Arbëri

Gjykata vendos për të arrestuarit në rastin që alarmoi Maqedoninë

Gjykata Penale e Maqedonisë së Veriut ka vendosur “masën për kujdes” ndaj katër të arrestuarve nën dyshimin për rastin në Kullën e Aeroportit të Shkupit më 4 janar.

Disa persona dyshohet se kishin sulmuar kontrollorët ajrorë të aeroportit dhe nga Prokuroria u cilësua se pos sulmit ndaj personave, është kryer edhe vepra e cenimit të sigurisë së trafikut ndërkombëtar ajror.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme disa persona i kanë sulmuar fizikisht tre të punësuar të tjerë në këtë institucion më 4 janar. Sindikata, ndërkohë, ka thënë se personi që e ka udhëhequr grupin është i punësuari, Bekim Neziri, ish-ministër i Ekonomisë dhe kryetar i degës së BDI-së në Çair të Shkupit. Incidenti në hapësirat e Kontrollit të Trafikut Ajror ndodhi derisa sindikata e këtij institucioni po protestonte kundër një konkursi për punësime të reja, e që nga sindikalistët konsiderohej i jashtëligjshëm për shkak të shkeljes së procedurave me synimin për punësime të kuadrove të partive në pushtet.

Për katër të arrestuarit, të shtunën vendosi për “masë kujdesi” edhe pse Prokuroria kërkoi paraburgim. Kjo nënkupton që të dyshuarit do të mbesin pa pasaporta dhe s’do të kenë të drejtë të largohen nga vendbanimet.

Pos katër të arrestuarve, Maqedonia është në kërkim edhe të katër personave të tjerë.

Rasti ka alarmuar opinionin në Maqedoni. Nga akterë të shumtë është cilësuar si incident me përmasa ndërkombëtare.

Sindikata e kontrollorëve ka paralajmëruar pas rastit se do të hyjë në grevë të plotë nëse nuk shkarkohen drejtorët dhe nëse nuk arrestohen dhunuesit. Njëkohësisht Qeveria paralajmëroi se në seancën e 9 janarit do të shkarkojë gjithë Bordin drejtues.


Çfarë ndodhi më 4 janar?