Gjykata Themelore në Prishtinë ka konstatuar se shteti nuk pati borxhe ndaj kompanisë “Bechtel Enca” për rastin ku i dënoi ish-ministrin Pal Lekaj dhe tre të tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Lekaj dhe të akuzuarit e tjerë gjatë gjykimit patën thënë se Qeveria ka pasur borxhe e vonesa në pagesa ndaj kompanisë që punonte në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit. Por këto pretendime janë hedhur poshtë, sipas aktgjykimit të bërë publik ditë më parë
Shteti nuk pati obligime ndaj “Bechtel&Encas” që do ta rrezikonte në arbitrazh, është konstatuar në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “53 milionëshi”, i publikuar ditë më parë.
Me këtë aktgjykim, ish-ministri Pal Lekaj, ish-këshilltari i tij Eset Berisha, ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri, dhe ish-shefi i prokurimit në këtë ministri, Besim Tahiri, janë dënuar secili me mbi tre vjet burgim.
Të akuzuarit, përfshirë Lekajn, kanë thënë gjatë gjykimit se i rekomanduan Qeverisë t’i jepte 53 milionë euro, meqë pati vonesa në pagesa e borxhe që mund ta çonin në Arbitrazh – ku shteti do të kërcënohej me humbjen e shumave edhe më të mëdha. Gjykata i ka marrë të dhënat e thesarit të Ministrisë së Financave për pagesat.
Dhe, trupi gjykues i kryesuar nga Violeta Namani-Hajra ka konstatuar se mbrojtja që ka dhënë deputeti i AAK-së se në këtë mënyrë po shpëtonin buxhetin, është për t’i ikur përgjegjësisë penale që e ka në këtë rast.
“Pas administrimit të kësaj prove, Gjykata ka vërtetuar faktin se pagesat për vitet 2014-2015 dhe 2016, që janë realizuar në llogarinë e kompanisë ‘Bechtel&Enka’, arrin në vlerë më shumë se gjysmën e vlerës së kontratës, andaj nuk qëndrojnë pretendimet e të pandehurit Pal Lekaj se qeveritë e mëhershme kanë pasur vonesa në pagesa të faturave në këtë projekt, po ashtu nuk qëndron as pretendimi i të pandehurit Pal Lekaj se në kohën e marrjes së mandatit, pas daljes në terren, vetëm 10% e punëve kanë qenë të kryera në terren, krejt ky deklarim i tij ka pasur për qellim që t’i shmangte përgjegjësitë penale, pasi që i njëjti pretendimet e tij nuk i ka arsyetuar me asnjë provë të vetme në këtë drejtim, nuk i ka ofruar Gjykatës as një faturë të vetme për mospagesë nga qeveritë e kaluara”, thuhet në faqen 80 të aktgjykimit.
Gjykata e Prishtinës ka vlerësuar, po ashtu, se kontrata me të cilën u zgjat afati i punimeve është e kundërligjshme, meqë nuk ishte paraparë kostoja financiare.
“Pas administrimit të kësaj prove Gjykata ka vërtetuar faktin se drejtori i Divizionit të Prokurimit, Besim Tahiri, me kërkesën 7494 të datës 27.09.17 i është drejtuar ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe sekretarit të përgjithshëm U.D Nebih Shatri, lidhur me protokollin për nënshtrimin e vazhdimit të kohëzgjatjes së afatit të kontratës për projektin R6 Prishtinë – Hani i Elezit, ku e ka njoftuar se është përgatitur shkresa dhe është e gatshme për nënshkrim për zgjatjen e afatit deri më 31.12.2018, ndërsa çështja e kostos financiare për vazhdimin e kontratës të diskutohet dhe të miratohet me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, Gjykata gjen se e njëjta shkresë është përpiluar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, pasi të njëjtat rregulla nuk njohin marrëveshje-aneks po kontratë pa kosto financiare, e në mungesë të elementit kosto financiare e njëjta marrëveshje është e kundërligjshme”, thuhet në faqen 79 të aktgjykimit.
Sipas aktgjykimit, ish-këshilltari i ministrit Lekaj, Eset Berisha, i ka bërë presion dëshmitarit kryesor të Prokurorisë, Avdi Kamerolli, për të mos e përmendur raportin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International” që pati vlerësuar se “Bechtel&Encas” duhej t’i paguheshin 17 milionë euro, e jo 53 milionë.
“...Dëshmitari i dëgjuar ka sqaruar në detaje veprimet e kundërligjshme të pandehurit Eset Berisha, pasi që i njëjti i ka bërë presion që nga opinioni ligjor ta largojë emrin e kompanisë mbikëqyrëse ‘Hill Internacional’, kjo e thënë e dëshmitarit gjen mbështetje në opinionin në versionin e dytë ku me insistimin e të pandehurit Eset Berisha është larguar nga opinioni ligjor emri ‘Hill Internacional’ dhe është dërguar në ora 16:03 min. në emailin e të pandehurit Pal Lekaj, ku në cc (v.j korrespondencë) ka qenë edhe i pandehurit Eset Berisha, ku sipas vlerësimit të Gjykatës, i pandehuri Pal Lekaj ka qenë në dijeni dhe me dashje e ka udhëhequr procesin e kërkesave të pandehurit Eset Berisha në drejtim të dëshmitarit Avdi Kamerolli, duke i bërë presion për përpilimin dhe ndryshimin e opinionit ligjor...”, thuhet në faqen 113 të aktgjykimit.
Pos Kamerollit, Gjykata ia ka falur besimin edhe dëshmisë së deputetes Albena Reshitaj, e cila në atë kohë ishte pjesë e Komitetit Drejtues Ndërministror lidhur me menaxhimin e projektit të autostradës. Në dëshminë e saj, është aluduar se Lekaj e ka mashtruar, duke ia fshehur opinionin e kompanisë “Hill”.
“...dhe sipas dëshmisë së dëshmitares në mbledhjen e KDNM-së (Komitetit Ndërministror), i pandehuri Pal Lekaj ka konstatuar se tani e kemi opinionin ligjor, por nuk ua ka prezantuar anëtarëve të KDNM-së në shikim dhe vlerësim, ku sipas vlerësimit të Gjykatës, të mos kuptohet nga anëtarët e KDNM-së se i njëjti opinion ka qenë i dedikuar vetëm për nevoja të kabinetit e jo për çështjen në fjalë, dëshmitarja me mirëbesim në thëniet e të pandehurve të lartcekur ka votuar pro këtij vendim, andaj Gjykata vlerëson se dëshmia e dëshmitares së lartcekur është reale dhe e sinqertë, gjen mbështetje në provat materiale në këtë çështje penale dhe nga kjo dëshmi vërtetohet gjendja faktike në këtë çështje penale”, thuhet në faqen 38 të aktgjykimit.
Aktgjykimi nuk e ka formën e plotfuqishme dhe ankesat e të akuzuarve kundër tij janë në trajtim në Gjykatën e Apelit.
Aktgjykimi i Themelores së Prishtinës është bërë publik më 20 mars.