Autoritetet e qytetit Bamberg të Gjermanisë i kanë dërguar një letër-porosi Prokurorisë së Tiranës ku kërkohet gjetja e pronarëve të disa IP-ve të evidentuara dhe më pas këto informacione të krahasohen me të dhënat e Policisë së Kosovës dhe regjistrin tregtar të Gjeorgjisë. Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për të verifikuar në terren këtë treg të paligjshëm, të kompanive që përdorin platforma online të brokerimit (ndërmjetësimit) dhe punojnë në të zezë
Autoritetet gjermane besojnë se shërbimet “Call Center”, që veprojnë në Shqipëri, kanë lidhje me ato të Kosovës, ndërsa baza e tyre është në Gjeorgji. Autoritetet e qytetit Bamberg të Gjermanisë, i kanë dërguar një letër-porosi Prokurorisë së Tiranës, e cila ka mbërritur pesë ditë më parë. Përmes kësaj letre kërkohet gjetja e pronarëve të disa IP-ve të evidentuara dhe më pas, këto informacione, sipas letër-porosisë kërkohet të krahasohen me të dhënat e Policisë së Kosovës dhe regjistrin tregtar të Gjeorgjisë.
Prokuroria gjermane thotë në letërporosinë, se në Zyrën qendrore të Krimit Kibernetik, ka aktualisht disa procese hetimore, me autorë të paidentifikuar për akuzën e mashtrimit për arsye tregtare, duke sjellë me këtë rast shembullin konkret të mashtrimit të disa shtetasve gjermanë. Autoritetet gjermane shpjegojnë se këta persona përdorin platforma kibernetike dhe u drejtohen personave të interesuar në vende të ndryshme evropiane për investime, mes të cilave edhe Gjermania. Në letër-porosi citohet se vetëm në Gjermani janë prekur disa mijëra investitorë dhe objekti i këtij procesi ka të bëjë me platformën Werforex.
Më herët nëpërmjet kërkesave të Gjermanisë, në Kosovë u goditën disa qendra “Call Center” që merreshin me mashtrim. Kryesori në këtë skemë, si pjesë e një grupi kriminal, është identifikuar dhe më pas arrestuar disa javë më parë në Kavajë nga policia shqiptare. Policia e Kavajës në bashkëpunim me Policinë e Durrësit, Interpol Tirana, FAST Kosova dhe FAST Albania arrestoi me 2 tetor të këtij viti, 33-vjeçarin Andi Fosa nga Kavaja me qëllim ekstradimin e tij në Kosovë, ku është i implikuar në veprimtarinë kriminale të mashtrimit me anë të Call Center-ve të disa shtetasve gjerman. Fosa ishte në kërkim të ndërkombëtar dhe me “Call Center”-in e tij dyshohet të ketë përfituar rreth 30 milionë euro. Ai ishte në drejtimin e një grupi kriminal që kishin përfituar vlera të mëdha monetare, duke mashtruar për 3 vjet qytetarët gjermanë me loto online.
Nga një operacion që ishte zhvilluar në Prishtinë në mars të këtij viti në bashkëpunim të Policisë së Kosovës dhe asaj gjermane, në banesën e Fosës ishin sekuestruar mbi 2 milionë euro. Nga aksioni i muajit mars ishin arrestuar 18 persona pasi kishin bashkëpunuar me Andi Fosën. Gjykata Themelore në Prishtinë (Departamenti Special), ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg“, për Andi Fosën për veprat penale “Mashtrimi“ i kryer në bashkëpunim, “Pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal me qëllim mashtrimin“ dhe “Pastrimi i parave“, parashikuar nga Legjislacioni Penal i Republikës së Kosovës.
