Arbëri

Gjykatësit e kundërshtojnë Projektligjin për Konfliktin Administrativ

Me nenin 93 të projektligjit për Konflikt Administrativ, i cili është hartuar nga Ministria e Administratës Publike është vendosur që mos të ketë fare rigjykime të rasteve gjyqësore.

Ky është vetëm njëri prej shumë neneve, me të cilët nuk po pajtohen gjyqtarët që thonë se projektligji nuk i plotëson as kushtet minimale për të qenë ligj, raporton KTV.

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, që është pjesë e Komisionit për hartimin e këtij projektligji, ankohet se asnjë propozim i tij dhe kolegëve të tjerë, nuk është marrë për bazë.

Shala thotë se ky projektligj përmban shumë anomali ligjore, shprehje joadekuate dhe nuk është në harmoni me legjislacionin në fuqi dhe me nevojat juridike.

Sipas tij, si i tillë, ligji është i pazbatueshëm në praktikë.

Në Ministrinë e Administratës Publike thonë se në grupin punues të këtij projektligji, gjyqtarët nuk kanë dhënë vërejtje me shkrim.

“Komentet e gjyqtarëve në grupin punues kanë qenë më shumë në aspektin e përmirësimit të disa fjalëve/fjalive se sa për përmbajtjen, ndërsa komente me shkrim asnjëherë nuk janë paraqitur. Për më tepër, projektligji për konfliktet administrative, është hartuar nga një grup i juristëve të shquar kombëtar e ndërkombëtar , të angazhuar nga OECD/SIGMA dhe Komisioni Evropian”, ka thënë Arton Berisha, Sekretar i Përgjithshëm në MAP.

Të mërkurën, kur komisioni po zhvillonte punimet e radhës në hartimin e këtij projektligji, gjyqtarët në mënyrë demonstrative kanë lëshuar mbledhjen.