Arbëri

“Gjuetia” e Speciales ndaj frikësuesve të dëshmitarëve

Bastisjet në pronat e këshilltarëve të Hashim Thaçit, një aktakuzë për pengim të administrimit të drejtësisë, vulosja e dënimit për Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn, vendimi i Apelit për Salih Mustafën, e dëgjimi i shumë dëshmitarëve, është bilanci vjetor i Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe Dhomave të Specializuara për vitin 2023. Frikësimi i dëshmitarëve të mbrojtur, shpalosja e kundërligjshme e informacioneve, përfshirë edhe dyshimet se ka rrjedhje të informatave nga të paraburgosurit në Hagë, kanë justifikuar edhe më shumë vendosjen e Speciales në Hagë

Shtëpitë e ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit, tani i akuzuar në Speciale, u kontrolluan për orë të tëra nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me asistim të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe Policisë së Kosovës me dyshimin se kanë penguar administrimin e drejtësisë. Ky dyshim dhe të tjera që lidhen me frikësimin e korruptimin e dëshmitarëve e kanë karakterizuar një pjesë të aktivitetit të prokurorit të specializuar dhe të vetë Gjykatës gjatë vitit 2023. E ka bërë po ashtu më bindës arsyen se pse selia e Speciales është transferuar jashtë Kosovës.

Artan Qerkini, avokat i akredituar nga Specialja, ka përfaqësuar të drejtat e ish-këshilltarëve të Thaçit, përkatësisht Adil Behramajt, Artan Behramit, Bashkim Smakajt, Ismail Sylës dhe Blerim Shalës. Ai thotë se bastisja në pronat e tyre është procedura standarde e veprimit të Dhomave të Specializuara.

“Vlen të theksohet se edhe hetuesit në momentin kur i realizojnë bastisjet e kanë për obligim që të gjitha gjësendet të cilat i heqin si pasojë e bastisjes t’i kthejnë në vendin e tyre përveç rasteve kur vetë personi që bastiset ka interes që ajo sa më shpejt të përfundojë dhe deklaron shprehimisht se ai nuk është i interesuar sendet t’i kthehen në vendet ku kanë qenë dhe kjo natyrisht merr kohë. Natyrisht për rezultatet e bastisjeve, nuk dimë asgjë, ata kanë konfiskuar pajisje elektronike kryesisht dhe ne nuk e dimë se çfarë kanë gjetur apo a kanë gjetur diçka në ato në ato gjësende të sekuestruara si pasojë e bastisjes”, thotë Qerkini.

Dyshimi i prokurorisë, sipas avokatit Qerkini, është te veprat penale kundër administrimit të drejtësisë. Gjykata Speciale u vendos në Hagë me idenë e ofrimit të mbrojtjes për dëshmitarët të prokurorisë që do t’i shpalosnin akuzat e tyre kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në juridiksionin e saj hyjnë edhe veprat penale kundër administrimit të drejtësisë që në zhargon quhen frikësim i dëshmitarëve.

Drejtuesit e OVL të UÇK-së u liruan me kusht

Gjykata Speciale në të gjitha shkallët e saj e ka vulosur vendimin për dënimin me burgim të drejtuesve të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt. Trupi gjykues i Apelit, i kryesuar nga gjyqtarja Michele Picard më 2 shkurt 2023, i dënoi ata me katër vjet e tre muaj burgim, duke ulur kështu dënimin e caktuar nga shkalla e parë e Speciales për tre muaj. Gucati dhe Haradinaj u dënuan për frikësim gjatë procedurës penale, shkelje të fshehtësisë së procedurës nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të informacionit të fshehtë të nxjerrë në procedura zyrtare, si dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, nëpërmjet zbulimit të paautorizuar të identiteteve dhe të dhënave personale të dëshmitarëve të mbrojtur. Dënimi i tyre u konfirmua edhe nga Supremja e Speciales këtë vit, pasi u konstatua se ata kanë shpalosur emrat e dëshmitarëve te gazetarët në konferenca për media më 7 dhe 25 shtator 2020 në zyrën e OVL të UÇK në qendër të Prishtinës.

Hysni Gucati u lirua me kusht më 12 tetor 2023 me vendim të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova. Në vendimin e saj Trendafilova konstatoi se Gucati mbajti dy të tretat e dënimit, dhe ai “shprehu njëfarë pendese dhe keqardhjeje për veprimet e veta”. Sipas Trendafilovës ai deshi t’i qëndrojë afër nënës së tij që është në gjendje të keqe shëndetësore. Kusht për lirimin e tij ishte edhe që pasaporta e tij të jetë tani e konfiskuar nga Gjykata, të paraqitet një herë në javë në stacion policor, të mos flasë për media pa lejen e Administratës së Speciales dhe të marrë leje nga kjo administratë për çfarëdo lëvizjeje jashtë vendit.

Për Nasim Haradinajn, Trendafilova nuk mori vendim të tillë deri më 12 dhjetor, duke u bazuar në raportet për shkelje disiplinore nga administrata e burgut. Por edhe Haradinaj u lirua me kusht dhe u kthye në Kosovë dy ditë pas vendimit, më 14 dhjetor. Arsyet e lirimit me kusht ishin të ngjashme si ato për Gucatin, përfshirë gjendjen e keqe shëndetësore të familjarëve.

Arrestime e aktakuzë e re

Një ditë pas ngritjes së aktakuzës, më 5 tetor, ZPS-ja arrestoi ish-pjesëtarët e UÇK-së, Sabit Januzin dhe Ismet Batjarin me dyshimet për pengim të administrimit të drejtësisë. Januzi e Bahtjari, ish-pjesëtarë të UÇK-së të cilët nuk njiheshin në publik deri në arrestimin e tyre, akuzohen për veprat penale “pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare” dhe “frikësim gjatë procedurës penale”. Prokuroria pretendon se ndërmjet 5 dhe 12 prillit 2023, Januzi e Bahtjari në bashkëkryerje me ish-deputetin Haxhi Shala e kanë nxitur dëshmitarin e mbrojtur “1” (nuk identifikohet nga cili rast), “që të mos jepte deklaratë, ose të jepte deklaratë të rreme, ose ndryshe, të mos i jepte informacion të vërtetë”.

Në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 nëntor, Januzi dhe Bahtjari u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat. Përveç tyre, nën dyshimin për pengim të administrimit të drejtësisë janë arrestuar edhe Isni Kilaj, ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Malishevës dhe ish-deputeti Haxhi Shala.

Kilaj është në paraburgim në Hagë që nga 3 nëntori, në pritje të një vendimi tjetër qoftë për lirim apo gjykim të mëtejshëm në akuza të prokurorisë. Ndërsa ndaj ish-deputetit Haxhi Shala u ngrit aktakuzë më 4 dhjetor.

Shala, i njohur ndryshe si komandant “Topi”, u mbajt në ndërtesën e EULEX-it në Prishtinë më 11 dhjetor, ndërsa të nesërmen kur u bë publike edhe aktakuza, Specialja e çoi në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara. Në versionin publik të aktakuzës ndaj Januzit dhe Bahtjarit, Shala identifikohej “bashkëkryerësi 1”. Aktakuza ndaj Januzit e Bahtjarit, si dhe ajo ndaj Shalës janë thuajse identike, mirëpo në aktakuzën e ZPS-së ndaj Haxhi Shalës atij i atribuohet drejtimi i Januzit dhe Bahtjarit.

Meqë akuzohet edhe si koordinator në frikësim të dëshmitarit 1, gjykata ka vendosur të bashkohet në procedura për Haxhi Shalën, Januzin e Bahtjarin, që nënkupton gjykim në një rast të përbashkët, në janar 2024. Nëse llogariten të gjitha rastet e Speciales, duke përfshirë edhe atë të Kilajt (i paraburgosur dhe me status të të dyshuarit) e atë të Shalës si rast më vete, rezulton se gjykata i ka katër raste për pengim të administrimit të drejtësisë dhe tri raste të tjera për krime lufte ose krime kundër njerëzimit.

Të burgosurit dyshohet se dekonspiruan dëshmitarët

Aktualisht në Speciale është në proces rasti kundër drejtuesve të UÇK-së, ku ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të LVV-së, Rexhep Selimi, që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, si dhe dy raste për krime luftë ai kundër Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës. Përveç bastisjeve te pesë ish-këshilltarë të Thaçit, konfiskime pajisjesh elektronike kanë ndodhur edhe te vëllai i Salih Mustafës (Arben Mustafa), te familja e Fadil Fazliut, familjar i ish-bashkëluftëtarëve të Salih Mustafës, si dhe ish-bashkëluftëtarit të Mustafës, Behar Berisha. Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Taulant Hodaj, thotë se përqendrimi kryesor i ZPS-së aktualisht është te veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.

“Juridiksioni parësor i gjykatës janë krimet e luftës, ndërsa juridiksion sekondar që është shtesë për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe tani kemi më shumë raste për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë sesa për krime të luftës, por mendoj që Prokuroria dhe gjykata do ta japin mesazhin me këto raste që i kanë hapur se ne po monitorojmë gjithçka dhe mos tentoni të ndikoni në dëshmitarë, sepse ne nuk hezitojmë të merremi me çdokënd që mund të bjerë ndesh me një ligj ku hyjnë veprat penale kundër administrimit të drejtësisë”, thotë Hodaj.

Megjithatë proporcioni nuk është i pazakontë për gjykatat ndërkombëtare. Stephanie Van Der Berg, gazetare që mbulon drejtësinë ndërkombëtare në Hagë, thotë se te Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) baraspesha e rasteve për krime lufte e krime kundër njerëzimit me ato për pengim të administrimit të drejtësisë është e ngjashme.

“Nuk befasohem që gjykata po fokusohet te kjo dhe që po përpiqen që merren me këtë, por s’është e rrallë, nëse e sheh Gjykatën Ndërkombëtare Penale e kanë përpjesëtimin e njëjtë. Edhe atje më duhet ta them që shumica e dënimeve për krime kundër administrimit të drejtësisë nga një rast i bosit kongolez të luftës Bemba, Jean Pierre-Bemba. Ai dhe katër avokatët e tij u përpoqën t’i ndikonin dëshmitarët të thoshin gjëra në favor të tij. Të gjithë u dënuan dhe pjesa tjetër, asaj se sa ka pasur dënime, është mjaft e ulët. Pra ke baraspeshë mes pesë dënimeve për krime kundër njerëzimit e krime lufte dhe pesë kundër administrimit të drejtësisë dhe e shohim që gjykatat më të vërtetë po fokusohen në këto. Nëse shkon pak më mbrapa te Tribunali Ndërkombëtar Penal për Jugosllavi kishte një numër të rasteve për administrim të drejtësisë, por jo aq shumë që u dënuan në fund. Ishte shumë në disproporcion, kishte numër të vogël të këtyre rasteve”, thotë Van Der Berg.

Më 17 nëntor ZPS-ja ka bërë kërkesë për kufizim të komunikimit me jashtë burgut për Thaçin, Selimin dhe Veselin duke u bazuar në përgjime, ku pretendon se tre të paraburgosurit kanë shkelur kushtet e paraburgimit – duke përçuar mesazhe përmes vizitorëve të tyre te njerëzit e tjerë që u çonin mesazhe dëshmitarëve të mbrojtur për të ndikuar në dëshmitë e tyre në gjykim. E më 1 dhjetor, trupi gjykues i kryesuar prej Charles Smith vendosi që të aprovojë kufizime madhore, përfshirë përgjimin e vazhdueshëm të bisedave (me zë, videobisedat e nga vizitat) të treshes, përveç bisedave me avokatët dhe vizitave konsullore, kufizimin e numrit të vizitave fizike në pesë në muaj. Me këtë vendim gjuha e koduar dhe psherëtimat u ndalohen si Thaçit, Selimit e Veselit, ashtu edhe vizitorëve të tyre. Në Zyrën e Prokurorit të Specializuar nuk kanë treguar lidhur me atë se kur pritet të ngrenë aktakuzë kundër Thaçit, Selimit, Veselit dhe Kilajt për pengim të administrimit të drejtësisë e as nuk u janë përgjigjur komenteve se po merren më shumë me veprat kundër administrimit të drejtësisë sesa me ato të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.

