Arbëri

Gjinovci: Kurti ua ka prekur PDK-së e AAK-së bazën e luftës, andaj po reagojnë kështu

Rron Gjinovci

Opnionisti në “Konfront” të KTV-së, Rron Gjinovci, ka thënë se me rritjen e pensioneve, kryeministri Albin Kurti ua ka prekur Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës bazën e luftës, andaj edhe po reagojnë.

Gjinovci ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka reaguar pasi nuk ndihet e cenuar. 

“Kurti tërë kohën është munduar ta marrë bazën e luftës, për arsye të ndryshme që nuk d.m.th se janë elektorale, por edhe elektorale. Kur i rriti pensionet, kur ai i bën të gjitha këto poteza në drejtim të kategorive të luftës, e shihni se kush reagon. Reagon PDK-ja dhe AAK-ja, jo LDK-ja sepse ajo nuk ndihet e cenuar prej kësaj, nuk e ka atë elektorat. Është kryekëput zgjedhore, sepse po të mos ishte zgjedhore, do të thoshte edhe LDK-ja se po cenohet interesi nacional, mirëpo LDK-ja nuk po merr pjesë sepse thotë se këta shtyhen për disa vota”, ka thënë ai. 


Mustafa: Pse po tejkalohet lehtë çështja se si po sigurohen këto përgjime

Filozofi dhe kritiku, Latif Mustafa, ka thënë se po tejkalohet lehtë çështja se si po sigurohen përgjimet e publikuara në medie, si ai i fundit që lidhet me një bisedë telefonike të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Mustafa ka thënë se pyetjet që ende nuk kanë marrë përgjigje janë se kush I dërgon, apo prej nga vijnë këto përgjime.

Ai tutje pyeti nëse qëllimi I një medium është të plasojë përgjime pa treguar rolin e tyre. 
“Filmin e plasjes së këtyre bombave të njëpasnjëshme e kemi parë, pra se si është zhvilluar ajo strategjia. Por, një pyetje që është shtruar gjithmonë dhe ka pasur pasoja kjo është prej nga vijnë këto përgjime? Kush i dërgon këto? Në momentin që një gazetar, një medium e publikon një përgjim të tillë, automatikisht e delegjitimon kritikën e tij për këtë publikim. A është qëllimi i një mediumi të merret me përgjime, të plasojë përgjime pa treguar rolin e këtij përgjimi apo të mirën sociale që do t’ia sjellë shoqërisë?”, ka thënë ai. 


Gjinovci: Opozita ka frikë se mos Kurti po ua merr edhe votat e veteranëve pasi ua rriti pensionet

Analisti politik, Rron Gjinovci, ka deklaruar se partitë opozitare në Kosovë po frikësohen se kryeministri Albin Kurti “do t’ua merr votat në zgjedhje duke i rritur pensionet”.

Ai ka deklaruar se s’ka parë diçka problematike në bisedën e shefes së grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, me terroristin Milan Radoiçiq, pasi sipas Gjinovcit, detyra e Kusarit është të mbledhë vota për t’i votuar ligjet.

“Kjo ka të bëjë me rritje të pensioneve për kategoritë e luftës, punë zgjedhjesh. Ky i rriti pensionet e kategorive të luftës e këta po frikësohen se ua prek bazat...Ramushi thotë se ky (Kurti) është spiun i Serbisë. E z.Haradinaj e ka takuar Radoiçiqin”, ka thënë ai në "Konfront".


Sopi thotë se vrasja e rreshterit Bunjaku u financua me para të taksapaguesve të Kosovës

Opinionisti në “Konfront”, Agim Sopi, ka thënë se vrasja e Policit të Kosovës në Banjskë, Afrim Bunjaku, është financuar me para të taksapaguesve të Kosovës.

Sopi ka thënë se krimineli Milan Radoiçiq ka marrë para nga qeveritë e Kosovës si subvencione të shtetit, me të cilat ka blerë armë. 

“Sigurisht që ka pasur gjëra, edhe muajt e fundit, shumëfish më shqetësuese për të cilat nuk është parapëlqyer të flitet. Para dy-tre javësh kur është ngritur aktakuza për Banjskën nga Prokuroria Speciale, aty ka dalë që Serbia e ka financuar grupin dhe kompanitë e Radoiçiqit me rreth 300 milionë euro, të cilat kanë përfunduar në armë dhe në konsolidimin e brigadave paraushtarake të cilat do të luftonin në Kosovë, kurse qeveritë e Kosovës, të përparshmet dhe kjo aktualja, kanë financuar me 18 milionë euro në emër të projekteve dhe subvencioneve. Ato projekte nuk janë kryer asnjëherë. Radoiçiqi ka qenë gjithherë zyrtar i lartë, së këndejmi me ligj e ka pasur të ndaluar që të përfitojë subvencione nga shteti. Ato janë para të Kosovës. Ato janë para të dhëna me paramendim, me dijeni të thellë, që i bie se me para të taksapaguesit të Kosovës është financuar vrasja e policit, rreshterit të Kosovës, kjo është e frikshme, kjo është e papranueshme”, ka thënë ai. 


Shala: Koordinimi me një kriminel me kalu ligje jetike është kërcënim i sigurisë nacionale

Azdren Shala nga Partia Socialdemokrate ka deklaruar se koordinimi i shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me terroristin Milan Radoiçiq përbën kërcënim të sigurisë nacionale.

Ai ka deklaruar të enjten në “Konfront” se Kusari është koordinuar me një kriminel për të kaluar ligje jetike në Kuvendin e Kosovës.

“Koordinimi me një kriminel i ndjekur nga gjykatat tona, në listën e zezë të SHBA-së dhe të kalojë ligje jetike për vendin si votimi i një gjyqtari e paga minimale, për ne është për nime rrezik i sigurisë nacionale”, ka deklaruar Shala.

Është shprehur se bashkëpunimi me Listën Serbe që s’ndiqet nga organet e drejtësisë mund të ishte në rregull, por sipas tij, një koordinim i till është i rrezikshëm.