Arbëri

Kuvendi i Prizrenit miraton vendimin për përdorimin zyrtar të gjuhës rome

Kuvendi i Komunës së Prizrenit të hënën ka miratuar vendimin për njohjen e gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar. Ky vendim është përkrahur nga të gjithë kuvendarët prezent. Me këtë rast është theksuar se me këtë vendimmarrje mundësohet që ky komunitet ta ruajë identitetin dhe kulturën e vet.

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, të hënën, njëzëri kanë miratuar vendimin për njohjen e gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar në këtë komunë. Pas prezantimit të kërkesës nga kryetari Shaqir Totaj, kuvendarët e subjekteve dhe të komuniteteve të ndryshme kanë vlerësuar se komuniteti rom meriton që ta gëzojë këtë të drejtë, pasi prania e gjuhës së tyre në këtë qytet daton prej shekujsh.

Kryetari Totaj duke folur para kuvendarëve ka theksuar se legjislacioni parasheh njohjen e kësaj gjuhe si gjuhë në përdorim zyrtar, pasi flitet prej kohësh në Prizren. “Gjuha rome nuk është kërkesa që të jetë gjuhë zyrtare, por është kërkesa që të jetë gjuhë në përdorim zyrtar. Përqindjen e numrit të banorëve i cili duhet të jetë nuk e plotëson, por e plotëson kriterin tjetër apo është një gjuhë që veç është në përdorim, është një gjuhë që flitet, është një gjuhë që mund të themi pak a shumë është edhe e popullarizuar në qytetin e Prizrenit", ka thënë Totaj.

Kuvendarët e partive të komunitetit shumicë kanë shprehur përkrahjen për këtë nismë, duke theksuar se komuniteti rom përmes gjuhës duhet ta ruajë identitetin e vet. “Ne, si Lëvizje Vetëvendosje, normal që jemi për këtë iniciativë për shkak që çdo komunitet që është pjesë e Prizrenit mendojmë se duhet ti ketë të drejtat e tyre dhe duhet ti përkrahim pa kusht", ka deklaruar kuvendarja e LVV-së, Dafina Alishani.

Adrit Krasniqi i PDK-së ka pohuar se aktivistët romë dhe të komuniteteve tjera janë siguruar qysh më parë se do të kenë përkrahjen e këtij subjekti politik.

“Ne edhe atëherë e kemi konfirmuar përkrahjen tonë, edhe sot e konfirmojmë përkrahjen për gjuhën në përdorim zyrtar të komunitetin rom”, ka thënë Krasniqi.

Mbështetje e ngjashme në favor të kësaj nisme ka ardhur edhe nga kuvendarët e komunitetit turk dhe atij boshnjak. “Të gjithë njëzëri duhet të votojmë njohjen e kësaj gjuhe në përdorim zyrtar, dhe besoj se ky vendim do të paraqes një shembull të mirë për Prizrenin, për Kosovën dhe për Evropën", ka thënë Levent Bush, zëvendëskryesues i KK-së së Prizrenit.

Ndërsa Merxhan Osmani nga NDS ka kërkuar mbështetje nga të gjithë kolegët kuvendarë për këtë çështje. "Mendoj se Komuna e Prizrenit, një qytet që njihet si shumëetnik e shumëkulturor, do të ishte mirë që sot ta miratojmë këtë vendim dhe shpresoj se kolegët kuvendarë do të kenë mirëkuptim", ka deklaruar ai.

Kërkesa për njohjen e gjuhës rome në përdorim zyrtar në Prizren ka qenë e kamotshme, por në muajt e fundit është riaktualizuar sërish nga aktivistët e komunitetit rom, të mbështetur edhe nga kolegët prej komuniteteve tjera. Sipas statutit të Komunës së Prizrenit, në territorin e saj, gjuhë zyrtare aktualisht janë: gjuha shqipe, gjuha serbe, gjuha boshnjake dhe gjuha turke.