Arbëri

Gjykimet me dy kute privojnë qytetarët nga trashëgimia e pasurisë në Podujevë

Dega në Podujevë e Gjykatës Themelore të Prishtinës nuk aplikon standard unik, derisa vendos për rastet kur familjarët kërkojnë certifikatat e vdekjes së të afërmve, e të cilët nuk janë të evidentuar në regjistrin e gjendjes civile. Dy gjyqtarë nxjerrin aktvendime pozitive, e i treti që të gjitha negative. Qytetarët që po përballen me gjykime të këtilla, thonë se mes pasojave që po u shkaktohen është edhe pamundësia për t’i legalizuar pronat e trashëguara.

Vendime të ndryshme për raste të njëjta janë duke nxjerrë tre gjyqtarë të Gjykatës Themelore të Prishtinës – Dega në Podujevë – lidhur me shpalljen e vdekjes së personave që nuk kanë qenë të regjistruar më parë në regjistrin e gjendjes civile.

Kur trajtojnë rastet, njëri gjyqtar i referohet Ligjit për gjendjen civile e dy të tjerë atij për procedurën jokontestimore. Për pasojë, lëndët që shqyrtohen nga dy gjyqtarët, kanë epilog pozitiv, ndërsa e kundërta ndodh me ato që trajtohen nga gjyqtari i tretë, i cili i refuzon që të gjitha.

Pasojat e vendimmarrjes së këtillë i ka ndier Ejup Ajeti, i cili thotë se nuk arriti ta siguronte certifikatën e vdekjes së nënës së tij nëpërmjet dëshmitarëve dhe fotos së varrit, ku figuron data e lindjes dhe e vdekjes. Për pasojë, ai dhe familjarët nuk kanë mundur ta legalizojnë pronën e trashëguar.

“Ne jemi pesë vëllezër. Secili duhet ta marrë pjesën e vet, pikësëpari. Të gjithë jemi të shkuar në moshë. Janë bërë nipat, stërnipat. Nesër, pasnesër mund të ketë edhe telashe prej dikujt – çka ka pasë, çka s’ka pasë. Kjo është e para. E dyta, dikush mund të merret edhe me biznes – kur e ka tokën, e ka një lloj garancioni dhe mund ta marrë edhe një lloj kredie”, ka thënë Ajeti, i cili ka mbushur 70 vjet. “Ne me këtë problem kurrgjë nuk kemi me ba. Sikur nuk është toka jonë”.

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, që nga e enjtja, nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS përkitazi me vendimmarrjen e ndryshme të gjyqtarëve, për rastet e njëjta.

E, në arsyetimin e aktvendimit refuzues për rastin e certifikatës së vdekjes së nënës së Ejup Ajetit thuhet se kjo përfaqëson çështje administrative, për vendosjen e së cilës gjykata nuk ka kompetencë lëndore. Bazuar në të, zgjidhja e kontestit është kompetencë e Komunës së Podujevës, Shërbimit të Gjendjes Civile, Zyrës së Gjendjes Civile dhe Agjencisë që mbikëqyr dhe menaxhon me të dhënat, ruajtjen dhe ndryshimin e tyre.

Zyrtarët komunalë thanë se bazuar në rregullat në fuqi, regjistrimi i mëvonshëm i vdekjeve në rastet kur mungojnë dëshmitë, bëhet me vendim nga Gjykata kompetente.

“Nëse nuk ka dëshmi për një person, i cili ka ekzistuar dhe nuk ka ndonjë dëshmi që e vërteton se ai person ka një datë të lindjes të saktë dhe datën e vdekjes, atëherë sipas Udhëzimit Administrativ, Komuna ia adreson këtë Gjykatës, e cila përmes një trupi gjykues e vlerëson se a ta aprovojë atë kërkesë apo ta refuzojë”, ka thënë Fatri Zhitia, zëdhënës i Komunës së Podujevës.

Kjo, sipas zyrtarëve komunalë, po u shkakton telashe, pasi qytetarët ankesat dhe presionin po i drejtojnë në administratën komunale.

E shtatëdhjetëvjeçari Ejup Ajeti thotë se nuk e di si të veprojnë tutje për të trashëguar pronën që ua kanë lënë prindërit.