Arbëri

Gjendja e mjedisit vlerësohet alarmante

Parqet Kombëtare nuk po mbrohen, e as politikat për ruajtjen e resurseve natyrore nuk po merren me seriozitet, thonë përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e mjedisit. Dita Ndërkombëtare e Ruajtjes së Natyrës në Kosovë kaloi pa asnjë aktivitet nga institucionet

Në Ditën Ndërkombëtare të Ruajtjes së Natyrës, resurset natyrore konsiderohen në rrezik dhe të mirëmbajtura dobët, thonë përfaqësues të organizatave mjedisore, e njëjtë thuhet edhe në raportin e progresit për Kosovën, i përpiluar nga Komisioni Evropian.

Sami Stagova, përfaqësues i organizatës për ruajtjen e mjedisit “Gjethi”, tha se drunjtë po priten ilegalisht edhe brenda Parkut Kombëtar të Sharrit, e për pyjet që nuk janë nën mbrojtje institucionale, u shpreh se gjendja është alarmante.

“Këtu në territorin e Kaçanikut, por edhe në Shtërpcë, ka dëmtime serioze të pyjeve edhe brenda parkut Nacional. Mos të flasim jashtë parkut nacional që në territor të Kaçanikut dhe të Ferizajt, është vështirë ta gjesh një dru ose pyll më të vjetër se 20 vjet”, ka thënë Stagova.

Ajo ka theksuar se ndonëse në letër ekzistojnë politika të cilat mund të prodhojnë efekt në mbrojtjen e resurseve natyrore, mungon vullneti për zbatim.

“Edhe lidhur me ndryshimet klimatike, por edhe në ruajtjen e resurseve natyrore, ka politika që ndoshta në plan afatgjatë mund të kenë efekt, por serioziteti i implementimit të atyre politikave, sidomos në planin afatshkurtër dhe afatmesëm, vazhdimisht ka munguar nga paslufta, mungon edhe tani”, ka thënë Stagova.

E ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se inspektorati i ministrisë që drejton, gjatë korrikut ka realizuar 50 inspektime dhe ka dënuar degraduesit e mjedisit.

“Prodhues të betonit, seperues të rërës dhe të zhavorrit, thertore e përpunues të mishit, përpunues të ujit e prodhues të ilaçeve, e njashtu degraduesit e lumenjve dhe ndërtuesit e objekteve pa leje, janë shqiptuar gjithsejtë 14 vendime për ndërprerje të punimeve, 6 raste janë iniciuar te përmbaruesi, ndërkaq janë shqiptuar 23 gjoba, në vlerë totale prej 66,000 eurosh”, ka theksuar ministri Aliu.

Raporti i Progresit, i përgatitur nga Komisioni Evropian, e konsideron shpyllëzimin dhe prerjen ilegale të drurëve si çështje për shqetësim serioz.

Në Ditën Ndërkombëtare të Mbrojtjes së Natyrës institucionet nuk mbajtën asnjë organizim për shënimin e kësaj dite.