Arbëri

Gjithçka rreth vizitës së Vuçiqit në Kosovë

22:12 - Vuçiq: Kosova, nuk është e gjitha e jona dhe as e gjitha e tyre

“Për herë të parë, falë rritjes së buxhetit të Serbisë, mund t’i ndihmojmë popullit në Kosovë. Kjo është shumë e rëndësishme për forcimin e Serbisë, për forcimin e popullit serb”, ka thënë në Zveçan kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq gjatë takimit me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, përcjellin medie të Beogradit .

Në takim kanë qenë zyrtarë të Listës Serbe, deputetë serbë të Kuvendit të Kosovës dhe ministrat në Qeverinë e Kosovës Dalbor Jevtiq e Nenad Rikallo

Ai ka kërkuar falje për vonesën në takimi pasi, tha, “kishte pasur një bisedë të gjatë telefonike me kryetarin e Turqisë Erdogan”.

“Bisedimet janë shumë të vështira. Dhe unë nuk jam ai që mund t’iu jap ndonjë parashikim optimist. E parashikimi optimist është nëse arrijmë te zgjidhja që nuk do ta poshtëronte asnjërën palë dhe që të ruhej fytyra edhe e Beogradit e edhe e Prishtinës. Por jemi larg kësaj zgjidhjeje. Na mbete vetëm të luftojmë për interesat e popullit dhe të atdheut tonë, por edhe ta kuptojmë mirë se në ç’ pozitë gjendemi e të dimë se sa dramatikisht do të rrezikoheshim me prishjen e paqes e stabilitetit në këtë rajon”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka shtuar se ka “më së paku të atillë që kuptojnë se sa e komplikuar është Kosova dhe se në Kosovë as nuk është e gjitha e jona dhe as nuk është e gjitha e atyre”.

“Ne na duet të luftojmë për mbetjen e popullit tonë në Kosovë”, ka përfunduar ai.


21:30 - Nga Kosova Vuçiqi flet me telefon me Erdoganin

Fillimi i takimit i kryetarit të Serbisë me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës në Zveçan është shtyrë për pak kohë pasi që Aleksandar Vuçiqi kishte paralajmëruar se ka një bisedë telefonike me kryetarin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, njofton tanjug.

Më herët, transmeton Koha.net, Vuçiqi duke folur në Forumin e Bizneseve, kishte thënë se ka informacion se Erdogani dëshiron të flasë me të dhe se sapo ta ketë rastin do t’i paraqitet, sepse, siç tha, edhe Erdogani paraqitet menjëherë në çdo ftesë që ai ia bën.


18:35 - “Serbia do të investojë 13 milionë euro në Trepçë”

Gjatë qëndrimit në Leshak, Aleksandar Vuçiq ka bërë disa premtime për investime në këtë rajon të Kosovës, transmeton Koha.net.

“Dua t’ju them se ne do të bëjmë një konvikt këtu për Shkolla bujqësore, për 150 - 200 nxënës. Ne do të investojmë para të mëdha në Trepçë në Leposaviq, 13 milionë euro të tatimpaguesve të Serbisë”, citon FoNet të ketë thënë Vuçiq i cili ka shtuar se në Leposaviq do të ndërtohet fabrika e baterive që do të punësojë 300 veta.


18:18 - Vuçiq në Leshak: Nuk mund t’ua them atë që e dëshironi

Medie serbe njoftojnë se kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Leshakun e Kosovës e kanë pritur disa qindra - mijëra qytetarë para Shkollës Bujqësore në këtë lokalitet.

Ata bartnin flamuj të Serbisë dhe parullat “Vučić - Srbija – Kosovo i Metohija”.

“Nuk është hera e parë që jam në Leshak. Nuk kam ëndërruar që do të më presin kaq shumë njerëz”, tha Vuçiq, transmeton Koha.net.

“Kam ardhur t’ua them disa gjëra. Atë që ju dëshironi t’ua kumtoj, nuk mund t’ua them. Kam ardhur të flas me njerëz dhe kam parë se problemi më i madh është papunësia”, ka thënë ai.


17:46 - Vuçiqi me të birin në Leshak, dhuron traktor për një familje

Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq, në kuadër të vizitës së sotme në Kosovë, ka arritur në fshatin Postenje e Ibrit afër Leshakut, transmeton Koha.net.

Atje ai ka vizituar për pronën e familjes Kovaçeviq.

