Arbëri

Gjinovci: Vuçiqin e vrasin nëse e zbaton Marrëveshjen me Kosovën

Rron Gjinovci - Konfront

Panelisti në “Konfront” të KTV-së, Rron Gjinovci, ka thënë se presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, e vrasin nëse e zbaton Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2023 me Kosovën.

Derisa ka folur për moszbatimin e disa pikave të kësaj marrëveshjeje nga ana e Serbisë, Gjinovci ka thënë se Serbia ka traditë të vrasjes së krerëve që i kanë devijuar nga rruga proruse. 

“Vuçiqin e vrasin nëse fillon t’i respektojë pikat e Marrëveshjes me Kosovën, sipas të gjitha gjasave Vuçiqi shumë mesazhe nuk i ka vetëm për ne, por edhe për brenda vendit të tij, ai po e luan rolin edhe brenda edhe jashtë njëjtë. Siç luan edhe me Perëndimin edhe me Rusinë si Serbi, edhe ai vetë është properëndimor e herë prorus në varësi të frikës. Mos të harrojmë që Serbia ka traditë të vrasjes së krerëve të shtetit që i kanë devijuar nga rruga proruse”, ka deklaruar ai. 

 


Gjinovci: Të gjitha manovrat për Asociacionin, të pranueshme, pos krijimi i tij

Panelisti në “Konfront”, Rron Gjinovci, ka deklaruar se të gjitha veprimet janë të pranueshme në rrugën drejt Asociacionit “pos krijimit të  tij”.

Ai ka deklaruar të enjten se nuk beson që kryeministri aktual, Albin Kurti, do ta nënshkruajë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Manovrat deri në evitimin përfundimtar të Asociacionit për mua janë të pranueshme në lojën politike. Vendimin do ta marrë qeveria e kryeministri. Për sa kohë është kështu, ndihem si qytetar që kam garanci që Asociacioni s'do të ndodhë”, ka theksuar Gjinovci.


Nushi: Kryetarët në veri nuk do të duhej të qëndronin deri në fund të mandatit

Sekretari organizativ i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi, ka thënë se kryetarët aktualë të komunave veriore nuk do të duhej të qëndronin deri në fund të mandatit. 

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Nushi ka thënë se nuk është sinjal i mirë që të tentohet udhëheqja me 2 për qind të votave.  

“Kryetarët në këto komuna nuk do të jenë të përhershëm, e as deri në fund të mandatit nuk do të duhej të ishin, pasi nuk është sinjal i mirë i yni, pavarësisht se çfarë bëjnë serbët. Nuk është sinjal i mirë të tentojmë të udhëheqim me 2% as këtu e as askund në botë”, ka thënë ai. 

Nushi ka shtuar se efekti që ka dhënë qëndrimi i kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi, brenda objektit të komunës, është vetëm amputimi i këmbëve të ushtarëve të KFOR-it.

“Lulzim Hetemin kur e kanë pyetur nëse e ka ditur se po shkon në komunë, ka thënë se nuk e ka ditur ku po e dërgojnë,. Kryetari i komunës është pushtet tjetër prej kryeministrit, janë pushtete të ndara, t’i tregojë kryeministri kryetarit të komunës se ku do të shkojë në punë është ndërhyrje flagrante, është cenim i Kushtetutës së vendit. Kryetari i komunës mund të mos dalë fare në punë dhe kryeministri nuk ka të drejtë t’i thotë asgjë. Ne kemi improvizuar me një tush brenda komunës së Leposaviqit, me një kuzhinë, në mënyrë që ai të qëndrojë me trenerka për gjashtë muaj, për çfarë efekti? Efekti i kësaj ka qenë amputimi i këmbëve të ushtarëve të KFOR-it nga bandat serbe në veri, e gjitha kjo me paralajmërim ndërkombëtar”, ka thënë ai. 


Sopi: Vuçiqit i duhet Asociacioni, jo për të akomoduar serbët, por për të marrë veriun

Panelisti i emisionit “Konfront” në KTV, Agim Sopi ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po synon themelimin e Asociacionit me qëllim që të marrë veriun e Kosovës, “e jo për t’i akomoduar serbët”.

Ai ka deklaruar të enjten se Serbia ka dërguar mesazhe se krijimi i Asociacionit “është instrument për ndarje”.

“Interesat momentale të aleancave në një situatë të ridefinimit të botës është me rëndësi që aleatët e natyrshëm t’i mbash afër, e jo t’iu krijosh hendeqe që të ndihen të braktisur. Serbia po çon mesazh kristalor që insistimi në krijimin e Asociacionit nuk është thjeshtë mekanizëm për të drejtat e serbëve, por instrument për ndarje të Kosovës”, është shprehur Sopi.