Institucionet e Kosovës nuk kanë një regjistër të mirëfilltë të numrit të llojeve të kafshëve të egra që jetojnë në Kosovë. Por, përkundër kësaj, vlerësohet se gjuetia legale e ilegale është duke vazhduar. Kjo, nga aktivistë që merren me këtë fushë, po shihet si shkatërruese për specie të caktuara. Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, gjuetia do të duhej të lejohej vetëm nëse do të kishte një studim të mirëfilltë për numrin e llojeve të ndryshme. E vitin e kaluar sezoni i gjuetisë ishte mbyllur me vendim të ministrit Besian Mustafa, me arsyetimin se ka zvogëlim të numrit të kafshëve të egra, derisa këtë vit Ministria e Bujqësisë nuk ka nxjerrë një vendim për hapje të sezonit, siç zakonisht ka bërë viteve të kaluara. Sivjet Ministria e Bujqësisë ende nuk ka nxjerrë një vendim për hapje të sezonit të gjuetisë. Por kjo nuk i ka penguar disa menaxherë të vendgjuetive që të shpallin të hapur sezonin. Një gjë e tillë ka ndodhur në Kamenicë, Malishevë e Suharekë.
Drejtori i kompanisë “Arborgrup”, që menaxhon vendgjuetinë në Kamenicë, Granit Berisha, ka thënë se vendimet e Ministrisë, për hapje dhe mbyllje të sezonit, janë shpallur të paligjshme nga gjykata.
Sipas Zyrës për media të Ministrisë, hapjen dhe kohëzgjatjen e sezonit të gjuetisë, sipas ligjit, mund ta bëjë vetëm ministri i Bujqësisë me vendim dhe assesi ndonjë organ apo institucion tjetër. “Çështja e sezonit te gjuetisë është e rregulluar me Ligjin për Gjuetinë dhe e detajuar me akt nënligjor të ministrit të MBPZHR (Udhëzimi administrativ, nr.11/2007 ’’Për sezonin e gjuetisë’’), andaj hapja dhe kohëzgjatja e sezonit të gjuetisë bëhet sipas nenit 8, të Ligjit nr. 02/L-53, i cili ka specifikuar se këtë mund ta bëjë vetëm ministri i MBPZhR-së me akt të veçantë nënligjor (vendim) dhe assesi ndonjë organ apo institucion tjetër”, thuhet në një përgjigje të Zyrës për media të Ministrisë.
Sipas nenit 8.7. të Ligjit për Gjuetinë, “Nëse moti i keq, sëmundja, gjuetia e tepruar ose rrethanat e tjera zvogëlojnë popullacionin e llojeve të kafshëve të gjahut, Ministria mund të ndalojë ose shkurtojë sezonin e hapur”.
Ndërsa sipas Udhëzimit administrativ për sezonin e gjuetisë, i nxjerrë në vitin 2007, llojet e rralla dhe të rrezikuara si: dreri, kaprolli, dhia e egër, si dhe llojet e kafshëve përherë të mbrojtura si; ariu, rrëqebulli, macja e egër, ketri, pula e egër, shqiponja, orli e disa të tjera, janë të ndaluara për gjueti.
Por sipas drejtorit të organizatës joqeveritare “Era”, Fatos Lajçi, në zonat jo të mbrojtura mund të ketë sezon gjuetie, porse, sipas tij, duhet të bëhet një studim i mirëfilltë se cili është numri i llojeve të ndryshme të shtazëve të egra, gjë që, ka thënë se, nuk është bërë kurrë. “Pra, ne nuk e dimë se a ekziston në Kosovë një kaproll apo tre mijë, nuk e dimë a ekziston një dhi e egër apo tre mijë dhi të egra. Sipas studimeve tona në Bjeshkët e Nemuna, dhia e egër është buzë shkatërrimit përfundimtar si pasojë e gjuetisë ilegale, ku autoritetet janë inekzistente sa i përket gjuetisë”, ka theksuar Lajçi.
E se nuk ka një regjistër të mirëfilltë të llojeve të rrezikuara e thonë edhe në Federatën e Gjahtarëve të Kosovës. Sekretari i kësaj federate, Enver Hiseni, ka thënë se ata sikurse edhe Ministria e Bujqësisë kanë vetëm të dhënat që atyre ua përcjellin anëtarët e shoqatave të Federatës.
“Nuk kemi të tjera të dhëna, sepse për të qenë të sakta është dashur të bëhej një inventarizim në nivel të Kosovës, që është dashur të bëhej nga Ministria e Bujqësisë. Mirëpo ajo është edhe e kushtueshme, edhe po has në vesh të shurdhër, nuk po kanë interesim që ta bëjnë një inventarizim të mirëfilltë në mënyrë që të kemi një numër tek i cili mund të orientohemi për shumë vjet”, ka theksuar Hiseni.
Ai ka deklaruar se si Federatë, çdo vit, që nga viti 2010 marrim të dhëna nga shoqatat që janë anëtare të Federatës dhe se e kanë një numër të kafshëve, që veç e veç i marrim nga shoqatat, prej menaxherëve të shoqatave. Por Hiseni ka thënë se ka shoqata që nuk janë anëtare dhe se në nivel vendi nuk ka një regjistër të kafshëve të egra dhe numrit për secilin lloj. “Ministria e Bujqësisë i ka të dhënat vetëm nga Federata që i kemi dërguar ne. Të tjera të dhëna nuk ka, kjo vlen vetëm për shoqatat që janë anëtare tek ne, ato shoqata që nuk janë anëtare as nuk kanë të dhëna në Federatë, as në Ministri, për numrin e atyre vendgjuetive ne nuk kemi të dhëna”, është shprehur Hiseni.
