Arbëri

Gjashtë shtete, një vizë

Qeveria e Kosovës tashmë është pajtuar edhe për marrëveshjen e dytë rajonale, krahas asaj për lëvizjen me letërnjoftime. Mbështetur në dokumentin që e ka siguruar KOHA, kushdo që lëviz pa viza në Serbi dhe vendet e tjera të rajonit, ose që pajiset me vizë nga kushdo prej këtyre shteteve, mund të hyjë e të qëndrojë në Kosovë pa ndonjë pengesë

Vendet e rajonit synojnë t’ia shoqërojnë një marrëveshje të re asaj që e kanë iniciuar për lirinë e lëvizjes.

Qeveria e Kosovës tashmë është pajtuar edhe për marrëveshjen e dytë, drafti i së cilës përcakton kushtet e hyrjes, lëvizjes dhe qëndrimit të qytetarëve të palëve të treta në territorin e Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, duke përdorur trafikun ajror, ujor dhe tokësor.

Mbështetur në dokumentin që e ka siguruar KOHA, kushdo që lëviz pa viza në Serbi ose që pajiset me vizë nga ky shtet mund të hyjë e të qëndrojë në Kosovë pa ndonjë pengesë.

“Qytetarët e palëve të treta, të cilëve u kërkohet të kenë vizë për të hyrë në territorin e të gjitha palëve në marrëveshje mund të hyjnë në territorin e secilës palë në marrëveshje në bazë të një vize të vlefshme të lëshuar nga njëra prej palëve në marrëveshje, në përputhje me legjislacionin e saj të brendshëm”, thuhet në draftin e marrëveshejs.

Megjithëkëtë, secila palë në marrëveshje do të rezervojë të drejtën në përputhje me legjislacionin e saj të brendshëm, të anulojë qëndrimin në territorin e saj të një qytetari të palës së tretë.

Në draftin e këtij dokumenti shprehet zotimi që në të ardhmen të unifikohen edhe politikat e të gjashtë vendeve, përkitazi me lëshimin e vizave.

“Duke shprehur gatishmërinë e tyre për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe mirëkuptimin e ndërsjellë që synon të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe rritjen ekonomike e atë investimeve, palët në marrëveshje bien dakord të bëjnë përpjekje në të ardhmen për të harmonizuar politikat e tyre të vizave karshi palëve të treta, ku qëllimi përfundimtar është harmonizimi i tyre i plotë”, theksohet në nenin 11.

Një trupë rajonale do të ngrihen për qëllim të zbatimit të marrëveshjes. Do të jetë komision, i cili do të ngarkohet me organizimin, koordinimin dhe monitorimin e aktiviteteve në lidhje me zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Komisioni do të përbëhet nga dy përfaqësues të secilës palë dhe puna e tij do të koordinohet nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (KBR).

Po kështu, do të ngrihet edhe një bazë informatash.

“Kjo marrëveshje gjithashtu përcakton themelimin e Sistemit Rajonal të Informacionit/Bazës së Sigurt të të Dhënave, e cila do të përbëhet nga të gjitha informacionet dhe bazat e të dhënave të rëndësishme për zbatimin e duhur të kësaj marrëveshjeje, përkatësisht: Lista e vendeve të treta, shtetasve të të cilave u duhet viza për të hyrë në territorin e të gjitha palëve të kësaj marrëveshjeje; Lista e vendeve të treta, shtetasve të të cilave nuk u duhet viza dhe mund të hyjnë në territorin e të gjitha palëve të kësaj marrëveshje me dokumente biometrike (pasaportë dhe letërnjoftim)”, thuhet në dokument. “Palët do të bien dakord për modalitetet e mirëmbajtjes së Sistemit të Informacionit/Bazës së Sigurt të të Dhënave duke miratuar Manualin e SI, si një shtojcë e kësaj marrëveshjeje”.

Në preambulë të kësaj draft-marrëveshjeje merret në konsideratë deklarata e liderëve nga Ballkani Perëndimor për treg të përbashkët rajonal, e miratuar nëntorin e vjetëm në kuadër të Procesit të Berlinit. Ajo synohet të firmoset në samitin e radhës që do të mbahet po në Berlin.

Një ditë më parë KOHA raportoi edhe për finalizimin e draftit të marrëveshjes rajonale mbi lirinë e lëvizjes, nismën për lidhjen e së cilës e ka miratuar Qeveria e Kosovës fundjavën e shkuar.

Dokumenti, një kopje të të cilit e ka siguruar KOHA, Kosovën e prezanton si palë të barabartë me shtetet nënshkruese: Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. E banorët e palëve i definon si shtetas.

Drafti i kësaj marrëveshjeje përshkruan kushtet reciproke të hyrjes, kalimit transit dhe qëndrimit të shkurtër të shtetasve të palëve me letërnjoftime biometrike, e që nënkupton qëndrim jo më shumë se 90 ditë gjatë çdo periudhë 180-ditore.

“Shtetasi i njërës prej palëve mund të hyjë në territorin e palës tjetër, në përputhje me këtë marrëveshje, me kusht që: ai/ajo posedon letërnjoftim të vlefshëm biometrik, me vlefshmëri prej së paku 3 muaj; ai/ajo nuk ka ndonjë ndalesë të hyrjes dhe qëndrimit në territorin e palës tjetër; ai/ajo nuk përbën kërcënim për sigurinë ose shëndetin publik të palës tjetër, të vërtetuar me informacione dhe të dhëna objektive, konkrete dhe përkatëse, si dhe me të dhëna nga autoritetet kompetente”, precizohet në nenin e katërt.

Aty theksohet se dispozitat bilaterale të dakorduara tashmë midis palëve, për t’iu mundësuar shtetasve të tyre që të hyjnë me lloje të tjera të dokumenteve, do të merren parasysh dhe do të trajtohen në përputhje me rrethanat.

E me nenin e pestë theksohet se secila palë, në përputhje me legjislacionin e saj të brendshëm, rezervon të drejtën për t'ia revokuar lejen e qëndrimit të një shtetasi të palës tjetër në territorin e saj.