Me para të buxhetit të shtetit që i janë dhënë partisë së Duda Baljes, një personi i janë paguar studimet master e një tjetri faturat për shërbime shëndetësore. Për këtë keqpërdorim KQZ-ja ka gjobitur Baljen e edhe subjektin politik që ajo e drejton. Krahas saj, gjobë i është dhënë edhe Etem Arifit, i dënuar për korrupsion. Partia e tij nuk ka lejuar qasje në faturat që dëshmojnë shpenzimet
Janë dy kryetarë partish që muajin e shkuar janë gjobitur personalisht nga një trupë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pasi me dijeninë e tyre ose është keqpërdorur një pjesë e mjeteve të përfituara nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike, ose janë fshehur dokumentet që dëshmojnë shpenzimet. Të dy i takojnë komuniteteve pakicë.
Duda Baljes i është shqiptuar gjobë në vlerë 1 mijë euro. Ndëshkimi financiar i është dhënë në cilësinë e kryetares së partisë që udhëheq – Bashkimi Socialdemokrat.
Sipas vendimit të Zyrës për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP), me paratë e dedikuara për partinë, i është paguar shkollimi një anëtari të kryesisë, kurse një tjetri fatura në një spital privat.
“Subjekti politik në fjalë ka shpenzuar një shumë prej dymijë e tridhjetë (2030) euro, të cilat janë në kundërshtim me nenin 8 të LFSP (Ligjit për financimin e subjekteve politike). Shuma prej dymijë e tridhjetë (2030) euro është ndarë në dy pagesa, njëra në vlerë njëmijë e tetëqind e pesëdhjetë (1850) euro, që është pagesë për kolegjin ISPE për studime master të anëtarit të kryesisë së Socialdemokratska Unija, Almir Veliji, dhe pjesa tjetër për Olive Medical në shumë prej njëqind e tetëdhjetë (180) euro”, thuhet në vendimin e ZRCKFSP-së së KQZ-së.
Krahas Baljes, për këto pagesa është gjobitur me 4 mijë euro edhe subjekti politik që ajo udhëheq.
Partia është gjobitur edhe me 4 mijë euro të tjera shkaku që nuk i ka mbështetur me fatura të gjitha shpenzimet. Sipas vendimit, dëshmitë kanë munguar për 13 transaksione bankare.
Nga kryetarët e partive, është gjobitur edhe Etem Arifi që drejton Partinë e Ashkalinjve për Integrim. KQZ-ja e ka obliguar atë t’i paguajë 1000 euro, meqë subjekti politik që e drejton nuk u ka lejuar auditorëve qasje në faturat që arsyetojnë shpenzimet.
Arifit i është marrë mandati në legjislaturën e shkuar, meqë Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se ai nuk kishte të drejtë konkurrimi për deputet, meqë ishte i dënuar me një vit e tre muaj për vepër korrupsioni.
Përpos Arifit, KQZ-ja i ka shqiptuar gjobë edhe partisë që ai drejton.
“Mosbashkëpunimi i ngushtë me auditorët e përzgjedhur nga zyra dhe dështimi për t’u ofruar atyre qasje të plotë dhe të papenguar në shënimet financiare të subjektit, duke përfshirë të gjitha shënimet pa kufizime, paraqet shkelje të nenit 19 të LFSP (Ligjit për financimin e subjekteve politike) dhe si rezultat kjo shkelje gjobitet”, thuhet në vendimin tjetër të ZRCKFSP-së së KQZ-së.
Të dyja subjektet politike janë obliguar që t’i bëjnë pagesat e gjobave brenda 30 ditësh. Nëse s’i kryejnë, janë paralajmëruar se mjetet do t’u ndalen nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike.
E gjobat e shqiptuara ndaj personave përgjegjës të partive individualisht dhe jo nga mjetet financiare të subjektit. Nëse Duda Balje e Etem Arifi nuk i paguajnë brenda 30 ditësh, janë paralajmëruar se gjobat do të ekzekutohen në mënyrë të detyrueshme nga përmbaruesi privat.