Arbëri

Gjilani punon shtatore vetëm për Kadri Zekën, familjet ankohen për ndarjen nga vëllezërit Gërvalla

Ngritja e shtatores së aktivistit politik Kadri Zeka, dhe jo edhe për vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla të cilët ishin vrarë në vitin 1982 në Gjermani, po kritikohet nga familjet Zeka dhe Gërvalla.

Familjet po kërkojnë nga Komuna e Gjilanit, që është në fazën e prokurimit për ndërtimin e shtatores për Zekën, që të bëhet ndërtimi i të tri shtatoreve e që, sipas tyre, duhet të vendosen në një vend.

Ndërtimi i shtatores për Zekën financohet nga buxheti komunal i Gjilanit. Për të janë ndarë mbi 60 mijë euro. Komuna është duke udhëhequr procedurat e prokurimit për këtë projekt, ku pritet të përzgjidhet edhe fituesi që do ta ndërtojë këtë shtatore.

Aktivisti politik shqiptar Kadri Zeka si dhe dy vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla ishin vrarë në një pritë në vitin 1982, në shtetin e Gjermanisë. Edhe pas katër dekadave autorët e krimit nuk janë zbuluar, kurse aktivistët e vrarë shqiptarë shquheshin si kritikë të ish-regjimit jugosllav.

Projektin që të ndërtohet vetëm shtatorja e Zekës dhe të mos jenë afër ato të vëllezërve Gërvalla familjarët po e konsiderojnë fyerje, ndërsa Komuna e Gjilanit thotë se qëllimi është nderimi i dëshmorëve, duke pranuar se nuk u ka shkuar ndërmend që krahas shtatores së Zekës të jenë edhe dy shtatoret për vëllezërit Gërvalla.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, thotë se nuk ka pasur ndonjë propozim nga familjarët për ndërtimin e tri shtatoreve dhe si rrjedhojë ata kanë menduar për ngritjen e vetëm një shtatoreje. Ismajli deklaron se procedura e prokurimit nuk mund të kthehet mbrapsht dhe, sipas tij, do të ndërtohet vetëm një shtatore.

“Me qenë korrekt nuk e kemi menduar këtë për shkak se kemi konstatuar që Kadri Zeka është i joni, është i Gjilanit dhe me qenë i sinqertë nuk e kemi menduar që ndoshta është dashur të kemi tri shtatoret. Nuk kemi pasur asnjë propozim për këtë. Kjo nuk mundet të ndryshohet, sepse është e planifikuar dhe mjetet janë zotuar dhe nuk mundemi të kthejmë tash procedurën dhe të themi se po i ndërtojmë tri shtatore”, ka thënë ai.

Ndërkaq përfaqësuesi i familjes Zeka, Izmi Zeka, deklaron se ata nuk kanë dashur që të ndërhyjnë në këtë proces, i cili është duke u zhvilluar nga institucionet komunale.

“Nuk i ka ndarë as plumbi dhe do të ishte mirë sikur kjo treshe e heronjve të ishte bashkë. Axha nuk i takon më familjes, por është i qytetarëve dhe nuk kemi dashur të përfshihemi në këtë proces. Është dashur që institucionet të kenë këtë parasysh ketë. Po të ishim pyetur, Jusufi e Bardhoshi dhe Kadria do të ishin në një vend”, ka thënë ai.

Ndërkaq Avdi Gërvalla deklaron se ata kishin kërkuar nga Qeveria e Kosovës ndërtimin e tri shtatoreve dhe ato të vendosen në kryeqytet, por kërkesa e tyre, e cila ishte parashtruar para disa viteve, nuk ishte plotësuar.

“Është fyerje e dëshmorëve kur ata ndahen me lapidare e me shtatore dhe mendoj se është një veprim i gabuar që po ndodh qoftë në Pejë, qoftë në Gjilan. Njerëzit që i ka lidhë gjaku, i ka lidhë veprimtaria, i ka lidhë vdekja, e të ndahen në këtë mënyrë, nuk më pëlqen. Fotografitë që i kemi në dhomat tona nuk ka ndodhë asnjëherë të mos vendosen të tretë”, ka thënë ai.