Komuna e Gjilanit ka arritur ta miratojë buxhetin për vitin 2025 të enjten, pas disa përpjekjesh për miratim që nga shtatori i vitit të kaluar.
Buxheti është miratuar në mënyrë unanime në një seancë të jashtëzakonshme, me 33 vota për dhe asnjë kundër.
“Totali i kufijve buxhetorë për buxhetin e vitit 2025 është 39.897.577 euro. Për të tjerat, nga granti i përgjithshëm kemi rreth mbi 14.5 milionë euro, granti për shëndetësi 4.3 milionë euro, granti për arsim 14.4 milionë euro, të hyrat vetanake 6.1 milionë euro, për paga dhe mëditje do të shpenzohen 20.6 milionë euro, në mallra dhe shërbime 7.7 milionë euro, në shpenzime komunale 628 mijë, në subvencione 1.9 milionë euro dhe shpenzime kapitale rreth 8.8 milionë euro”, ka thënë kryetari i Komunës, Alban Hyseni.
Hyseni ka shtuar se në total janë 31 projekte kapitale, të cilat janë të planifikuara për t’u realizuar në vitin 2025.
Avdyl Aliu, shef i grupit të LDK-së, ka thënë se e votojnë buxhetin e planifikur me disa projekte shtesë të propozuar nga partia e tij, me përjashtim të projektit të bulevardit të qytetit, pasi, sipas tij, është në kundërshtim me Planin Zhvillimor Urban dhe me planet e niveleve të tjera, të cilën e ka kundërshtuar kreu i Gjilanit, duke thënë se ky projekt është në harmoni të plotë me legjislacionin në fuqi, njoftoi Zyra për Informim e Komunës së Gjilanit.
Shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Bujar Nevzati, pasi konfirmoi se do ta votojnë buxhetin, ka propozuar ndarjen e një milioni euro për varrezat e qytetit, projektin për ndërtimin e një qendre për qentë endacakë, funksionalizimin e shkollës së agro-biznesit etj., derisa Nazim Gagica, shef i AAK-së, tha se shtatë muaj më parë i ka dhënë mbështetje buxhetit, për të shtuar se nuk e ka asnjë kërkesë e as propozim shtesë.
Kërkesat të LDK-së dhe PDK-së morën mbështetjen e shumicës.
Komuna e Gjilanit ishte e vetmja që nuk e ka miratuar buxhetin e 2015-s.