Arbëri

Gjobë prej 20 eurosh për mësimdhënësit që shkelin vendimin për telefona

46 mësimdhënës të Komunës së Podujevës kanë marrë nga 20 euro më pak në pagat e muajit shkurt, si dënim për përdorimin e telefonave gjatë procesit mësimor. Këto masa kanë filluar të zbatohen nga 1 shkurti i këtij viti, kur ka hyrë në fuqi një vendim i kryetarit të Komunës, Shpejtim Bulliqi. Mësimdhënësit nuk janë deklaruar rreth këtij vendimi, e drejtorë shkollash e zyrtarët e Arsimit në Podujevë, e kanë mirëpritur vendimin

Mëditje në shumën prej 20 eurove u janë hequr nga paga 46 mësimdhënësve në shkollat e Podujevës, të cilët e kanë shpërfillur vendimin e kryetarit të Komunës për mospërdorimin e telefonave gjatë procesit mësimor. Ky vendim që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt të këtij viti, derivon nga Udhëzuesi i Ministrisë së Arsimit nr.20/2018 për ndalimin e telefonave celularë në institucionet arsimore parauniversitare. Dokumenti ndalon përdorimin e telefonave celularë në ambientet e institucioneve edukativo-arsimore nga nxënësit, mësimdhënësit, stafi profesional dhe punëtorët e tjerë.

Drejtori për Arsim, Avni Fetahu, është shprehur i vendosur në zbatimin e Udhëzuesit të MASHTI-t dhe vendimit të kryetarit Bulliqi.

“Vendimi i kryetarit të Komunës, Shpejtim Bulliqi, është marrë duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ për mospërdorimin e telefonave për mësimdhënës dhe mosposedimin e telefonave për nxënës. Ky vendim ka shkuar mirë. Ne fillimisht kemi pasur një periudhë kohore njëjavore paralajmëruese ku në koordinim më kryetarin e Këshillit të Prindërve, por edhe me kryetarët e këshillit të prindërve të shkollave, kanë komunikuar drejtorët. Pas afatit njoftues një javë ka filluar së zbatuari nga muaji shkurt, pra nga data 1 shkurt”, ka thënë Avni Fetahu.

Megjithatë, ai thotë se ka pasur mosrespektim të këtij vendimi nga ana e disa mësimdhënësve.

“Në vizitat që i kemi ba me zyrtarët komunalë të Arsimit, por edhe unë si drejtori i Arsimit, kemi marrë disa masa në ndalesë në pagë simbolike dhe uroj që këto të mos përsëriten dhe të mos vije situata deri te vendosja në komision disiplinor ku janë masa tjera që duhet të ndërmerren nga komisioni disiplinor. Përndryshe, një numër i madh i mësimdhënësve e kanë mirëpritur shumë këtë vendim, e kanë vërejtur se është shumë i rëndësishëm për procesin mësimor gjatë orës mësimore”, ka theksuar drejtori për Arsim në Podujevë. “Ne fillimisht në bazë të vizitave që i kemi bërë në të gjitha shkollat prej 40 objekteve mësimore që i kemi, 46 mësimdhënës janë gjobitur me një shumë simbolike që është 20 euro. Edhe te nxënësit në bazë të informatave që i kam është një numër prej 38 nxënësve që kanë tentuar t’i kenë telefonat me vete dhe janë identifikuar qoftë nga kujdestari, profesori ose drejtoria e shkollës dhe në bazë të procedurave u kanë dorëzuar prindërve dhe për fat të mirë nuk ka pasur tentim të dytë për të marrë telefonin në ato shkolla që na kanë paralajmëruar”.

Sipas Fetahut, ndalimi i telefonave ka ndikuar edhe në koncentrimin e vet nxënësve.

“Ne jemi shumë të vendosur që këtë vendim ta çojmë deri në fund dhe të jetë i zbatueshëm edhe në vitet në vijim”, ka thënë ai.

Shkolla fillore “Kadri Kadriu” në fshatin Llaushë është prej institucioneve arsimore me më së shumti mësimdhënës që janë gjobitur, shtatë gjithsej. Mësimdhënësit nuk kanë pranuar të deklarohen.

Ndërkohë, drejtori i kësaj shkolle, Ismet Halimi, ka thënë se fillimi ka qenë më i vështirë për shkak të, siç ka thënë, mësimdhënësit mund të mos kenë qenë mjaftueshëm të informuar.

