Arbëri

Gjykata nuk gjeti fajtorë për kontratën 6 milionëshe të KEK-ut për sigurimin fizik

Një tjetër rast i profilit të lartë për korrupsion është hedhur poshtë nga gjykata dhe 7 personat e akuzuar janë liruar.

Prokuroria kishte ngritur aktakuzë për korrupsion për tenderin e më shumëse 6 milionë euro për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut, raporton KTV.

Sipas aktakuzës Korporata Energjetike ishte dëmtuar nga kjo kontratë.

Ish-kryetarin e Skënderajt, Sami Lushtaku, Gjykata Themelore e Prishtinës, e ka liruar nga akuza për shtytje për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

I pafajshëm për akuzën “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose të autorizimit”, është shpallur edhe ish-drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj.

Lexo edhe: Shpallen të pafajshëm Lushtaku e të tjerët në rastin “KEK-u”

Të akuzuar në këtë rast ishin edhe Hysni Hoxha, Driton Pruthi, Azem Duraku, Esat Tahirit dhe Milazim Lushtaku.

Prokuroria pretendonte se të të pandehurit kanë bashkëpunuar për t’i mundësuar dhënien e kontratës kompanisë së sigurimit “Security Code”, pjesë e konsorciumit me kompaninë “WDG”.

Kontrata prej më shumë se 6 milionë e 100 mijë euro, ishte nënshkruar për periudhën dyvjeçare.

Pronar i kompanisë që kishte fituar tenderin ishte Milazim Lushtaku, kushëri i Sami Lushtakut.

Në këtë rast hetimet kishin filluar në 2012-n nga prokurorë të EULEX-it, ndërkaq rasti pastaj ishte transferuar te vendorët.