Prej vitit 2022, kur janë ngritur dyshimet se janë keqpërdorur miliona euro në kurriz të pacientëve që kanë kërkuar ndihmë nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor, pothuajse asnjë rezultat konkret nga hetuesia nuk ka për këtë çështje. Zyra Kombëtare e Auditorit ka kërkuar informata nga Gjykata Turke e Llogarive e Prokuroria e Shtetit ende është në fazën “e mbledhjes së informatave”
Rreth 2 vjet pas hulumtimit të gjatë të KOHËS në lidhje me dyshimet për keqpërdorime me buxhetin e Programit për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike, krejt pak veprime janë ndërmarrë nga institucionet shtetërore.
Abuzimi me pacientët që nuk gjenin trajtim brenda në Kosovë pas hulumtimit të KOHËS është trajtuar nga Zyra Kombëtare e Auditorit.
Shumica e pagesave të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore janë bërë në spitalet private në Turqi.
Zyra Kombëtare e Auditorit, përmes një përgjigjeje me shkrim ka deklaruar që këtë çështje me shtetin turk e ka ngritur dy herë.
“Ju njoftojmë se auditorja e përgjithshme e ka adresuar këtë çështje në Gjykatën Turke të Llogarive përmes komunikimit të shkruar në shtator të vitit 2023, duke ia bashkëngjitur edhe raportin e auditimit të performancës “Efektiviteti i Programit për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike”, si dhe disa nga rastet, të cilat ne kemi menduar se duhet të trajtohen”, thuhet në përgjigjen e ZKA-së.
E hera e dytë, sipas ZKA-së, ka qenë javë me parë, gjatë vizitës së zyrtarëve të saj në Gjykatën Turke të Llogarive në Turqi.
“Gjatë vizitës bilaterale që kishim në Gjykatën Turke të Llogarive, njëra nga temat e agjendës ka qenë prezantimi i raportit në fjalë dhe diskutimi i shqetësimeve në lidhje me trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve shëndetësore publike, në këtë rast në shtetin e Turqisë. Gjithashtu, kjo çështje ka qenë paraprakisht në vëmendjen e mediumit tuaj, si dhe të Qeverisë se Republikës së Kosovës. Arsyeja e adresimit të kësaj çështjeje ka rrjedhur nga fakti që një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të Fondit për Sigurim Shëndetësor është shpenzuar në spitalet private në Turqi”, thuhet tutje në përgjigje.
Nga ky institucion, ZKA-ja thotë se ka marrë zotim që do të provojnë të marrin informata se çfarë ka ndodhur me këto trajtime.
“Gjykata Turke e Llogarive është zotuar se brenda kornizës se saj ligjore do të bëjë përpjekje për të mbledhur të dhëna dhe sqarime dhe për të na ofruar informatat e kërkuara. Mirëpo ata, po ashtu, na kanë vënë në vëmendje se procesi i sigurimit të informacioneve edhe për ta mund të jetë i vështirë, sepse këta pacientë janë trajtuar në spitalet private dhe jo në ato publike, ndërsa mandati dhe fushëveprimi i Gjykatës mbulon vetëm sektorin publik”, thuhet në përgjigjen nga ZKA-ja.
Përderisa ZKA-ja ka kërkuar nga ky shtet informata të detajuara për procedurat e ndjekura, hetuesia në Kosovë ende nuk ka rezultate konkrete për këtë rast.
Edhe pas dy vjetësh, nga ky institucion thonë që ende janë duke mbledhur informata për atë se çfarë ka ndodhur me vite të tëra në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore në Kosovë.
“Çështjes së cilës i referoheni, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë i ka paraqitur kërkesë për grumbullim të informatave dhe provave Policisë së Kosovës. Tutje, kjo prokurori ka paraqitur edhe një kërkesë shtesë të njëjtëve dhe mbetet në pritje të saj”, ka thënë Laureta Ulaj nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.
KOHA në vitin 2022 pati raportuar për keqpërdorime të shumta që lidhen me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.
Hulumtimi disamujor pati ngritur dyshime për keqmenaxhim e humbje të madhe të parasë në kurriz të pacientëve të sëmurë rëndë, e që nuk gjejnë shërim në Kosovë.