Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë ka dënuar sulmin terrorist të së premtes në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok.
Në një deklaratë në Twitter, kjo ministri ka shpërndarë reagimin e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, që e quajti sulm terrorist aktin.
“Gjermania i bashkohet përfaqësuesit të lartë në dënimin e ashpër të sulmit terrorist të djeshëm mbi infrastrukturën kyçe të Kosovës. Solidaritet i plotë me Kosovën. Kryerësit duhet të mbahen përgjegjës”, thuhet në reagim të MPJ-së së Gjermanisë.
Infrastruktura kritike e Kosovës ka përjetuar mbrëmë sulmin më të madh terrorist, që nga paslufta. Pasi në veri, kanali i Ibër-Lepencit është goditur me eksplozivë, autoritetet e kanë rivendosur rrjedhën dhe kanë parandaluar kolapsin energjetik. Policia, ndërkaq, ka siguruar prova dhe ka arrestuar disa nga të dyshuarit. Kryeministri Albin Kurti e fajësoi Serbinë për sulmin.