Katër organizata joqeveritare kanë fituar betejën ligjore me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar padinë e këtyre organizatave për qasje në dokumente publike lidhur me tenderin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.
“Balkan Green Foundation”, Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Instituti për Politika Zhvillimore, qysh në vitin 2017 kishin kërkuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik qasje në dokumentet për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, raporton KTV.
E, pas këtij vendimi të gjykatës, për të tretën herë radhazi këto organizata kanë kërkuar qasje në dokumente nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.
E, kjo nuk është padia e vetme që këto organizata e kanë fituar në gjykatë, edhe pse nuk ka pasur asnjë ndëshkim për zyrtarët që nuk kanë zbatuar Ligjin për qasje në dokumente zyrtare.
Këto organizata në janar të vitit 2017 kishin kërkuar qasje në katër dokumentet e ndërtimit të “Kosovës së Re”, por MZHE-ja iu kishte dhënë qasje vetëm në dy prej tyre, të cilat kishin të bënin vetëm me thirrjen për aplikim.