Arbëri

Gjashtë Bayraktarët e FSK-së

Janë ekspozuar dronët e parë Bayraktar të tipit TB-2, që Kosova i ka blerë nga Turqia. Burime të KOHËS thanë se janë gjithsej 6 dronë të këtillë që i janë shtuar arsenalit të Forcës së Sigurisë dhe të cilët kanë ardhur në Kosovë në maj. Kryeministri Albin Kurti vlerësoi se shteti tash është edhe më i sigurt, ndërkaq ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, theksoi se posedimi i dronëve Bayraktar është i domosdoshëm për mbrojtjen e Kosovës. E, njohës të sigurisë thonë se me këto pajisje siguria e Kosovës ka kaluar në një dimension tjetër

Dronët Bayraktar TB2 i janë shtuar arsenalit luftarak të Forcës së Sigurisë, të cilët Kosova i ka blerë në Turqi.

Kryeministri Albin Kurti ka prezantuar të dielën në Facebook fotografi të dronëve, që sipas burimeve të KOHËS kanë mbërritur në Kosovë gjatë muajit maj.

Burimet thanë se deri tash kanë ardhur 6 fluturake të tilla, të kontraktuara vitin e shkuar, e njëkohësisht janë trajnuar oficerë të FSK-së për t’i përdorur nga distanca. Sipas burimeve, 20 oficerë të tjerë ndodhen në trajnim në Turqi, dhe deri në fundvit do t’i shtohen kontingjentit ekzistues që ndodhet në FSK.

Kryeministri Kurti tha se furnizimi me këta dronë rrit sigurinë e shtetit.

“Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia! Në dy vjet qeverisjeje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë. Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare!”, ka shkruar Kurti.

Në hapësirën ku janë vendosur dronët Bayraktar, kryeministri shihet me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

Ministri Mehaj shkroi në Facebook se posedimi i këtyre dronëve është i domosdoshëm për mbrojtjen e Kosovës.

“Këto nuk janë pajisjet e vetme që kemi në posedim, në jemi furnizuar e vazhdojmë të furnizohemi çdo ditë për të ngritur kapacitetet tona. Projektet në vazhdim do të jenë hapa të mëdhenj drejt zhvillimit të forcës tonë”, ka thënë ministri Mehaj.

Kalimi në një dimension tjetër

E, njohës të sigurisë thonë se me këto pajisje siguria e Kosovës ka kaluar në një dimension tjetër.

Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë, thotë se blerja e dronëve është mesazh edhe për Serbinë.

“Avancimi i ngritjes së kapaciteteve ushtarake e dëshmon edhe njëherë faktin dhe është një mesazh tregues për palën serbe se duhet të ketë kujdes se Forca e Sigurisë e Kosovës është e orientuar drejt Partneritetit për Paqe dhe njëkohësisht është një mesazh tregues dhe determinues se siguria ka kaluar në një dimension më të avancuar në mbrojtje territoriale të Kosovës nga çfarëdo agresioni që mund të vije nga jashtë”, ka thënë Shala.

Informata paraprake për furnizimin e FSK-së me dronët Bayraktar ka nxitur pakënaqësi në Serbi. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se shkaku i kësaj Beogradi do të heqë dorë nga blerja e tyre në Turqi dhe se do të furnizohet me dronë kamikazë nga shtetet e tjera, përfshirë Kinën.

Bazuar në Strategjinë e Sigurisë të miratuar këtë vit, Serbia përbën kërcënimin kryesor për sigurinë e territorit të shtetit.

Aftësia e Bayraktarëve

Pajisjet më të reja të Forcës së Sigurisë janë fluturaket që i sollën jo pak dëme ushtrisë ruse, gjatë pushtimit të Ukrainës. Dronët Baryaktar, që Kosova i ka pjesë të arsenalit, janë efektivë për të survejuar dhe kanë shkallë të lartë preciziteti për të sulmuar objektiva, qofshin ato tanke apo mjete tjera luftarake.

“Bayraktarët” u kthyen në sensacion në 2020-n, kur u përdorën në luftën në Nagorno-Karbakh mes Azerbaixhanit dhe Armenisë. Forcat azere të pajisur me këta dronë nga aleati i tyre Turqia, i shkaktuan dëme të shumta ushtrisë armene. Sulmet xhiroheshin nga kjo fluturake dhe më pas postoheshin në rrjete sociale, siç po ndodhë edhe në Ukrainë.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, numëron disa nga përparësitë e dronëve Bayraktar.

“Janë fluturake të cilat kanë efikasitet në fushëbeteja, sidomos në distanca të shkurta dhe pa dyshim janë mjete të cilat shpeshherë kanë arritur t’iu shmangen mjeteve të navigimit, përkatësisht radarëve të ushtrive që i kanë këto mjete”, ka thënë Bedri Elezi, njohës i çështjeve të sigurisë.
Droni Bayraktar është vetëm 6.5 metra i gjatë, me një hapje krahësh prej 12 metrash dhe ka një motor me 100 kuaj fuqi. Shpejtësia maksimale e tij është 220 kilometra në orë dhe është në gjendje të mbajë një sërë armësh vdekjeprurëse nga arsenali turk. Bayraktar fluturon kryesisht në një lartësi prej 5 mijë metrash. Mund të qëndrojë në ajër deri në 24 orë.

Elezi thotë se këta dronë janë shumë efikas edhe për spiunazh.

“E veçanta e këtyre dronëve ka të bëjë jo vetëm në saktësinë në përdorimin e tyre kundër bazave apo mjeteve të rënda luftarake, por edhe për arsye të survejimit, vëzhgimit. Këta dronë inteligjentë mendohet që kanë kapacitet të theksuar në survejim, përkatësisht në hulumtim të vendeve ku mund të organizohen aktivitete të fshehta për përgatitje luftarake, mund të zbulohen mjete të ndryshme të cilat mund të jenë të rrezikshme, po ashtu mund të zbulohen edhe baza ushtarake dhe mjete të ndryshme, si tanket apo diçka tjetër”, ka thënë Elezi.

Turqia pretendon se dronët e prodhuesit Bayraktar nuk mund të përdoren kundër ushtrisë së saj, meqë supozohet se kanë të instaluar një sistem që i pengon ata të sulmojnë caqet turke.

Llogaritet që vlera e një droni të tillë është 5 milionë euro, gjashtëfish më e lirë se e atyre amerikanë “Reaper”.