plaku, tani me tërlemën e bardhë të haxhiut, mërzitet derisa sheh veten të thyer shpirtërisht që ia kishte kthyer shpinën shtëpisë.
“Kur zyrtarët spanjollë nisin t’i thërrasin emrat e refugjatëve për të hipur në autobusin që do t’i çonte në Aeroport, shpërthen njëfarë paniku i heshtur. Familjarët e miqtë që erdhën për t’i përshëndetur i përqafojnë para se të ngjiten në autobus, shkojnë e më pas kthehen dhe prapë u thonë diçka me gjeste e britma, ua shtrëngojnë duart nga dritaret; ata jashtë qajnë, e qajnë edhe ata brenda në autobus”, do të përshkruante Valle në librin “Mirupafshim në Kosovë!”, botuar më 2001 në galicisht e njëzet vjet më vonë në shqip nga Botimet KOHA. Krejt këto skena, Berishët i shohin në xhirimet e Valles. Përsëri lot.
“Duket e pabesueshme se si ....”
Valle ishte dëshpëruar me mënyrën sesi refugjatët po trajtoheshin nga policia maqedonase në aeroport. “Dhe unë isha e lumtur që po shihja ngrohtësinë dhe mirësinë me të cilën i trajtuan ushtarët spanjollë”, thotë Valle, e cila i ka sjellë KTV-së xhirimet për dokumentarin me emrin e librit, derisa ajo viziton familjet që i kishte intervistuar në kampe e takuar më 2001 në Kosovë. Projekti është mbështetur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).
“Duket e pabesueshme se si mund të ndryshojë fytyra e një njeriu kur e kthen dinjitetin dhe vetëbesimin. Musli Berisha nuk është ai që e kisha njohur, kur e ritakoj në dimër, tashmë i vendosur në shtëpinë e tij në Obiliq”, do të përshkruante Valle në botimin shqip të “Mirupafshim në Kosovë!”
“Me plisin jashtëzakonisht të bardhë mbi kokë, i patrembur, pa ngërçet që ia shkaktonte vaji ditën kur ishte nisur për në Spanjë, njëmend duket tjetër njeri. Aty e kishte shtëpinë me oborr plot pemë dhe hardhinë për të cilat vuante aq shumë. Shtëpia, edhe pse jo krejt e meremetuar, tashmë i ka dritaret e reja, kurse djemtë po i lyejnë dhomat që ishin nxirë nga tymi i zjarrit. Dhoma, në të cilën na gostitin Berishët, është shumë e këndshme dhe e ngrohtë. Prej dritares shihet shtresa e trashë e borës që i mbulon të gjitha, në muajt e dimrit të ftohtë kosovar”, shkruan Valle për vizitën e parë Berishëve.
“E do një kafe? I qesim qumësht, sepse e dimë se në Spanjë nuk pihet kafja turke”, më thotë njëra vajzë.
Me ngrohtësi e kanë pritur Vallen edhe në mesdhjetor. Xhevdeti, njëri prej tre djemve të Musliut, ndihet në siklet që nuk do të bisedojë rrjedhshëm në spanjisht me Vallen. “E kam harru se janë ba 22 vjet”, thotë Xhevdeti, i zënë ngushtë.
Valle i ngacmon pleqtë si do të reagonin nëse ndonjëri prej djemve do të martohej e jetonte në Spanjë. Musliu tregohet i matur. Xhevdeti thotë se është zhgënjyer me mungesën e sigurisë ekonomike edhe 23 vjet pas luftës në Kosovë. Me mirësjellje i thotë Valles se duhet të vazhdojë punën në autolarje edhe në ditë të diele.
“Spanjollët s’kallxojnë sa e marrin rrogën”
Valle ia kujton Musli Berishës se si i kishte rrëfyer 20 vjet më parë shprehitë e spanjollëve.
“Spanjollët hiç nuk kanë qejf me kallxue sa e kanë rrogën. Kurrë s’e mora vesh sa fitojshin spanjollët që punojshin me mu në ndërtimtari, nëse na pagushin njisoj”, thekson Berisha, duke nxitur të qeshurat e Valles. Megjithëse Berisha ankohet se pagat nuk ishin të larta si në vendet perëndimore të Evropës, sigurimi ishte një përparësi e madhe që do të donte ta kenë edhe punëtorët në Kosovë.
Fikretës i vije keq që nuk e gjen dot fotografinë, që ia kishte treguar me krenari Valles më 2001. Valle tregon se Fikretja ishte fotografuar me kryeministrin e atëhershëm spanjoll, José María Aznar, në ditën kur kishte vizituar refugjatët në Sigüenza. Berishët dhe reporterja tregojnë se fotografia ishte publikuar në të gjitha gazetat spanjolle.
Mbathja e zbathja e këpucëve gjithashtu nxit krahasime ndërmjet dy kulturave të ndryshme. Berishët insistuan që Valle të mos zbathej brenda. Valle respekton zakonet tona.

“Në Spanjë nuk zbathen kur hijnë n’shpi”, thotë Musli Berisha, “por atje rrugët janë t’pastra dhe s’ki qysh i përlyen”.
Elmazja ia kishte shpjeguar më 2001 në spanjisht se edhe në Spanjë kishte qarë shumë, ngase mendoi se kurrë nuk do ta kuptonte asnjë fjalë. Por, si Elmazja, ashtu edhe Fikretja do të vijonin mësimin së bashku me gjithë fëmijët e qytezës. Fikretja thotë se sa emetoheshin telenovela spanjolle, e kishte më lehtë të mos e harronte spanjishten, megjithëse flet goxha me Vallen. Assesi nuk pranon të jetë pjesë e dokumentarit. U lutet kameramanëve Arben Llapashtica e Besart Ujkani. Me ne është edhe Nexhad Bexheti, tetovari që do t’i përkthente Valles në Maqedoni e Kosovë. Si rrallëkund gjatë qëndrimit të Valles, Berishët nuk insistojnë të diskutojnë pse Spanja ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
“Masi nuk dijshim asnji send për Spanjën, u tutshim se ku kishin me na çu dhe çka kishin me na bâ”, do t’i thoshte Musli Berisha. “Veç n’aeroport na pritën ta merr mendja jena naj delegacion me randsi, e kur kena mbërri me autobus në Sigüenza, njerëzit dolën n’rrugë me na pritë. Prej fillimit janë tregue mikpritës, e më vijke me qajtë se sa mirë janë sillë me neve”.