Për Ambasadën e Gjermanisë në Kosovës, tani është përgjegjësi e gjyqësorit të Serbisë që të ndërmarrë hapat e mëtejshëm pa vonesa, lidhur me grupin i cili dyshohet se para një viti kreu sulmin terrorist, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Kjo ambasadë ka mirëpritur edhe aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale, ndaj 45 të dyshuarve për sulmin
Gjermania ka kërkuar veprime të menjëhershme nga gjyqësia në Serbi, lidhur me autorët e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, të cilëve autoritetet e Kosovës ua ngritën aktakuzën.
Përmes një përgjigjeje me shkrim, zëdhënësi i kësaj ambasade në Prishtinë, Christian Böttcher, tha se shteti gjerman mirëpret ngritjen e aktakuzës, dhe bëri thirrje për veprime që duhen ndërmarrë edhe shteti serb.
“Ambasada gjermane, së bashku me ambasadat e tjera dhe institucionet ndërkombëtare, kanë kërkuar vazhdimisht që autorët e sulmit në Banjskë të dalin para drejtësisë. Në këtë drejtim, ne i mirëpresim aktakuzat. Pasi që shumica e të dyshuarve besohet se janë në Serbi, është përgjegjësi e gjyqësorit serb që të ndërmarrë hapat e tjerë pa vonesa të mëtejshme. Gjyqësori serb duhet të ndërmarrë hapat e mëtejshëm pa vonesa”, ka thënë Christian Böttcher, zyrtar për media në Ambasadën e Gjermanisë.
Ai ka folur edhe për deklaratat që kishte dhënë Milan Radoiçiq, i dyshuari kryesor për hartimin dhe zbatimin e planit të sulmit në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Sulmi në Banjskë ndodhi gati një vit më parë dhe organizatori i dyshuar ka rrëfyer se kishte planifikuar dhe kryer sulmin edhe gati një vit më parë. Përveç kësaj, Ambasada Gjermane nuk komenton detaje të procedurave gjyqësore në vazhdim”, ka thënë Botcher.
Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi më 11shtator për ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, që ndodhi më 24 shtator 2023. Ata ngarkohen për vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin, kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, si dhe për financim të terrorizmit dhe shpëlarje të parave.
Milan Radoiçiq disa javë pas sulmit ishte arrestuar në Serbi. Ai po mbrohet në liri, ani pse Prokuroria serbe e ka ngarkuar atë me dyshimet për konspiracion, armëmbajtje pa leje dhe krim të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme.
E, aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës nuk e implikon drejtpërdrejt shtetin serb në organizimin e sulmit në Banjskë. Por sipas aktakuzës, grupi i serbëve kishin synim t’ia shkëpusnin Kosovës veriun dhe t’ia bashkonin Serbisë.
“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të organizuar mirë paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë”, thuhet në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, Serbia, ndër të tjera, i ka ofruar Radoiçiqit edhe infrastrukturën e nevojshme ushtarake për trajnimin e pjesëmarrësve.
I akuzuari kryesor është Radoiçiq. Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ai ka kryer veprën penale “lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” e sanksionuar me nenin 131 të Kodit Penal, lidhur me nenin 57 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.
Një pjesë e aktakuzës së ngritur nga Prokuroria flet edhe për mënyrën e financimit të grupit që kreu sulmin.
Sipas një skeme të paraqitur në aktakuzë, veprimtaria kriminale e Radoiçiqit është financuar nga dy burime kryesore, “duke i keqpërdorur tenderët e Kosovës dhe nga shteti i Serbisë”.
Gjykimi për sulmin do të nisë të mërkurën e javës së ardhshme, një ditë pasi mbushen një vit kur grupi i armatosur serb e sulmoi Policinë në Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Nga shkëmbimi i zjarrit janë vrarë tre sulmues serbë, ndërkaq pjesa tjetër e grupit kishte ikur në drejtim të Serbisë.
Disa ditë më vonë, pasi MPB-ja nxori pamjet e Radoçiqit nga Banjska, përgjegjësinë për sulmin e pati marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili tani ndodhet në Serbi. Milan Radoiçiq disa javë pas sulmit ishte arrestuar në Serbi. Ai po mbrohet në liri, ani pse Prokuroria serbe e ka ngarkuar atë me dyshimet për konspiracion, armëmbajtje pa leje dhe krim të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme.
Edhe Organizata Ndërkombëtare e Policisë, INTERPOL, e ka shpallur në kërkim ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Lajmin e pati konfirmuar në dhjetorin e vitit të kaluar, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq. Sipas tij, urdhri për kërkimin e Radoiçiqit është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNIMK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës. Kjo për shkak se Kosova ende nuk është anëtare e INTERPOL-it.
“Njoftimi i kuq” i alarmon policitë në gjithë botën për të arratisurit që kërkohen ndërkombëtarisht dhe ndihmon në sjelljen e tyre para drejtësisë. Megjithatë, është në kompetencën e vendeve anëtare të INTERPOL-it për të vendosur nëse do ta arrestojnë një person ose jo.