Arbëri

Gjatë pandemisë kërkesat u rritën për barna, u ndryshuan çmimet

Furnizimi me barna në SHSKUK gjatë muajve të parë të pandemisë i ka përplasur deputetët e Komisionit parlamentar për menaxhimin, ku ishte kompetente të raportonte drejtoresha e Barnatores Qendrore të SHSKUK-së, Gëzime Pllana.

Pllana është pyetur për planifikimet, kërkesat e rritura nga klinikat, si dhe stoqet e barnave e materialit shpenzues.

“Kur nënshkruhet një kontratë a duhet të jetë specifikisht prodhuesi. Keni pasur kontrata nga India për disa produkte. Jemi duke hetuar kontrata të dyfishta e në disa raste edhe të trefishta”, ka thënë ajo, raporton KOHA.

“A ka qenë vetëm kërkesë për furnizim apo është kontratë e nënshkruar, sepse nëse është e nënshkruar tregon proces se është kryer blerja...”, ka thënë Mimoza Kusari – Lila, kryetare e Komisionit për Menaxhimin e Pandemisë

“Këto pyetje që po i bëni po i përsërisni gjatë gjithë kohës. Nuk janë në kompetencën e Pllanës këto pyetje ...”, ka thënë Fatmire Kollçaku - Mulhaxha

Qysh në fillim të pandemisë, sipas drejtoreshës së Barnatores Qendrore, janë rritur edhe kërkesat dhe nevojat e klinikave. Kjo ka bërë që të ketë edhe ndryshime të çmimeve.

"Kërkesa ka qenë shumë e madhe edhe sot vazhdon të jetë e lartë, njësitet e kërkesës kanë qenë të parat të Infektives. Jemi detyruar krejt klinikat që kanë trajtuar Covid të jenë të mbuluara me veshje të personelit", është përgjigjur Pllana.

Polemika mes Bekim Haxhiut dhe Kusari-Lilës ka vazhduar edhe pasi deputeti i PDK-së përmendi kontratat milionëshe të MSH-së, që ai tha se janë dhënë gjatë mandatit të Vetëvendosjes.

Këtu drejtoresha e Barnatores Qendrore, Gëzime Pllana, ka kërkuar ndihmën e deputetëve që të krijohen lehtësira sa u përket procedurave të prokurimit kur bëhet fjalë për furnizimet në rastet emergjente.