Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka treguar për financimin e partive politike në Kosovë dhe problemet që po dëmtojnë transparencën dhe integritetin e financimit gjatë proceseve zgjedhore.
Njomza Arifi nga GLPS tha se partitë politike nuk kanë arritur t’i paraqesin pasqyrat financiare për shpenzimet e tyre gjatë zgjedhjeve.
“Rreth 1 milion euro është shuma që u është lejuar partive për të shpenzuar në fushatë zgjedhore. Shumica e partive politike e kanë mbajtur të fshehtë nivelin e shpenzimeve dhe burimet e tyre te financimit. Sipas raporteve të auditorit, asnjëra parti nuk ka arritur t’i paraqes pasqyrat financiare sipas kontabilitetit dhe nuk kanë paraqitur dokumentacion mbështetës mbi shpenzimet e tyre dhe kjo bie ndesh me legjislacionin në fuqi. Për zgjedhjet e 6 tetorit 2019 nuk kemi raporte të auditorit. Raporti mes donatorit dhe partisë politike duhet të bëhet i ditur për publikun. Raporti i fundit i komisionit evropian ka shfaqur shqetësime dhe ka bërë thirrje për transparencë në këtë pjesë”, tha ajo.
Ndërsa, Lirika Agusholli ka kërkuar nga partitë që t’i publikojnë donatorët për ta ditur edhe formën se si janë financuar gjatë zgjedhjeve.
“Partitë të publikojnë listat e donatorëve në mënyrë qe të shmangën aferat korruptive ndërmjet donatorit dhe partive, sidomos në prokurimin publik. Mënyra e financimit të partive është qenësore për procesin zgjedhor”, tha ajo.