Arbëri

Gjithsej pesë gra përfitojnë nga kuota gjinore

Për ta përmbushur kuotën gjinore që e përcakton ligji, pesë kandidatë burra që janë votuar mjaftueshëm për deputetë, do të duhet t’ua lirojnë pozitat grave bashkëpartiake. Kandidatet e Lëvizjes Vetëvendosje janë të vetmet që do të hyjnë në Kuvend me forca vetjake. E nga kuota përfitojnë dy kandidate të PDK-së, dy të LDK-së dhe një e koalicionit AAK-Nisma

Janë 5 kandidatë burra që kanë marrë vota mjaftueshëm sa për ta fituar mandatin e deputetit, por qw do t’ua lirojnë vendet kandidateve gra që i përkasin së njëjtës parti, tregon rezultati preliminar i KQZ-së.

Sipas publikimit të votave të kandidatëve për deputetë, në 99.96 pwr qind të vendvotimeve, kuota gjinore prej 30 për qind nuk u përmbush.

Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja parti që e ka tejkaluar këtë prag me 21 gra deputete.

Në PDK, mandatet i kanë fituar me forca të veta 6 gra, e nga kuota do të përfitojnë dy kandidate për deputete.

Në LDK janë katër gra fituese dhe duhet të jenë 6 gjithsej, ndërkaq në AAK dhe Nisma nga tri gra sa duhet të jenë në Kuvend vetëm dy kanë fituar vota mjaftueshëm.

Kësisoj, bazuar në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, me rezultatet aktuale 5 gra do të hyjnë në Kuvend me kuotë gjinore.

“Në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku tridhjetë (30 %) për qind janë meshkuj dhe së paku tridhjetë (30 %) për qind janë femra; me nga një kandidat të secilës gjini përfshirë së paku njëherë në secilin grup prej tre kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë”, thotw Ligji pwr zgjedhjet.

Për të aplikuar kuotën gjinore, në PDK mandatet i rrezikojnë Arben Mustafa e Bekim Haxhiu, për t’u zëvendësuar nga bashkëpartiaket, Arbnore Salihu e Kosovare Murseli.

Në LDK, me rezultatet e deritanishme, kandidatët Sadri Berisha e Paris Guri, duhet të zëvendësohen nga koleget e tyre gra, Serbeze Muçaj e Arjeta Abazi.

Ndërkaq në koalicionin AAK-Nisma, kandidati i fundit, Vesel Krasniqi që i përket partisë së Fatmir  Limajt, duhet t’ia lëshojë vendin bashkëpartiakes, Xhevahire Izmaku.

Këta emra kandidatësh mund të ndryshojnë pas numërimit të votave me kusht, atyre të personave me nevoja të veçanta dhe të votave nga diaspora.