“Prej ditës prej kur jemi informuar, ne si shkollë menjëherë i kemi marrë masat e duhura dhe edhe si mësimdhënës, por edhe te nxënësit kemi bërë informatat e duhura dhe kemi filluar ta implementojmë. Mendoj se të gjithë e kanë pritur mirë, mendoj se të gjithë e kanë parë të arsyeshëm dhe e kanë çmuar si një vendim shumë të qëlluar”, ka theksuar Ismet Halimi.

Kur pyetet për moszbatimin e këtij vendimi nga disa mësimdhënës, ai e përmend mosinformimin që mund të ketë ndikuar.

“Realisht në fillim ndoshta edhe informimi edhe krejt këto kanë qenë jo të mjaftueshme për shkak se disa mësimdhënës ndoshta edhe nuk kanë mundur me kuptu drejt edhe vendimin e Ministrisë edhe vendimin e kryetarit të Komunës, i cili ka qenë i ekspozuar në tabelën e zyrës së arsimtarëve ose edhe si vendim i përgjithshëm nëpër e-mailat e mësimdhënësve. Mirëpo, tashmë mund të themi me plot kuptimin e fjalës se ky vendim është duke u zbatuar me përpikëri. Janë të informuar edhe përmes takimeve kështu konsultative, nëpër mbledhje, informata të tjera dhe çdonjëri mund të them se sot është i kënaqur me vendimin që po zbatohet për ndalimin e përdorimit të telefonave”, ka thënë Halimi. “Në një moment, zyrtarët e komunës, gjegjësisht zyrtarët e DKA-së kanë qenë në një inspektim dhe kanë hasur që në një ndërrim 4 mësimdhënës (dhe 3 në paralelen e kësaj shkolle v.j.) nuk i kanë pasur telefonat në sirtarët të cilët janë të dedikuar për t’i ruajtur telefonat dhe ata në fund të muajit janë ndëshkuar me nga 20 euro sipas rregullores në fuqi tyre. Kështu që nuk ka pas asnjë ankesë, të paktën te unë nuk ka ardhë asnjë ankesë, sepse e kanë kuptuar që çdo lëshim duhet të paguajnë”.

Ismet Halimi thotë se vendimi nuk nënkupton që mësimdhënësit nuk kanë mundësi në asnjë rast t’i përdorin telefonat.

“Kjo nuk do të thotë se mësimdhënësit nuk mund ta përdorin telefonin në sallën e arsimtarëve për nevojat të tyre familjare. Ata mund të komunikojnë gjatë pushimit dhe kur e kanë periudhën që të shkojnë në orë të mësimit, ata duhet të punojnë në procesin mësimor. Andaj edhe nuk kanë të drejtë, gjegjësisht edhe me vendimin e Komunës edhe të Ministrisë ta përdorin në orën e mësimit. Edhe është shumë e qartë se të gjithë e kanë mirëpritur këtë çështje”.

Edhe drejtori Fetahu thotë se në drejtoritë e çdo shkolle është telefoni ku prindërit mund të kontaktojnë dhe se, sipas tij, nëse mësimdhënësve u duhet telefoni për realizimin e ndonjë ore të caktuar mësimore, për këtë merret leja nga drejtoria e shkollës.

“Fillimisht shkollat e qytetit e kanë telefonin zyrtar, nëpër shkollat nëpër fshatra pikë kontakti është vetë drejtori edhe këtë e kanë paralajmëruar nëpër grupet e viber-it që i kanë te këshilli i prindërve dhe nuk do të thotë që nuk kanë mundësi kontaktimi. Janë disa raste specifike të çështjet te fëmijët me nevoja të veçanta, ku kanë lënë kontakt telefoni te zyrtarët e shkollave, qoftë sekretar ose zv.drejtor, ku është një telefon që nuk ka aplikacione, por është sa për të kontaktuar fëmija i tyre që ka nevoja të veçanta”, ka theksuar Avni Fetahu.

Sipas tij, ka raste kur mësimdhënësve u lejohet telefoni për çështje të zhvillimit të orëve.

“Sa i përket procesit mësimor ka pasur kërkesa prej disa mësimdhënësve të lëndëve muzikore ose për të prezantuar një program dhe me lejen e drejtorit të shkollës normal që e kanë përdor telefonin me qëllim edukativ për të interpretuar ndonjë pikë muzikore që e kanë pasur lëndën e muzikës, apo një aktivitet të lirë që e kanë pas me mësimdhënës. Pra qëllimi i mospërdorimit të telefonave nuk është për t’i penguar ata në realizimin e planprogramit të tyre”, ka thënë ai.