Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gazmend Gjyshinca, ka vlerësuar se nuk mund të përjashtohet mundësia që Kosovës t’i lidhet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe edhe me heqjen e masave të vendosura nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, këtë e ka dëshmuar ndërlidhja e Asociacionit me anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
“Kemi thënë se s’ka ndërlidhje të procesit, por e pamë se ka në Këshill të Evropës. Ka qenë linjë e mirëmbajtur e përfaqësuesve të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian që s’do të përzihen këto gjëra, por e pamë se çka ndodhi. Leximi im krejt personal është ky. Në këtë kohë të turbullt politikisht nga Bashkimi Evropian mund të presim çdo gjë. Ta kemi të qartë. Por ajo që duhet ta dimë është që të paktën deri në momentin kur po flasim s’ka kërkesë të tillë nga BE-ja dhe siç ka deklaruar edhe kryeministri e zëvendëskryeministri s’ka komunikim të tillë dhe presim të mbetet aty ku është, pra në kuadër të procesit të dialogut, marrëveshjes së Brukselit dhe draftit të Ohrit”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV të premten, edhe pse ka shprehur optimizëm për qasjen e BE-së pas zgjedhjeve të javëve të shkuara.
Masat të cilat i janë vendosur Kosovës një vit më parë pritet që të hiqen gradualisht dhe pjesërisht, teksa kjo do të bëhet e ditur gjatë ditëve në vijim, kanë thënë të enjten për KOHËN disa burimet diplomatike në Bashkimin Evropian (BE). Heqja “graduale” e masave, sipas burimeve, është një kompromis i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pasi që ato nuk janë pajtuar që të gjitha se Kosova i ka përmbushur në tërësi kërkesat e vendosura nga BE-ja. Përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së kanë diskutuar për heqjen e masave ndaj Kosovës të mërkurën, në Komitetin për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, ku janë ambasadorët e vendeve anëtare. Bazë për diskutim ka qenë raporti i përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, i cili u është dorëzuar vendeve anëtare vetëm një ditë para takimit.
E raportin pozitiv të Borrellit, Gjyshinca e ka quajtur lajm të mirë për Kosovën, megjithëse i ka quajtur të padrejta masat që nga fillimi.
“Mendimi pozitiv i raportit të Borrellit për çështjen e masave mendoj se i ka dhënë të drejtë Qeverisë së Kosovës, kryeministrit për linjën që ai dhe qeveria e kanë ndjekur dhe ne si shumicë e kemi ndjekur në 3 vjet në qeveri përballë çështjes së veriut”, ka thënë ai.
Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë – nisën detyrën e tyre në komunat në veri. Ndër masat e BE-së janë suspendimi i përkohësisht i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Kosova, po ashtu, nuk ftohet në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
E sipas Gjyshincës, pavarësisht masave të vendosura nga BE-ja, “ia ka vlejtur qëndrimi i Qeverisë së Kosovës”. Ai ka thënë se Kosova gjithmonë ka treguar orientim drejt BE-së, por në përgjigje ka marr “qasje asimetrike”.
Deputeti i pushtetit ka deklaruar se nuk pret që takimi i ardhshëm i dialogut me Serbinë javën e ardhshme të mos ketë ndryshime nga zhvillimet e mëhershme.