Arbëri

“Gjykata Speciale është formuar për shkundje politike”

Aktivizimi i Gjykatës Speciale u bë temë kyçe kohët e fundit në Kosovë.

Sot, shefi i Zyrës për Mbrojtjen Juridike për të akuzuarit potencialë nga Gjykata Speciale, Driton Lajçi, paralajmëroi një vit të vështirë për vendin. Ndërkaq, profesori i së Drejtës Penale, Ismet Salihu, tha se numri më i madh i lëndëve që do të trajtohen nga Dhomat e Specializuara do të jenë krimet që supozohen të jenë kryer pas çlirimit të vendit, në vitin 1999.

Kujtojmë se deri tani, janë intervistuar nga hetuesit e Prokurorisë së Specializuar dy persona, ndërsa ftesa kanë marrë të paktën 6 persona, ndër ta Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Nazif Mehmeti dhe Sokol Dobruna.

Funksionalizimi i Speciales do ta bëjë të vështirë 2019-n

Ditë më parë, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, në një intervistë për KOHA.net tha se rasti i Rrustem Mustafës është tregues se Gjykata Speciale, është duke ecur në gjurmët e UNMIKUT.

Ai tha se ‘që nga koha e Raportit të Dick Martyt kam qenë kundër një Gjykate të tillë, e sidomos kam qenë kundër akuzës fantome të trafikimit të organeve e cila ka qenë e shpifur dhe një gënjeshtër “demokratike” me kokë e këmbë në Beograd!’.

Gjykata Speciale është sukses i politikës së Beogradit dhe shërbëtorëve të tij në Kosovë

“Nëse kihet parasysh raporti i përmendur, për situatën e re të krijuar, më duket sa ka shumë ndërhyrje politike. Për mua krijimi i kësaj gjykate është sukses i politikës së Beogradit dhe i shërbëtorëve të tij në Kosovë që i janë gëzuar shumë asaj gjykate. Rasti i Rrustem Mustafës është tregues se Gjykata Speciale, gjithsesi është duke ecur në gjurmët e UNMIK-ut. Kështu e pat filluar edhe gjykata e Administrimit Ndërkombëtar në Kosovë. Fundi, do të jetë si i gjykimeve paraprake, “mali do të pjell një mi”! Megjithatë, mendoj se drejtësisë në cilëndo cilësi nuk duhet t’i ikë askush”, ka thënë Krasniqi.

Ai gjithashtu tha se Gjykata Speciale mund të ketë ndikimin e vet goxha të madh në jetën politike në Kosovë.

“Tek e fundit, për këtë shkundje politike është formuar kjo gjykatë kryekreje politike. Gjykata Speciale, pa asnjë dyshim, Kosovën e ka qitur në bankën e të akuzuarit për krime lufte?! Unë nuk besoj që vendi ynë e meriton këtë trajtim! Këtë e shoh si një padrejtësi të madhe që po ju bëhet qytetarëve të Kosovës. Për disa vite, Bota do të flas e shkruaj për krimet e pretenduara të pjesëtareve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?! Turp i madh më duket!”, ka thënë tutje Krasniqi për KOHA.net.

Ai shtoi se krimet e gjenocidi i Serbisë do të harrohen.

“Këtë gjykatë nuk duhet parë ngushtë, as me inat e as me gëzim. Tani nuk na ka mbetur tjetër veç të presim e të shohim! Me duart tona e kemi krijuar?! Nuk dyshoj, dikush e ka rastin për shkëlqim atdhetar e dikush tjetër turpërim e mjerim të skajshëm!”, tha Krasniqi.