Arbëri

Gjermania e Franca mohojnë dokumentin e publikuar

Franca e Gjermania kanë mohuar se qëndrojnë prapa dokumentit të publikuar të hënën nga Koha Ditore. Të dyja shtetet kanë bërë me dije se respektojnë dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak.

Në redaksinë e gazetës të hënën ka ardhur një dokument që thuhet të jetë një “non-paper” i përgatitur nga Gjermania dhe Franca, si nismë e përbashkët e këtyre dy shteteve për rifillimin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje finale. Autenticiteti i këtij dokumenti nuk ka qenë i mundur të konfirmohet nga gazeta, por disa diplomatë me të cilët ka kontaktuar KOHA, pak a shumë kanë konfirmuar se pikat që përmenden në të janë në përputhje me ato që pritet të diskutohen në dialog.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka mohuar se Berlini qëndron prapa këtij dokumenti.

“I ashtuquajturi ‘non-paper germano-francez’ i botuar nga Koha Ditore është lajm i rremë! Mund të ketë një dokument të tillë, por sigurt nuk është gjermano-francez. Përkrahja jonë e plotë është për dialogun e udhëhequr nga BE-ja të udhëhequr nga EUSR Miroslav Lajcak ashtu siç e theksoi sërish ministri i Jashtëm gjerman Maas, të enjten e kaluar në Prishtinë”, ka shkruar ambasadori gjerman Rohde në Twitter.

Të njëjtën deklaratë e ka bërë edhe Ambasada e Francës në Kosovë.

“Franca dhe Gjermania nuk janë burim i të ashtuquajturit ‘non-paper’ franko-gjermane të botuara sot nga Koha Ditore. Ne mbështesim plotësisht ndërmjetësimin e BE-së dhe mirëpresim përpjekjet e ndërmarra në këtë drejtim nga Përfaqësuesi Special i ngarkuar me dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajcak”, thuhet në reagim.

 

Reagimit të ambasadorit gjerman i është kundërpërgjigjur shefi i deskut në KOHA, Agron Bajrami. Ai ia ka kujtuar ambasadorit Rohde se edhe në artikullin e publikuar të hënën ceket se ky ‘non-paper’ “supozohet” se është gjermano frances.

“Siç thamë në artikull, supozohet se është gjermano-francez ... por pikat e përshkruara në këtë ‘non-paper’ diskutohen brenda dialogut të udhëhequr nga BE-ja”, ka shkruar Bajrami në Twitter.