Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur ta rihapë gjykimin në rastin ku ish-deputeti i LDK-së Shkumbin Gashi akuzohet për keqpërdorim me vota, në seancën ku ishte paraparë shpallja e aktgjykimit.
Trupi gjykues i kryesuar prej gjyqtarit Musa Konxheli ka vendosur ta rihapë gjykimin në raport me tri prova: dy fotografi për të cilat Prokuroria pretendon se janë dëshmi e keqpërdorimit me vota në Pejë në vitin 2021 dhe për ta dëgjuar edhe dëshminë e një zyrtari të KQZ-së për sqarimin e dilemave lidhur me plotësimin e formularëve për votim jashtë vendit dhe periudhën e nxjerrjes së tyre. Për dy fotografitë i ka dërguar kërkesë Agjencisë së Kosovës për forenzikë kurse lidhur me dëshminë e KQZ-së ky trup gjykues pritet t'i drejtohet KQZ-së me çështjet për të cilat i duhen sqarime.
Ish-deputeti Shkumbin Gashi dhe i akuzuari tjetër Sylë Balaj në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të vitit 2022 akuzohen për veprat penale “Keqpërdorimi i së drejtës së votimit” dhe “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes”, lidhur me zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të vitit 2021.
Prokuroria Speciale pretendon se ish-deputeti Gashi dhe Balaj bashkë me pesë persona të tjerë abuzuan me të dhënat e 71 bashkatdhetarëve në Austri, duke mbushur fletëvotimet pa pëlqimin e tyre në favor të rezultatit zgjedhor të Gashit, që ishte kandidat për deputet. Sipas aktakuzës së ngritur më 29 dhjetor 2022, kjo u bë duke hapur emaile të rreme, duke i shkarkuar e plotësuar fletëvotimet në zyrën e të dënuarit Kastriot Blakaj. Më pas sipas aktit akuzues votat e manipuluara i nisën nga Peja për në Vjenë me autobus më 2 shkurt 2021, për t’u kthyer përsëri në Kosovë në zyrën kryesore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë.
Gashi ishte zgjedhur deputet i Kuvendit nga radhët e LDK-së më 2019. Ai mbajti numrin 32 në zgjedhjet nacionale të vitit 2021. Si Gashi, ashtu edhe Balaj, i kanë mohuar akuzat.
Nga procesi gjyqësor në këtë rast janë dënuar me burgim me kusht Kastriot Blakaj me 24 muaj, Tahir Shala me 20 muaj, Milot Blakaj me 20 muaj e Dardan Blakaj me 11 muaj, pasi kishin bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë, e cila qe miratuar nga trupi gjykues. Krahas këtyre të dënuarve e të akuzuarve në aktakuzë ishte edhe një person tjetër, por me propozim të Prokurorisë për të është veçuar procedura.