Arbëri

Pezullohet puna e hidrocentraleve në Deçan, GLPS e quan fitore të qytetarëve

Grupi për Studime Juridike dhe Politike e ka quajtur fitore të qytetarëve të Deçanit aktvendimin e Gjykatës Supreme për pezullimin e punës së hidrocentraleve në këtë komunë. Supremja ka rikthyer në fuqi vendimin e shkallës së parë për pezullimin e lejeve dhe licencave të tri hidrocentraleve, pasi ka konstatuar shkelje ligjore në lëshimin e tyre. GLPS u ka bërë thirrje qytetarëve që të denoncojnë operimin eventual të hidrocentraleve pas këtij vendimi.

Puna e hidrocentraleve në Deçan është pezulluar sërish. Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë Aktvendimin e Gjykatës së Apelit ku thuhej, ndër të tjera, që ndalja e punës së hidrocentraleve ishte kundër interesit publik.

Aktvendimi i Supremes, sipas shoqërisë civile, ka konstatuar se banorët e Deçanit në cilësinë e paditësve kanë paraqitur prova bindëse se funksionimi i hidrocentraleve u shkakton dëme atyre.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike e ka mirëpritur këtë vendim të Supremes.

“Ky Aktgjykim i Gykatës Supreme është një fitore shumë e madhe për qytetarët e Deçanit, sepse do të thotë që hidrocentralet në Deçan nuk do të mund të operojnë më ligjshëm derisa gjykata të nxjerrë një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e lejeve”, ka thënë Arbër Fetahu nga GLPS.

Fetahu në konferencën për media të premten ka thënë se shkeljet ligjore në këtë rast kanë qenë të shumta. Sipas tij, hidrocentralet në këtë komunë kanë degraduar rëndë mjedisin, florën e faunën, si dhe ua kanë mohuar qytetarëve ujin e pijshëm dhe të ujitjes.

“GLPS dhe Pishtarët si palë të interesuara në këtë rast, u bëjnë thirrje qytetarëve që të mbikëqyrin zbatimin e këtij vendimi, pra që të lajmërojnë Qendrën për Raste Gjyqësore Strategjike në rast se Hidrocentralet në Deçan vazhdojnë operimin pavarësisht vendimit të Gjykatës Supreme, e për të cilin do të iniciojmë procedurat përkatëse ligjore”.

Gjykata Supreme ka rikthyer në fuqi vendimin e shkallës së parë për pezullimin e lejeve dhe licencave të tri hidrocentraleve.

Lidhur me këtë vendim KOHA i ka dërguar pyetje në adresë të “Kelkosit” kompanisë që ka ndërtuar hidrocentralet, por deri në publikimin e kësaj storieje nuk ka marrë përgjigje.

“Kelkosi” është përgjigjur pas transmetimit të storjes, duke thënë se nuk është palë e përfshirë në procesin gjyqësor. Drejtori menaxhues i kësaj kompanie, Valon Berisha, ka thënë nuk mund të deklarohet derisa “Kelkosi” të njoftohet zyrtarisht nga ministria dhe ZRRE-ja mbi qëndrimet e tyre.

Në gusht të këtij viti është publikuar raporti i Grupit Punues për Hidrocentrale, i përbërë kryesisht nga zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, sipas të cilit konfirmohen shkelje në lëshimin e lejeve për hidrocentrale.