Para hudhrës së peshqve atë e kanë pritur nikoqirët Milutin dhe Ivan Kovaçeviq e fshatarë të cilët me flamuj serbë në duar i uruan mirëseardhje, përcjell tanjug.

Ai u ka thënë pronarëve të hudhrës se ua ka dhuruar një traktor të cilin, siç u tha, do ta marrin pas dy javësh.

Në këtë vizitë, pranë vetes Vuçiq kishte të birin Danilo.


17:22 - Vuçiqi tregon a ka folur me dikë nga SHBA-ja për vizitën në Ujman

Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë sot se lidhur me vizitën e vet në Ujman, të cilën paraprakisht e kishin ndaluar autoritetet e Kosovës, nuk ka pasur kontakt me askënd nga SHBA-ja, transmeton Koha.net.

“Më kanë dërguar mesazhe, por unë në mesazhe nuk përgjigjem, nuk i dua mesazhet”, citojnë medie serbe të ketë thënë ai në Ujman.


17:03 - Vuçiq, nga rivista ushtarake, drejt e në Kosovë

Kryetari i Serbisë Alekandar Vuçiq, i cili po qëndron për një vizitë në Kosovës me agjendën që vetë e hartoi, para se të vinte në veri të vendit tonë, ka marrë pjesë në manifestimin ushtarak me rastin e diplomimit të 102 eprorëve ushtarakë Akademisë Ushtarake dhe të Fakultetit Ushtarak të Mjekësisë në Beograd, transmeton Koha.net.

Vuçiq, siç njofton gazeta “danas”, para eprorëve ushtarakë e ka përmendur Kosovën.

“Fryma e Kosovës, e Karagjorgjit, e Milloshit, e Kumanovës, e Kajmakçalanit, sërish do të zgjohet”, ka thënë ai para eprorëve duke shtuar se “ju jeni trashëgimtarë të atyre që kanë shkuar dhe e kanë udhëhequr ushtrinë serbe pa pyetur se cila është forca e armikut”.

Duke folur për Kosovën, Vuçiq ka thënë se “për të po zhvillohet lufta për drejtësi”.


15:32 - Vuçiq banorëve të Zubin Potokut: Do të më doni më shumë se Millosheviqin

Në përfundim të fjalës së tij në digën e Ujmanit, kreu i Serbisë Aleksandar Vuçiq, u ka thënë banorëve të Zubin Potokut se do t a duan më shumë se Sllobodan Millosheviqin.

“Kemi dhënë disa milionë që Zubin Potoku të ketë ujë, andaj do të nisni të më doni më shumë se sa Millosheviqin”, ka thënë ai.


15:55 - Vuçiqi: Nuk e përula Thaçin, Kurti e përuli veten kur përmendi fëmijët tanë

Vuçiq ka folur edhe për Thaçin të cilit s’i shkoi në takim, e për Kurtin që tha se Thaçit i ka mbetur vetëm ta martojë djalin e tij me vajzën e Vuçiqit.

“Nuk e kam përulur Hashim Thaçin, nuk kam shkuar për ta përulur dikë. Ju mund të përulni veten kur silleni jo mirë ose jo në mënyrë të civilizuar me dikë. Atë e ka bërë dikush tjetër që i ka përmend vajzat dhe djemtë e dikujt tjetër, ai e ka përulur veten, jo ne”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se është mirë për të që të jetë dy herë në vit në Kosovë.

“Duhet ta ruajmë paqen pasi kjo gjendje do të vazhdojë gjatë, andaj duhet të shikojmë të ardhmen pasi kufijtë do të jenë më pak të rëndësishëm në Evropë”, ka thënë ai, përcjella koha.net. “Më e rënda është të pranoni se gjerat nuk janë të njëjta, e në Prishtinë duhet ta kuptojnë këtë”.


15:45 - Vuçiqi komenton deklaratat e Merkelit për kufijtë

Vuçiqi nga diga e Ujmanit ka komentuar edhe deklaratat e fuqishme të kancelares Angela Merkel, kundër idesë së shfaqur nga ai dhe Thaçi për korrigjim të kufirit.

“E di që ata që janë kundër meje gëzohen me deklaratat e saja, por nëse ajo thotë ne s’mund ta ndryshojmë atë çka thotë, kjo nuk do të thotë se nuk do të mund t’i ndihmojmë popullit tonë këtu. Jemi të vegjël andaj do të merremi me ekonominë dhe t’i ndihmojmë njerëzit tanë të jetojnë në këto vende”, ka thënë Vuçiq.

