Arbëri

Gjendet i ngordhur një rrëqebull ballkanik në Bjeshkët e Nemuna, dyshohet të jetë vrarë

Organizata “Environmentally Responsible Action” (ERA) ka gjetur pa shenja jete trupin e një rrëqebulli ballkanik në parkun kombëtar Bjeshkët e Nemuna.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës (AUV) i është përgjigjur ERA-s se trupi është i dekompozuar dhe nuk mund të kryhet obduksion i plotë. Shkaqet e vdekjes ende nuk dihen”, thuhet në komunikatën e ERA-s.

Reagime me këtë rast ka pasur edhe nga Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri dhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Rrjeti i Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit (BLRP) dyshon që rrëqebulli është vrarë. Pozicioni fizik i rrëqebullit të vdekur mbi degë duket jo i natyrshëm”, thotë ERA në komunikatën për media.

Pas gjetjes së trupit, ERA kërkoi që ta dërgojë trupin me urdhër zyrtar është dërguar ne laboratorin e AUV-së, Sektori i Patologjisë dhe Histologjisë.

Image

-Momenti i identifikimit nga banorët 

“Ata e kanë pranuar trupin por e kanë konfirmuar që është rrëqebull dhe e kanë vlerësuar trupin si të dekompozuar. Për analiza të mëtutjeshme ERA ka marrë mostrat të materialit gjenetik dhe do të dërgohen në Zvicër”, thotë më tej ERA, raporton Koha.net.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka thënë se rrëqebulli që jeton në Kosovë është lloj i rrallë për të gjithë botën.

“Ndihem shumë i shqetësuar që kemi humbur një rrëqebull. Unë si kryetar do të bëj më të mirën që të ruajë ketë vlerë botërore”, citohet të ketë thënë Muhaxheri.

Për rastin ka reaguar edhe Ministria e Planifikimit e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e cila ka shprehur shqetësimet edhe në lidhje me statusin ligjor të rrëqebullit në Kosovë.

“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndanë shqetësimin e njëjtë me organizatën ‘Environmentally Responsible Action (ERA)’, rrëqebulli është një lloj plotësisht i mbrojtur dhe gjuetia e tij ndalohet rreptësisht edhe me Kodin Penal të Kosovës, ku neni 359, paragrafi 4 parasheh dënimin prej 3 muaj deri 3 vite burgim për këdo që gjuan lloje të rrezikuara ose të rralla të kafshëve. MMPH-ja u bën apel të gjithë qytetarëve të Kosovës të raportojnë për çdo veprimtari të dyshimtë të gjuetisë ndaj specieve të rralla dhe të mbrojtura me ligjet e Kosovës”, thuhet në reagimin e MMPH-së.

Ketë vit bëhen 5 vite që ERA inventarizon kafshët e egra me fokus rrëqebullin ballkanik. Në vitin 2015, ERA në kuadër të programit të BLRP ka konfirmuar ekzistencën e rrëqebullit në Kosovë dhe deri më tani ERA thotë se janë konfirmuar vetëm dy rrëqebull. Sezoni 2018-19 i programit të monitorimit do të fillojë në muajin tetor.