Arbëri

Gjimnazisti i Lipjanit thotë të jetë rrahur nga drejtori i Gjimnazit

Gjimnazisti Leonor Sinani të hënën nuk arriti t'i mbajë të gjitha orët e mësimit, raporton KTV.

Ankohet se drejtori i Gjimnazit "Ulpiana" në Lipjan, Semir Gashi, e rrahu dhe më pas edhe e largoi nga shkolla.

Krejt kjo për shkak se ai e preku në krah një shoqe të shkollës.

Thotë se nuk është hera e parë kur drejtori ka përdorur forcën ndaj tij, derisa rastin e ka denoncuar në polici.

Por, drejtori Semir Gashi e mohon se e ka rrahur nxënësin në fjalë.

Nuk ka dashur të flasë para kamerës por i ka hedhur poshtë të gjitha që i ka thënë nxënësi.

Sulmin e drejtorit ndaj këtij nxënësi e ka konfirmuar edhe policia e Kosovës.

Tashmë janë marrë në pyetje të gjitha palët nga prokurori dhe rasti është nën hetim.

Dhuna në shkolla është evidencuar shpesh nga mediat, por shpeshherë ka raste që nuk raportohen fare.