Arbëri

Gjermania e Franca ngarkojnë këshilltarët e jashtëm për të ndihmuar në dialogun Kosovë - Serbi

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i kanë dërguar një letër të përbashkët presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në të cilën thuhet se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi është thelbësore për Ballkanin Perëndimor.

Në letrën e dy liderëve thuhet se Gjermania dhe Franca i kanë ngarkuar këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri, Jens Plettnerin dhe Emmanuel Bonnin, për t’i ofruar ndihmë direkte emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Scholz e Macron kanë bërë thirrje që të tregohet vendosmëri dhe gatishmëri për të pranuar edhe vendime të vështira që të çohet para procesi i dialogut.

“Ne po ju dërgojmë këtë letër të përbashkët në një moment me rëndësi vendimtare për sigurinë në kontinentin evropian dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Jemi të bindur se, në dritën e agresionit rus ndaj Ukrainës, duhet të bëjmë përpjekje edhe më të forta, në mënyrë që perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhet realitet dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet afatgjata dypalëshe dhe rajonale. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor. Ju drejtohemi juve si lider i vendit tuaj, për t’ju apeluar që të tregoni vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat çojnë përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të organizuar nën patronazhin e BE-së. Tensionet e fundit kanë treguar se nevojiten urgjentisht hapa konstruktiv para, si në planin praktik ashtu edhe në atë politik. Prandaj, ne i kemi ngarkuar këshilltarët tanë për politikë të jashtme dhe të sigurisë, Jens Plettner dhe Emmanuel Bonn, që t’i ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë Miroslav Lajçakut në përpjekjet e tij. Ne sugjerojmë këshilltarët tanë, së bashku me Miroslav Lajçakun, të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, për të shqyrtuar mundësitë e çuarjes përpara të procesit të dialogut. Shpresojmë sinqerisht që kjo nismë të ndeshet me interesin dhe mbështetjen tuaj”, thuhet në letër, raporton B92.