Arbëri

Grabovci, Reçica e Maraj thonë se Murat Jashari nuk qëndron pas listës me emra për ekzekutim

Nga gjashtë dëshmitarë të cilët ishin ftuar të dëshmonin në rastin “Syri i Popullit”, vetëm tre prej tyre i janë përgjigjur thirrjes së gjykatës.

Ish-deputeti i PDK-së, Adem Grabovci, deputeti Elmi Reçica dhe Ramë Maraj, kanë dhënë dëshminë e tyre para gjyqtarit, raporton KTV.

Por, ka munguar zv. kryeministri Fatmir Limaj, nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti dhe ish-ministri i drejtësisë, Hajredin Kuqi.

Mungesën e tyre e kanë arsyetuar me faktin se ndodhen jashtë vendit për vizita zyrtare.

Dëshminë e tij, i pari e ka dhënë Ramë Maraj, i cili tha se edhe po të shtinin me armë ndaj tij pasi që ishte në listën për ekzekutim, do t’i falte dorasit.

Kjo, për shkak se si familje kanë humbur mjaft shumë, dhe asnjëherë nuk është ndier i kërcënuar.

Njëherë Maraj tha se kjo ishte deklarata e tij e parë që po e jepte lidhur me këtë rast derisa më vonë tha se ishte intervistuar edhe nga policia në shtëpinë e tij por që këta të fudnit ia ndaluan ta bëjë ditur.

Dëshminë e tij e ka dhënë edhe ish-deputeti, Adem Grabovci.

Ai ka thënë se për organizatën “Syrin e Popullit” ka dëgjuar vetëm nga mediat.

I pyetur nga prokurori Sylë Hoxha, nëse e njeh Murat Jasharin, Grabovci tha se e njeh prej kohës kur ka jetuar në Zvicër, por nuk ishte i sigurt nëse e kishte takuar pas luftës.

Por, Grabovci në një rast tjetër, dha dëshmi kundërthënëse.

Kur u pyet se nga kush i mori informacionet se Murat Jashari ishte i sëmurë, ai e deklaroi të kundërtën, duke thënë se e kishte vizituar atë në një spital në Zvicër.

Derisa shtoi se nuk beson aspak se Murat Jashari ka hartuar listën me emra për ekzekutim, por se prapa tij, qëndron krejt dikush tjetër.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së Hilmi Reçica, tha se kishte miqësi me Murat Jasharin qysh nga viti ‘85.

As Reçica nuk beson se Murat Jashari qëndron prapa krejt kësaj ngjarjeje.

Sidoqoftë, kjo seancë u përcoll edhe me tensione dhe vërejtje ndërmjet prokurorisë dhe mbrojtjes.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 10 personave lidhur me këtë rast.

Këta persona akuzohen për planifikim të shkatërrimit të strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore.