Një qytetare e Pejës thotë se telefonoi në Polici për të denoncuar një rast të hedhjes së mbeturinave në kanal të ujit, porse u gjobit me 200 euro me pretekstin se bëri fyerje ndaj zyrtarit policor. Ajo thotë se raportimi i saj nuk u trajtua me seriozitet e as nuk u regjistrua si denoncim. Për këtë ka adresuar ankesë në Inspektoratin Policor. Në këtë institucion bënë të ditur se janë në fazën fillestare të hetimeve
Beatriçe Lajçi ka përfunduar e gjobitur me 200 euro, pas një denoncimi që bëri të hënën në Stacionin Policor në Pejë.
Ajo tregon se pasi e pa një qytetar duke hedhur mbeturina në kanal, e frustruar thirri për ta raportuar rastin në Polici.
Sipas Lajçit, denoncimi nuk u mor për bazë dhe nuk u trajtua me seriozitet, pasi polici me inicialet S.K. që ishte kujdestar pasditen e 26 qershorit ia mbylli telefonin e pastaj në stacion edhe i shqiptoi gjobë.
Ajo ka treguar bisedën e zhvilluar me policin, brenda stacionit.
“‘Ti me më thanë mua? Ti me më fyer mua? A e din që ti ke fyer person zyrtar?’. I thashë, ‘o zotni, prapë të njëjtën pyetje po ta bëj: Ti në vend se me u marrë me rastin për çka të thirra, ti merresh me atë që unë të kam thënë. A je ti normal? Pse po ma kërkon emrin? E drejtë e imja është me qenë anonim dhe ti nuk ke të drejtë me insistu për emër’. ‘Aaa – tha – tash këtu ne flasim. Ti ke me marrë, edhe prokuroi dënimin. Ti mua me më fy!”, ka treguar Lajçi komunikimin me policin.
Ajo thotë të ketë bërë ankesë edhe në Inspektoratin Policor (IPK).
E, në këtë institucion thanë se ndodhen në fazën fillestare të hetimeve mbi këtë rast.
“IPK-ja është duke trajtuar këtë rast dhe se ankesa është pranuar këtë javë në Inspektoratin Policor. Rasti është në fazën fillestare të hetimit, kurse veprimet e tjera do të ndërmerren konform autorizimeve ligjore të IPK-së”, kanë thënë në Inspektoratin Policor.
Në Stacionin policor rajonal në Pejë thonë se qytetarja është gjobitur për shkak të sulmit verbal ndaj zyrtarit policor, mirëpo mohuan të mos e kenë regjistruar denoncimin.
“Ankuesja e rastit me veprimet e saja ka kryer kundërvajtjen e sanksionuar me Ligji për Rendin dhe Qetësinë Publike, gjegjësisht 03/L-142, neni 5, paragrafi 3. Lidhur me këtë kundërvajtje së njëjtës i është shqiptuar edhe gjoba për kundërvajtje”, kanë thënë në Polici.
Përmbytjet e fundit në lagjen “Asllan Çeshme” në Pejë, që ua morën jetën dy personave, nxorën në sipërfaqe edhe mbeturina të shumta që ende ndodhen skajeve të rrugëve e kanaleve të lagjes.
Sherif Qosja, banor i kësaj lagjeje, tha se nuk mban mend kur janë pastruar këto kanale.
“E kam shtëpinë këtu. Nuk e mbaj mend që është pastruar ndonjëherë, nuk e di që është pastruar. As nuk ka ardhur askush me pastru. Kjo është një gjendje tragjike për të gjithë ne në këtë komunitet këtu afër meje”, ka thënë Qosja.
Në Komunën e Pejës nuk treguan për numrin e gjobave që kanë shqiptuar ndaj qytetarëve që hedhin mbeturina dhe ndotin ambientin.
Zëdhënësi Faik Zekaj ka thënë se trajtojnë me seriozitet rastet të cilat mund t’i identifikojnë.
“Ne kemi një ekip që pastron Qokolicën dhe kanalet e hapura çdo ditë. Në fakt ata lëvizin çdo ditë dhe aty ku e shohin, pjesën kryesore e pastrojnë... këtë sedimentuesit që janë të vendosur për ndaljen e mbeturinave, me pa çka gjendet aty është shumë shqetësuese. Sepse ato prej dikujt janë hedhur. Dikujt i pengon, por ky. Është një vetëdijesim që ndoshta nuk kërkon vetëm gjobë”, ka thënë Zekaj.
Rreth një javë pas vërshimeve, qytetarët e Pejës vazhdojnë të përballen me pasojat që mbetën mbrapa.