Arbëri

GLPS për Raportin e Progresit: Kosova sërish s’arriti të shënojë ndonjë progres të mjaftueshëm

Objekti i Qeverisë së Kosovës

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka theksuar se edhe këtë vit Kosova nuk ka arritur të shënojë ndonjë progres të mjaftueshëm e që do të konsiderohej si thelbësor për ecjen para drejt integrimit në BE. Nga Raporti i Progresit, GLPS-ja ka gjetur se këtë vit Kosova ka shënuar progres në dy kapituj: Kapitullin për Drejtësi, Liri dhe Siguri si dhe Kapitullin për Politika Sociale dhe Punësim. 

GLPS-ja ka rekomanduar adresim të kritikave që Qeveria ka pranuar në këtë raport për administrimin e veriut dhe që Qeveria të bëjë përpjekje të shtuar dhe koordinimin më të mirë me komunitetin ndërkombëtar për të shënuar rezultate konkrete në disa nga reformat si dhe angazhim të shtuar institucional në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Po ashtu, në katër fusha është vlerësuar progres i mirë. Njëfarë progresi është shënuar në 11 fusha, progres i limituar në 17 fusha, ndërsa dy fusha kanë mbetur pa progres. 18 fusha janë vlerësuar tërësisht njëjtë si në vitin 2023”, thuhet në komunikatën e GLPS-së me rekomandimet e nxjerra pas Raportit.

Sa i përket kritereve politike, Raporti kritikon Kuvendin për mosfunksionim të duhur për shkak të ndarjeve politike mes qeverisë dhe opozitës. GLPS ka thënë se po ashtu ka vërejtur se në sezonin e vjeshtës, shumica e seancave të Kuvendit janë anuluar dhe se nuk ka pasur përmbushje të kënaqshme të agjendës legjislative.

Në reformat në administratë publike theksohet se Qeveria vazhdon të mos marrë parasysh shumicën e rekomandimeve e BE-së në këtë fushë, përfshirë ato që lidhen me amandamentimin e Ligjit për Zyrtarët Publik (LZP). GLPS po ashtu ka vlerësuar se LZP është në kundërshtim me parimet e SIGMA/OECD duke degraduar funksionimin e shërbimit civil në Kosovë, për shkak të cenimit të thellë të konkurrencës, si shtyllë kryesore e meritokracisë. 

“Ligji nuk ofron mundësi të qëndrueshme të zhvillimit të karrierës dhe minon stabilitetin e administratës publike”, ka thënë ky grup.

GLPS ka ngrehur shqetësimin edhe për numrin e lartë të pozitave menaxheriale me udhëheqës/e detyre si dhe pozitave vakante, ndërsa ka bërë thirrje për menaxhim më të mirë të burimeve njerëzore. 

Në kapitullin për gjyqësorin, Kosova vlerësohet të jetë mes një “faze të hershme të përgatitjes” dhe “njëfarë përgatitje” dhe ka bërë progres të limituar në vitin e fundit. Në Raport bëhet thirrje për përsëritje të shpejtë të procesit për emërimin e Kryeprokurorit/es të Shtetit, duke kritikuar kështu procesin e kaluar të përzgjedhjes së kësaj pozite. 

“Raporti reflekton gjetjet e GLPS-së se sistemi gjyqësor në raste të caktuara nuk po i përmbahet parimit të paanshmërisë dhe zgjidhjes efektive të rasteve. Raporti bën thirrje për më shumë trajnime për gjyqtarët në këtë fushë”, thuhet tutje në komunikatën e grupit.

Në raport reflektohet shqetësim për targetimin nga organet ekzekutive të rasteve specifike dhe gjyqtarëve/prokurorëve. GLPS ka vlerësuar se kjo është praktikë e dëmshme për demokracinë e si e tillë duhet ndalur.

GLPS-ja ka rekomanduar respektimin e rregullit demokratik të mosndërhyrjes së Qeverisë në sferën mediatike, pasi BE-ja ka vlerësuar të jenë vërejtur tentime për kontrollim të mediave nga Qeveria përmes ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave. 

“Progres është vërejtur në luftën kundër korrupsionit, për shkak që numri i rasteve të zgjidhura dhe aktakuzave të ngritura është rritur në vitin e fundit. Në anën tjetër, raporti bën thirrje për trajtim me seriozitet të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe përmirësim të hetimeve e aktakuzave në këto raste. Përmes monitorimit, GLPS ka identifikuar se ka shumë hapësirë për përmirësim në efikasitetin e zgjidhjes së këtyre rasteve nga gjyqësori”.