Ai ka treguar se si Federatë sivjet ende nuk e kanë shpallur të hapur sezonin e gjuetisë. Ka treguar se kanë bërë një kërkesë në ministri për të nxjerrë vendim për hapje të sezonit. “Kemi bërë një kërkesë të ligjshme, pasi që vitin e kaluar në janar është marrë vendimi për ndërprerjen e aktivitetit të gjuetisë në tërë territorin e Kosovës. Kështu që hapja e sezonit të gjuetisë, ne besojmë, sipas ligjeve dhe udhëzimeve që ne i posedojmë, nuk mund të ketë hapje të sezonit të gjuetisë derisa të merret vendimi nga Ministria për hapje të sezonit, sepse nuk mund të anashkalohet një vendim i kaluar”, ka thënë Hiseni.
Por ka treguar se deri më tani nuk kanë marrë një përgjigje nga ana e Ministrisë së Bujqësisë.
Ai ka ngritur edhe shqetësimin se disa shoqata që menaxhojnë me vendgjueti të caktuara kanë hapur sezonin pa vendim të Ministrisë.
Një gjë e tillë është bërë në Kamenicë, Malishevë e Suharekë. Për këtë ka thënë se kanë njoftuar Ministrinë. “I kemi njoftuar edhe për rastet ku shoqatat që nuk janë anëtare të Federatës po e hapin sezonin e gjuetisë edhe pa vendim të Ministrisë, duke u bazuar vetëm në Udhëzimin administrativ për hapje të sezonit të gjuetisë, kështu që për neve është e papranueshme. Ministri ka mbetur që ta shqyrtojë atë me Zyrën ligjore, për të parë sa kanë të drejtë ata të hapin sezonin kundër një vendimi të ministrit”, ka theksuar Hiseni.
Ai ka thënë se presin që Inspektorati i Gjuetisë të marrë masa ndaj tyre. “Me këtë punë duhet të merret Drejtoria e Inspektoratit të Gjuetisë, që është në kuadër të Ministrisë, mirëpo ata nuk kanë ndërmarrë asnjë masë rreth këtij fenomeni që është përhapur, edhe vetëm se po vjen duke u rritur. Besojmë që do të ndërmarrin masa ndaj tyre, sepse gjuetia nuk mund të zhvillohet në mënyrën kush çka do të bëjë nëpër vendgjueti”, është shprehur Hiseni.
Ndërsa drejtori i kompanisë “Arborgrup”, që menaxhon vendgjuetinë në Kamenicë, Granit Berisha, ka thënë se vendimet e Ministrisë, për hapje dhe mbyllje të sezonit, janë shpallur të paligjshme nga gjykata.
“Vendimi i Ministrisë për hapje dhe mbyllje të sezonit të gjuetisë ka qenë në kundërshtim me Ligjin e Gjuetisë, e sidomos me Udhëzimin administrativ për sezonin e gjuetisë, prandaj i njëjti është konsideruar nga gjykata si i jashtëligjshëm”, është shprehur Berisha.
Sipas tij, çështja e vendimit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për hapje dhe mbyllje të sezonit të gjuetisë, ka qenë subjekt trajtimi nga Gjykata për Çështje Administrative, pas padisë së ushtruar nga kompania e tyre kundër Ministrisë së Bujqësisë. “Padi e cila është aprovuar dhe vendimi i gjykatës e ka vlerësuar vendimin e Ministrisë për hapje dhe mbyllje te sezonit si të jashtëligjshëm”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, vendimi i Ministrisë për hapje dhe mbyllje te sezonit të gjuetisë ka qenë në kundërshtim me Ligjin e Gjuetisë dhe Udhëzimin administrativ për sezonin e gjuetisë.
Ai ka thënë se cilat kafshë të egra lejohet të gjahtohen gjatë sezonit të gjahut është e përcaktuar në këtë udhëzim, i cili është nxjerrë në vitin 2007. Gjithashtu ka theksuar se ata çdo vit bëjnë evidentimin e kafshëve të egra në vendgjuetinë e tyre, siç ka thënë, në mënyrë që të mbajnë ekuilibrin ekologjik.
Ai ka thënë se vendgjuetia e tyre ka filluar aktivitetet e gjuetisë, sepse i ka plotësuar të gjitha parakushtet për zhvillim të aktiviteteve.
Megjithëkëtë, ai ka pranuar se Ministria bazuar në Udhëzimin për sezonin e gjuetisë mund të nxjerrë vendim për hapje/mbyllje të sezonit të gjuetisë, për vendgjuetitë e dhëna në shfrytëzim vetëm në rast të katastrofave natyrore apo zvogëlim enorm te specieve te caktuara.
Pikërisht zvogëlimi i numrit të kafshëve të egra ka qenë arsyetimi i mbylljes së sezonit të gjuetisë vitin e kaluar. “Mbyllja e sezonit të gjuetisë është bërë me kërkesën e Departamentit të Pylltarisë në MBPZhR, i cili ka vlerësuar se ka zvogëlim të kafshëve të egra, krejt kjo si pasojë e gjuetisë ilegale, degradimit të habitateve natyrore, e sidomos pyjeve, kushteve të pavolitshme klimatike dhe për shkak të menaxhimit joefikas të faunës së egër”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë, të shkurtit të këtij viti.
Sipas Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, si pasojë e faktorëve të ndryshëm, rreth 26 mijë e 500 specie të gjalla në gjithë botën janë duke shkuar drejt zhdukjes.