Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se s'do të ketë tolerim për qytetarët apo kompanitë që ndotin ose i dëmtojnë hapësirat publike, duke njoftuar se secili veprim do të ndëshkohet me gjoba të rënda.
Ai ka shkruar në Facebook të dielën se një kompani në fshatin Keqekollë është kapur duke hedhur mbeturina inerte në rrugën Prishtinë-Prapashticë. Rama bëri me dije se ky veprim është dënuar me gjobë, e kompania është detyruar ta pastrojë hapësirën.
Gjobë shtesë është vënë edhe për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës.
“Në fshatin Keqekollë, një kompani është kapur duke hedhur mbeturina inerte përgjatë rrugës magjistrale Prishtinë-Prapashticë. Kjo sjellje e papranueshme është ndëshkuar menjëherë me gjobë, dhe kompania është e detyruar që brenda afateve ligjore të pastrojë hapësirën dhe ta rikthejë në gjendjen e mëparshme. Gjithashtu, për pengimin e personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës është vendosur gjobë shtesë”, ka thënë Rama.