“Unë bëjë atë çka mundet realisht të bëhet, unë do të vazhdojë të gjejë më të mirën për popullin”, ka thënë më tej ai.

Vuçiq ka thënë se nuk ka përkrahjen e BE-së për marrëveshjet me Kosovën. “Nuk kemi mbështetjen e BE-së në marrëveshjet qe po bëhen në Bruksel, në fakt jemi larg marrëveshjeve. I kam thënë Mogehrinit, se a di që unë do të shkojë në Kosovë e Gazivodë, ajo më ka thënë se e di”.


15:35 Vuçiq: Gazivoda flet për betejat e rënda që i kemi me shqiptarët

Para se të niset për në Leshak, kreu i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka mbajtur një fajlim të shkurtër te diga e liqenit të Ujmanit.

Aty i është drejtuar gazetarëve dhe punëtorëve të hidrocentralit të Ujmanit.

“Nuk kam parë kaq shumë gazetarë në një vend. Punëtorët i falënderoj që kanë dal të më presin si dhe banorëve në hyrje që më kanë prit. Gazivoda ka fol për gjatësinë e saj. Gazovioda flet për betejat e rënda që i kemi me shqiptarët por shpresoj që do të merremi vesh për shfrytëzimin e ujit pasi që shumica e Kosovës e merr ujin nga këtu”, ka thënë Vuçiq.

“Do të jem në çdo pjesë të veriut do të jem në Skenderaj dhe sot flas se duhet të ruajmë paqen stabilitetin dhe t’i përmirësojmë raportet me shqiptarët”, ka thënë ai, përcjell gazetarja e KTV-së që nga veriu po përcjell vizitën e Vuçiqit. “Është koha që të flasim me shqiptarët me më shumë respekt dhe të shohim nëse mund t’i përmirësojmë raportet”, ka shtuar më tej ai.

Ndër të tjera, Vuçiqi ka thënë se fjalimin kryesor do ta ruaj për nesër kur të shkojë në Mitrovicën Veriore.

Image

15:20 KTV raporton se presidenti serb Aleksandar Vuçiq tani është duke bashkëbiseduar me punëtorët e hidrocentralit të Ujmanit, e më pas pritet t’iu drejtohet mediave.

Image

15:15 - Vuçiqin në veri e shoqëron edhe kreu i BIA-s

Presidenti i Serbisë, i cili ka nisur vizitën dyditore në veri të Kosovës, në ndalesën e parë në Zubin Potok, po shoqërohet nga kreu i BIA-s, Bratisllav Gashiq, si dhe nga ministri i Shëndetësisë, Zlatibor Lonçar.

Natyrisht nuk mungon as shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili qysh mbrëmë është raportuar të jetë në Kosovë.

Image

14:55 - “Jam i lumtur që jam këtu” – fjalët e para të Vuçiqit në Zubin Potok

“Jam i lumtur që jam këtu, ndihem i mrekullueshëm”.

Këto janë fjalët e para të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, në vizitën e tij dyditore në veri të Kosovës të cilën e ka nisur në Zubin Potok.

Siç raporton Tanjug, Vuçiqi u ndal për t’i thënë këto fjalë kur vizitoi Qendrën për Ekologji dhe Zhvillim të Sportit dhe Qendrën e Kryqit të Kuq në Zubin Potok.

“Këto janë objekte që janë ndërtuar nga paratë e qytetarëve të Serbisë dhe do të përdoren nga të rinjtë e këtij rajoni”, tha Vuçiq.


14:44 - KFOR-i s’shihet te Ujmani, Vuçiqi pritet me flamur gjigant

Një flamur gjigant i shtetit të Serbisë është vendosur për të nderuar të parin e këtij shteti, Aleksandar Vuçiq.

Flamuri është vendosur në digën e liqenit të Ujmanit, të cilën Vuçiq po e viziton pasi i është dhënë leja nga autoritetet në Kosovë, raporton gazetarja e KTV-së që po përcjell vizitën e Vuçiqit në veri.

Për ta pritur Vuçiqin aty kanë dalë punëtorët hidrocentralit të Ujmanit.

Qindra policë të Kosovës po kujdesen për sigurinë e presidentit serb, derisa nuk janë parë pjesëtarët e KFOR-it, të cilët deri vonë kanë ruajtur në këtë pjesë të territorit të Kosovës.

