Arbëri

Goditet grupi që vidhte vetura në Kosovë e i dërgonte në Shqipëri

Shtatë persona, mes tyre edhe 3 efektivë policie, janë arrestuar gjatë një aksioni të shtunën, pasi dyshohet se kishin krijuar një grup të strukturuar kriminal ku trafikonin automjete të vjedhura nga Kosova drejt Shqipërisë. Efektivët e policisë punonin në pikën kufitare Morin-Vërmicë dhe mundësonin kalimin e automjeteve të vjedhura në Kosovë për në Shqipëri, pa problem

Tiranë, 27 shkurt - Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) në Shqipëri, caktoi të dielën masën e sigurisë “arrest në burg” për gjashtë persona të akuzuar për trafikimin e veturave të vjedhura nga Kosova në Shqipëri, mes të cilëve edhe tre punonjës policie.

Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) në Tiranë, në bashkëpunim me strukturat e luftës kundër krimit të organizuar në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë (DVP), finalizuan siç u tha, me sukses operacionin e koduar “Nacional”.

Shtatë persona, mes tyre edhe 3 efektivë policie, janë arrestuar gjatë këtij operacioni të shtunën, pasi dyshohet se kishin krijuar një grup të strukturuar kriminal ku trafikonin automjete të vjedhura nga Kosova drejt Shqipërisë.

Punonjësit policorë të arrestuar ishin pjesë e pikës së përbashkët kufitare Morin-Vërmicë.

Të arrestuarit, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kishin krijuar një rrjet personash që funksiononin si grup i strukturuar kriminal dhe trafikonin mjete motorike të vjedhura, nga Kosova në drejtim të Shqipërisë. Në krye të këtij grupi, sipas autoriteteve, ishte Selaudin Shahini, i dënuar edhe më parë. Sipas tyre, dyshohet se Ndriçim Shahini, kushëri i Selaudinit, nëpërmjet lidhjeve të tij shoqërore në Kosovë, siguronte automjetet e vjedhura. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 automjete, një shumë parash dhe 6 aparate celulare, ndërkohë që vijon puna në bashkëpunim me autoritetet policore të Kosovës, për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në burg, deri në përfundim të hetimeve, GJKKO-ja ka vendosur që të qëndrojnë oficerja e Drejtorisë Vendore të Policisë së Kukësit, Vojsava Doda, efektivi i kësaj drejtorie, Endi Ahmetaj, dhe të dyshuarit e tjerë Selaudin Shahini, Aurel Shatri, Ndriçim Shahini dhe Ervis Cara. Ata akuzohen për “trafik të mjeteve motorike” dhe “grup të strukturuar kriminal”.

Për efektivin e tretë të arrestuar, Fatri Braha, me detyrë kontrollor në pikën kufitare të përbashkët Morin-Vërmicë, Gjykata caktoi “arrest shtëpiak”.

Hetimet zbuluan se ai nuk është pjesë e grupit kriminal, por akuzohet për “shpërdorim të detyrës”, pasi nuk regjistroi në sistemin TIMS oficeren e operacionales.

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka bërë të ditur pas hetimeve se anëtarët e këtij grupi kriminal vidhnin automjete në Kosovë dhe u montonin targa shqiptare dhe e kalonin kufirin pa problem.

Grupi është zbuluar fare rastësisht nga një viktimë e këtij grupi. Një qytetar i Kosovës, që i kishte humbur automjeti, e ka identifikuar mjetin e tij tip “Golf 7” duke qarkulluar në Rrugën e Kombit në drejtim të Tiranës, ku ka njoftuar menjëherë policinë.

Efektivët e Policisë së Kurbinit dhe të Lezhës nuk kanë mundur ta ndalonin automjetin e vjedhur, por u ndalua nga Policia në Kamzë, në hyrje të Tiranës. Efektivi Fatri Braha, kontrollor në pikë-kalimin kufitar të përbashkët në Vërmicë-Morin, tregoi për oficerët e policisë gjyqësore të SPAK-ut, se efektivja Vojsava Doda e veshur me uniformën e Policisë së shtetit iu prezantua si agjente dhe i kërkoi të lejonte kalimin e automjetit pa e regjistruar, pasi, sipas saj, ishte në ndjekje të një procedure urgjente.

Braha theksoi se kishte mbajtur shënim të dhënat e saj dhe targën e automjetit për ta regjistruar më vonë, pasi kjo situatë ndodhi pak minuta para se ai ta linte shërbimin.