Arbëri

Gjermania shpreh keqardhje për mospërmbushjen e obligimeve nga Kosova

Angazhim drejt përmbushjes së detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Ohrit ka Gjermania në prag të mbajtjes së takimit të Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës. Derisa agjenda nuk është finalizuar ende dhe mbetet i paqartë fati i aplikacionit të Kosovës, ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla, ka thënë se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është çështje urgjente. Analistët shohin pak gjasa që Kosovë të përfshihet në agjendën e takimit të majit

Gjermania ka shprehur keqardhje për mosndërmarrjen e asnjë hapi drejt përmbushjes së kushtit themelor, që i ishte vënë Kosovës për ta përmbyllur anëtarësimin në Këshillin e Evropës. 

Takimi i radhës i Komitetit të ministrave të Këshillit mbahet në maj dhe ende nuk dihet nëse do të përfshihet edhe aplikacioni i Kosovës. 

Në ambasadën e Gjermanisë thanë se presin angazhim nga Kosova drejt përmbushjes së obligimeve, për të cilat shtuan se qëndron edhe Këshilli i Evropës. 

“Nuk dihet ende agjenda finale e Komitetit Ministror. Na vjen keq që qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë ende asnjë hap konstruktiv që nga viti i kaluar për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit të rënë dakord dhe Marrëveshjet e Brukselit të viteve 2013/2015. Çështjet e pakicave janë të një rëndësie qendrore në Këshillin e Evropës. I bëjmë thirrje edhe një herë Qeverisë së Kosovës që të angazhohet në këtë drejtim”, ka thënë Sebastian Leuschner, këshilltar politik në Ambasadën e Gjermanisë. 

Çështja që ndikoi në vendimin për mospërfshirjen e Kosovës majin e vitit të kaluar në agjendën e Komitetit të Ministrave ishte mos procedimi i draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. 

Ky draft, i hartuar nga Bashkimi Evropian, nuk ishte dërguar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga ana e qeverisë, ashtu siç kërkuan Gjermania dhe shtete të tjera, anëtare të Këshillit të Evropës. 

Por në raportin e Dora Bakojanis, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosovës i përshkruhet si një “angazhim pas anëtarësimit”.

Një Komision i Këshillit po ashtu pati ka rekomanduar që të iniciohet procedurë monitorimi për Kosovën, për të siguruar respektimin e zotimeve dhe obligimeve që nga anëtarësimi i saj.

Qeveria e Kosovës nuk ka ofruar sqarime lidhur me veprimet e ndërmarra për përfshirjen e aplikacionit të Kosovës në takimin e majit.  

Anëtarësimi në Këshill u përmend nga ministrja e jashtme, Donika Gërvalla në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së në Luksemburg. Përfundimin e këtij procesi, ajo e cilësoi si hap urgjent. 

“Ministrja Gërvalla përmendi tri hapa urgjentë që kërkohen tani, e që kontribuojnë jashtë mase në stabilizimin e rrethanave në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe hapjen e rrugës për integrimin e rajonit në BE. Hapat në fjalë janë: heqja e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, përfundimi i procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe mbështetja për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE”, shkruan në komunikatën e MPJD-së. 

E presidentja Vjosa Osmani në një intervistë për televizionin 21 ka thënë se, partnerët po pyesin se a do të zgjidhet Qeveria e re deri në maj, kur Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës pritet ta shqyrtojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas saj, nuk do të duhej që mungesa e vullnetit për formimin e Qeverisë së re të përdoret si arsyetim nga disa shtete për ta shtyrë këtë vendim.

Por analisti Arbnor Sadiku vlerëson se gjasat që Kosova të përfshihet në agjendë janë të vogla. 
“Gjasat janë të vogla që të përfshihet, për shkak të problemeve që i kanë krijuar vetë kosovarët, saktësisht qeveritë e Kosovës, qoftë në të kaluarën, qoftë tani ku temat e mëdha janë ndikuar nga çështje elektorale. Pasojat i vërejmë tani”, ka thënë Sadiku. 

“Është e vërtetë që disa shtete që kanë një farë peshe më të madhe në Këshillin e Evropës sikurse Gjermania dhe disa vende të tjera i kanë vënë veto procesit që përveç kushteve tjera të mira që i ka plotësuar Kosova sa i përket përmbushjes së të drejtave të pakicave dhe drejtave të njeriut, është edhe kusht asociacioni. Andaj gjasat janë pothuajse kurrfarë që Kosova të përfshihet në agjendën ose në takimin e ardhshëm të Këshillit të Evropës”.

E nga Këshilli i Evropës të pyetur për aplikacionin e Kosovës, përmes një përgjigjeje me shkrim thanë javën e kaluar se ende nuk është caktuar agjenda. 

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022, dhe procesi ka kaluar disa etapa të rëndësishme, përfshirë rekomandimin pozitiv nga Asambleja Parlamentare e Këshillit në prill të 2024. 

Vendimi final i takon Komitetit të Ministrave, organ që përfaqëson qeveritë e vendeve anëtare i cili deri më tani nuk ka vendosur nëse kërkesa e Kosovës do të jetë pjesë e agjendës së mbledhjes së majit.

Shtyrja e votimit sjell paqartësi se kur do të mund Kosova në të ardhmen të futet në agjendën e Komitetit të Ministrave. Në të kaluarën ka shtete sikurse Bosnjë-Hercegovina që finalizimi i këtij procesi i ka marrë kohë gati pesë vjet.

Nga 46 shtete anëtare sa janë në Këshillin e Evropës, për t’u anëtarësuar Kosovës i duhet mbështetja prej dy të tretave.