Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka thënë se gjendja kundër-kushtetuese në Kosovë ka nisur më 27 mars kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar si deputetë persona të cilët, në kohën e certifikimit, mbanin poste ekzekutive në administratën publike.
Sipas GLPS-së, kjo bie ndesh me nenin 70 të Kushtetutës, i cili përcakton se mandati i deputetit fillon në ditën e certifikimit dhe se një deputet nuk mund të mbajë njëkohësisht ndonjë funksion tjetër ekzekutiv.
“Anëtarët me post ekzekutiv nuk kanë qenë të obliguar të japin dorëheqje, por duhej të bënin zgjedhjen midis mbajtjes së mandatit të deputetit apo postit ekzekutiv – jo të të dyjave”, thuhet në deklaratën e GLPS-së.
GLPS thekson se, për rrjedhojë, certifikimi i deputetëve që mbanin poste ekzekutive përbën shkelje të Kushtetutës dhe prodhon pasojë të drejtpërdrejtë juridike: “mandati i tyre duhet të konsiderohet i pavlefshëm, bazuar në nenin 70.3.3 të Kushtetutës”.
Sipas grupit, asnjë veprim i mëvonshëm, përfshirë verifikimin eventual nga Komisioni për Verifikimin e Mandateve në Kuvend, nuk mund ta legjitimojë ose rikthejë vlefshmërinë e atyre mandateve.
“Meqenëse skena juridike në Kosovë herë-herë subordinohet ndaj konsideratave ekstra-juridike, ky qëndrim i GLPS-së nuk është prognozë, por diagnozë. Ne garantojmë për saktësinë e këtij qëndrimi, por jo edhe për materializimin e tij”, thuhet në përfundim të deklaratës.
Një ditë më parë, Kuvendi dështoi t’i verifikonte mandatet e deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Opozita e deritashme tha se votoi kundër me pretekstin se kryeministri dhe ministrat, duan të marrin post të deputetit “ende pa dhënë dorëheqje”. E zyrtarët qeveritarë kanë thënë se pas përfundimit të mandatit, para certifikimit si deputetë, llogaritet të jenë efektivisht të dorëhequr. Kësisoj, edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se e ka dërguar një letër të konfirmimit të dorëheqjes te kryetari i deritashëm i Kuvendit.
Pas dështimit të verifikimit të mandateve, seanca u ndërpre.
Pas verifikimit të mandateve, në rend dite seanca pati betimin e deputetëve e më pas zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.