Arbëri

GLPS: Haxhiu ka ndërhyrë në mënyrë flagrante në drejtësi dhe ka shkelur Kushtetutën

Albulena Haxhiu

Foto: Driton Paçarada

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka thënë se Ministria e Drejtësisë nuk guxon të ndërhyjë në asnjë mënyrë në drejtësi, ndërsa ka reaguar pas akuzave të ministres Albulena Haxhiu ndaj sistemit. 

Haxhiu të mërkurën akuzoi prokurorinë pasi pushoi hetimet për një pronë milionëshe në “Veternik” në Prishtinë, duke e përdorur si provë një zarf nga Serbia përmes rrugëve jozyrtare. “Betimi për drejtësi” raportoi të shtunën për misterin e një zarfi nga Serbia, që sipas Prokurorisë përmban të vërtetën, ndërsa sipas njërës familje bëhet fjalë për mashtrim. 

Deklaratën e saj si veprim GLPS-ja e ka quajtur kundërkushtetues, duke theksuar më tej se palë kontestuese në këtë rast nuk është asnjë organ i pushtetit ekzekutiv.  

“Rrjedhimisht, shpjegimi i vetëm për ndërhyrjen flagrante të Ministrisë së Drejtësisë mund të jetë: (i) interes personal dhe i kundërligjshëm në këtë çështje, fshehur nën petkun e pozitës zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, dhe në çdo rast edhe (ii) mungesë e njohurive elementare mbi rendin juridik të shtetit sipas të cilit do të duhej të vepronte Ministria. Kështu, pjesa e deklaratës së Ministrisë së Drejtësisë se ‘[d]rejtësia ka kuptim veç kur e mbron të dobëtin nga i forti e i pushtetshmi’ na tregon se Ministria në fakt e konsideron vehten, si të pushtetshme, rrjedhimisht ka zgjedhur se kush janë të dobët e kush të fortë, dhe se (gjithnjë sipas kësaj logjike kundërkushtetuese) ndarja e drejtësisë duhet t’i përshtatet këtyre vlerësimeve të Ministrisë”, thuhet në reagimin e GLPS-së. 

GLPS-ja ka thënë më tej se mendësia e tillë përbën precedent të rrezikshëm, dhe është “e papajtueshme me integritetin dhe njohuritë minimale të kërkuara për të udhëhequr Ministrinë e Drejtësisë”.

“Cilido të jetë motivi, me këtë veprim, Ministria ka ndërhyrë në mënyrë flagrante në drejtësi, dhe atë në dy drejtime: në drejtësinë si sistem, dhe drejtësinë si proces për subjektet. Ministria e Drejtësisë ka shkelur Kushtetutën e Republikës në 6 mënyra, më saktësisht duke shkelur e cenuar Nenet: 3.1; 3.2; 4.1; 4.5; 7; 92.2”, përfundoi GLPS.