Arbëri

Gjykata Kushtetuese pezullon marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët

Gjykata Kushtetuese në Shqipëri ka pezulluar ratifikimin e marrëveshjes në Kuvend me Italinë për emigrantët.

Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se ka shqyrtuar padinë e deputetëve të opozitës kundër marrëveshjes me Italinë për emigrantët.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese vjen në një kohë kur mazhoranca socialiste kishte planifikuar miratimin e marrëveshjes në seancën e së enjtes [sot].

Në këtë mënyrë pezullohet automatikisht procedura e ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes me Italinë.

Pas vendimit, Holta Zacaj, në një komunikim me gazetarët, bëri të ditur se për këtë vendim do të njoftohet menjëherë Kuvendi, i cili është i detyruar të ndërpresë procedurat parlamentare për ratifikimin në seancë plenare.

Kushtetuta ka vendosur vetëm për ankesën e 30 deputetëve të PD-së, mes të cilëve Gazmend Bardhi dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Edhe pse në Gjykatën Kushtetuese është dorëzuar një ankimim i firmosur nga Lulzim Basha, Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka marrë në shqyrtim.

Ndërkohë, pezullimi i marrëveshjes Itali-Shqipëri nga Gjykata Shqiptare është kthyer menjëherë në lajmin kryesor në mediat italiane.

Ansa, La Reppublica dhe Corriere Della Sera kanë raportuar vendimin e gjykatës më të lartë në Shqipëri. Ndërsa “la Stampa” e cilëson vendimin si një “dush të ftohtë” për qeverinë e kryeministres Giorgia Meloni.

“Një idiotësi evropiane”, e cilësoi deputeti italian i të Gjelbërve, Angelo Bonelli, pakti mes dy kryeministrave.