Vendimi për Mustafën dhe gjykimi i madh

Apeli i Speciales e uli dënimin e Themelores ndaj Salih Mustafës nga 26 vjet burgim për krime lufte në fshatin Zllash të Prishtinës në 22 vjet burgim. Mustafa u dënua për ndalim arbitrar, torturë dhe një vrasje të paligjshme në kompleksin e ndalimit në Zllash. Mbrojtja e Mustafës ka paralajmëruar ankesë në Supremen e Speciales.
Në Dhomat e Specializuara është në përfundim edhe gjykimi i Pjetër Shalës, që pritet të përfundojë në shkallën e parë brenda katërmujorit të parë të 2024-tës.

Ndërkohë, ndryshe është situata në rastin e madh të Speciales, ku Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. As gjykata nuk e di se kur do të përfundojë ky gjykim. Prokuroria e projekton përfundimin e dëshmitarëve të saj deri më 1 prill 2025 – e tek atëherë pritet të fillojë dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtjes.

Gjykimet për krime lufte janë shpesh të gjata. Stephanie Van Der Berg, gazetare që mbulon gjykatat ndërkombëtare për krime lufte që nga viti 2001, thotë se dinamika e këtij gjykimi bën pjesë te mesatarja e rasteve të tjera.

“Rastet e mëdha marrin shumë kohë në drejtësinë ndërkombëtare, 5 e 6 vjet (me seanca) ndodh rrallë. I shikova edhe raste e tjera: rasti (Radovan) Karaxhiq nga nisja e gjykimit deri në aktgjykimin e parë i mori 7 vjet. Gjyqi ndaj një tjetër kreu të shtetit, Charles Taylorit të Liberisë, zgjati pesë vjet, pra është brenda njëfarë gjatësie mesatare, por këto raste zgjasin shumë dhe të mos ju trembë, por e shikova edhe rastin më të gjatë që e kam mbuluar, ishte rasti (Jovica) Stanishiq e (Franko) Simatoviq në TPNJ (Tribunalin e Hagës për Jugosllavi), që faktikisht u arrestuan më 2003-n dhe këtë verë u shpall aktgjykimi i fundit për ta. Pra mori më shumë se 20 vjet nga arrestimi në verdiktin final”, thotë Van Der Berg.

Që nga prilli në dhjetor 2023 në rastin e madh janë paraqitur 39 dëshmitarë. Prokuroria i ka në plan rreth 300.
 


A është i pranishëm frikësimi i dëshmitarëve në rastet që trajtohen në Kosovë?

Përmes kërkimit të aktgjykimeve në faqen e Këshillit Gjyqësor mund të gjendet një numër i vogël i aktgjykimeve sa u përket krimeve kundër administrimit të drejtësisë. Nga pesë aktgjykimet për veprën penale “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare” katër ndërlidhen me dëshmitë penale të viktimave apo dëshmitarëve. Ndërkaq lidhur me veprën penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” në faqen e KGJK-së gjenden pesë aktgjykime, tri prej të cilave dënuese e dy liruese. Edhe më pak, vetëm një aktgjykim në këtë regjistër gjendet për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së procedurës”.

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se dispozitat e Kodit Penal që lidhen me krimet kundër administrimit të drejtësisë duken më shumë si pjesë dekorative dhe që rrallë shfrytëzohet nga prokurorët.

“Me vetë faktin që ne sot s’kemi raste, nuk i identifikojmë gjatë monitorimit, në njëfarë mënyre te tregon që këto raste në praktikë nuk ndodhin fare. E nëse e marrim për bazë Gjykatën Speciale, edhe pse është rast specifik, dhe e shohim sa veprimet i ka ndërmarrë prokuroria vetëm në dy-tre vjetët e fundit, atëherë të lë të kuptosh që këto ndodhin edhe në Kosovë, sikurse që ndodhin edhe në shtetet e tjera. Por kur kemi një prokurori e cila nuk është aktive, atëherë ka mundësi që këto raste ndodhin në praktikë, por që nuk hetohen dhe nuk ndiqen penalisht”, thotë Miftaraj.