Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjermani Dirk Schuebel merr detyrën si ambasador i BE-së në Kosovë

Dirk Schuebel

Zyrtari i lartë i Bashkimit Evropian, gjermani Dirk Schuebel, ka marrë detyrën si ambasador i BE-së në Kosovë, kanë njoftuar të mërkurën nga kjo zyrë. 

“’Do ta mbështes të ardhmen evropiane të Kosovës’, tha ai, duke theksuar se kjo kërkon angazhimin e gjithë shoqërisë dhe përkushtim të përbashkët”, thuhet në njoftim. 

Schubel është diplomat me përvojë të gjatë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Komisionin Evropian dhe Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë. Më herët, ai ka shërbyer si i dërguar i posaçëm i BE-së për Partneritetin Lindor (2022-2024), ndërsa ka qenë edhe shef i Delegacionit të BE-së në Bjellorusi (2019-2022) dhe në Moldavi (2009-2013).

Mandati i tij fillestar në Kosovë pritet të jetë dyvjeçar, teksa pason estonezin Aivo Orav.

Sipas vendimit të Këshillit të BE-së, mandati i Schubelit do të përqendrohet në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, demokratike dhe shumetnike, si dhe në mbështetjen e perspektivës evropiane të vendit.

Ai do të monitorojë përparimin në prioritetet politike, ekonomike dhe të sigurisë, do të kontribuojë në forcimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së komuniteteve, si dhe do të promovojë koordinimin politik të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Mandati i tij përfshin, gjithashtu, ofrimin e udhëzimeve politike për Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe mbështetjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me synim forcimin e stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Shefi i ri i Zyrës së BE-së: Formoni sa më shpejt institucionet që t’u ndihmojmë

12 o. më parë / 2 sht 2026 15:27
Dirk Schuebel

Ambasadori i ri i Bashkimit Evropian në Kosovë, gjermani Dirk Schuebel, me të marrë detyrën e re ka bërë thirrje për formim të shpejtë të institucioneve të Kosovës, duke theksuar se funksionaliteti i tyre është i domosdoshëm për zbatimin e reformave dhe shfrytëzimin e mbështetjes së BE-së.

Schuebel, ka thënë se Kosova ka nevojë për institucione funksionale që mund të përmbushin reformat e nevojshme.

“Për të mirën e të gjithë njerëzve të saj, Kosova ka nevojë për institucione funksionale të afta për të realizuar reformat e nevojshme dhe për të shfrytëzuar plotësisht Planin e Rritjes së BE-së dhe financimin e rëndësishëm IPA që pritet të vijë”, ka thënë Schuebel, bëhet e ditur në komunikatën e lëshuar nga Zyra e BE-së në Kosovë me rastin e marrjes së detyrës nga diplomati gjerman.

Sipas tij, shfrytëzimi i këtyre mundësive kërkon përgjegjësi politike, institucione efektive dhe fokus të qartë në reformat dhe agjendën e integrimit evropian.

Schuebel ka theksuar gjithashtu se do të mbështesë angazhimin konstruktiv të Kosovës në dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve, në bashkëpunim të ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun, Peter Sorensen.

Ai ka rikujtuar se BE-ja mbetet një prej partnerëve kryesorë të Kosovës dhe se gjatë më shumë se 25 vjetëve, që nga viti 1999, Blloku ka ofruar mbi 3.7 miliardë euro ndihmë për Kosovën, përfshirë rindërtimin, forcimin e institucioneve, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe mundësitë për të rinjtë.