Image

14:37 Vuçiqi mbërrin në Kosovë

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq mbërriti sot rreth orës 14.15 përmes vendkalimit kufitar Brnjak në komunën e Zubin Potokut, e cila është pika e parë e vizitës së tij dyditore në Kosovë, sipas një programi që përfshin liqenin e Ujmanit.

Vuçiqi do të vizitojë Zubin Potokun dhe hidrocentralin në Ujman, ndërsa do të qëndrojë edhe në Leshak, Leposaviq dhe do të takohet me përfaqësuesit politikë të serbëve në Zveçan, në mbrëmje.


14:24 - Vuçiqi pritet të hyjë në Kosovë rreth orës 14:30

Një kilometër nga pika kufitare Bërnjakut në komunën e Zubin Potokut, policia po i ridrejton të gjitha automjetet në një drejtim tjetër.

Kështu që kalimi drejt vendkalimit kufitar është i pamundur, transmetojnë mediat serbe.

Zubin Potoku është pika e parë e vizitës së presidentit Aleksandar Vuçiq në Kosovë, ku pritet të vijë rreth orës 14.30.


13:40 - Çdo 500 metra policë të Kosovës në rrugën për tek Ujmani

Një numër i madh i Policisë së Kosovës shihet në Zubin Potok, rrugës që të çon në Ujman.

KTV raporton se zyrtarë policorë mund të shihen çdo 500 metra.

Image

Në një njoftim për media, Policia e Kosovës ka thënë se çdo herë kur njoftohet nga organet shtetërore të RKS-së, për vizita të personaliteteve ndërkombëtare që do ta vizitojnë Republikën e Kosovës, ndërmerr masa, harton plane për të ofruar siguri për qytetarët dhe për personalitetet në fjalë.

“Varësisht nga shkalla e rrezikshmërisë dhe niveli i personaliteteve ndryshojnë edhe masat e sigurisë që ndërmerr PK-ja, duke përfshirë edhe numrin e angazhimit të zyrtarëve policor. Edhe me këtë rast është hartuar plani për siguri komfor vizitës së lejuar, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe ofrimit të sigurisë së personaliteteve”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Image

13:12 Policia e Kosovës do të përcjellë eskortën e Vuçiqit, situata e qetë deri më tani

Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës për Mitrovicë, Besim Hoti, ka thënë se Policia e Kosovës do të përcjellë eskortën e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq gjatë vizitës së tij dy ditore në Kosovë.

Hoti për kosovapress ka thënë se deri më tani situata është e qetë në veri të Kosovës.

"Në terren tash gjithçka po kalon sipas planit dhe aktualisht nuk ka kurrfarë informacione operative lidhur me çfarëdo situata të paparashikuara ose trazira. Pres që gjithçka të kalojë sipas planit", tha Hoti.  

Vuçiqi pritet të arrijë brenda pak orësh në Kosovë.


12:40 - Sheshi në Mitrovicë gati për ta pritur Vuçiqin, që vjen “për të dhënë mesazhe të paqes”

Sheshi në veri të Mitrovicës është gati për ta pritur presidentin serb, Alksandar Vuçiq.

Siç raporton gazetarja e KTV-së që nga veriu po përcjell ngjarjet rreth vizitës së presidentit serb, sheshi është mbushur me flamuj të Serbisë dhe me posterë të Vuçiqit.

Me to po i dëshirohet mirëseardhje të parit të Serbisë. Vuçiq ka thënë se në vizitën e tij në veri të Kosovës do të përcjell mesazhe paqeje.

Vuçiqi do të vijë në Kosovë në orën 14:00 përmes pikës kufitare në Bernjak, ku nga aty do të vazhdojë në Zubin Potok. Siç merret vesh në orën 15:00 do të qëndrojë në Gazivodë; Në orën 15:40 në Leshak; Në orën 17:00 do të qëndrojë në Shkollën e Bujqësisë në Leshak; Në orën 17:45 do të qëndrojë në sallën e sporteve në Leposaviq ku do të mbajë një fjalim; Në orën 19:00 arrin në Zveçan ku do ta kalojë natën.

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, të dielën, Vuçiq, në ora 08:00 viziton Qendrën Shëndetësore në Mitrovicë; Në orën 08:30 do të qëndrojë sërish në Zveçan; Në orën 09:15 do të vizitojë fshatin Banjë; Në orën 11:15 do të qëndrojë sërish në Mitrovicë te sheshi Car Lazar, dhe në orën 13:00 do të largohet nga Kosova përmes pikës kufitare në Jarinje.