Të enjten, Policia dhe Prokuroria e Shkodrës goditën një bazë “Call Center” në qytetin verior, që në drejtimin e një shtetasi polak bënte mashtrime të shtetasve spanjollë dhe gjermanë. Gjashtë vajza dhe dy djem janë arrestuar nga Policia e Shkodrës pasi akuzohen se kanë mashtruar qytetarë të huaj përmes “Call Center”. Në kuadër të operacionit policor të koduar "North Forex", për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimeve kompjuterike, u arrestuan Elisa Kolndreu 22 vjeçe, Olda Shpendi 20 vjeçe, Aishe Baci 30 vjeçe, Senada Alija, 21 vjeçe, Sonila Alija 24 vjeçe, Ervin Osja 29 vjeç, Nikolin Toma 26 vjeç, Ysniela Dalipi, 27 vjeçe. Gjithashtu, është shpallur në kërkim shtetasi polak, Pawel Wziontek, 27 vjeç, i cili ishte pronari i “Call-Center”. Në kërkim janë edhe Alma Sokoli 21 vjeç, (bashkëjetuesja e tij) dhe Klodian Memo, 38-vjeç. Këta shtetas, prej një periudhe 1-vjeçare kishin krijuar një skemë që kryesohej nga shtetasi polak, i cili kishte rekrutuar si menaxherë shtetasit shqiptar Ysniela Dalipi, Nikolin Toma dhe Klodian Memo. Kjo skemë ushtrohej në lokacione të ndryshme dhe konsistonte në mashtrimin kompjuterik nëpërmjet programeve dhe platformave të ndryshme si Vicidial, Forex dhe Exchange, në dëm të shtetasve të huaj, kryesisht atyre gjermanë dhe spanjollë.
Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shtetasi polak me qëllim shmangien e hetimit pas operacionit kombëtar kundër mashtrimeve kompjuterike, kishte bërë çregjistrimin e të gjithë punonjësve dhe kishte vijuar ta ushtronte aktivitetin në fjalë në mënyrë të fshehtë.
Në Shqipëri janë shtuar si kërpudhat “Call Center”, që shërbejnë si ndërmjetësuese mes qytetarëve që duan të investojnë dhe të futen në tregjet financiare, dhe bankave, që ndryshe quhen kompani brokerimi.
Tregu më i madh financiar në botë që ofron mijëra burime investimesh (çiftet e monedhave, ar, aksione në naftë apo indekse të bursave të ndryshme), është Forex, që përfshin edhe tregun e bursave, edhe të mallrave edhe të monedhave, dhe dyshohet se pikërisht nën këtë logo luajnë edhe shumë kompani fantazmë të hapura në Shqipëri, që kryesisht mashtrojnë qytetarë të huaj.
Në Shqipëri, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për të verifikuar në terren këtë treg të paligjshëm, të kompanive që përdorin platforma online të brokerimit (ndërmjetësimit) dhe punojnë në të zezë, pra të palicencuara. Këto shoqëri që maskohen si ligjore, joshin të huajt nëpërmjet skemave të mashtrimit të investojnë para që kalojnë në llogari të përgjumshme bankare, me premtimin se për një periudhë të shkurtër kohore, investimi i tyre do të shumëfishohet.
Burime të Prokurorisë së Tiranës kanë bërë të ditur se janë të paktën 1 mijë qytetarë të huaj që janë mashtruar deri në 500 mijë euro investim të humbur që ka derdhur në llogaritë fantazmë vetëm 1 qytetar. Pra, këtu flitet për miliona euro që të huajt mund të kenë investuar në bursën e rreme.
Kompanitë call center kryesisht marrin me qira ambiente të mëdha në zonat më të populluara në Tiranë, me qindra punonjës shqiptarë, kryesisht të rinj, që paguhen bazë nga 400-700 euro, por që paga e tyre mujore mund të arrijë deri në 3 mijë euro, në varësi të vlerës së investimit që arrijnë të marrin nga personat që bëhen pjesë e sistemit, pasi i kontaktojnë përmes një regjistri telefonik me numra të qytetarëve të një shteti përkatës. Të përzgjedhurit për t’u mashtruar janë kryesisht moshat e thyera, për shkak se mund të mashtrohen më shpejt dhe pa kërkuar shumë detaje që për vetë moshën janë deri diku të pakuptueshme.
“Forex Albania” reklamon në internet me qindra oferta pune për të rinj me paga mujore të majme, dhe që kriter kanë gjuhët e huaja italisht, spanjisht, anglisht gjermanisht, greqisht dhe frëngjisht. Ndërkohë në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Tiranë rezulton se 11 kompani të ndryshme përdorin “Forex” në Shqipëri. Qytetarëve u premtohet se brenda një kohe shumë të shkurtër, që për shembull në sistemin bankar duhet të presësh për vite, një investim i vogël fillimisht, do të dyfishohet për pak muaj, e kështu me radhë duke i shtuar shumat e investimit në varësi të premtimeve për fitime shumë më të mëdha në vlera. Por një gjë e tillë nuk ndodh asnjëherë.