Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Gjakovë po planifikon kthimin në mësim me prani fizike të 3 nga 6 shkollat të cilat aktualisht janë duke ndjekur mësimin online.
Kështu i ka thënë KOHËS të premten, Zymber Berisha, udhëheqës i sektorit të arsimit, nga kjo drejtori.
"Ka pak përmirësime, numri i mësimdhënësve të infektuar në të gjitha shkollat e Gjakovës ka rënë në 87 dhe po planifikojmë që të hënën e radhës t'i kthejmë në mësim me prani fizike 3 nga 6 shkolla sa i kemi aktualisht në mësim online", ka sqaruar Berisha duke tërhequr vëmendjen se vendimi definitiv për këtë do të varet nga rrethanat më të reja në momentin që merret ai.
Numri i nxënësve të infektuar në shkollat e Gjakovës sipas z. Berisha është 343.
Një numër i konsiderushëm i shkollave të Gjakovës po mbajnë mësim të kombinuar, një numër paralelesh online, të tjera me prani fizike, sipas skenarit B. Janë 210 paralele nga 805 paralele sa kanë gjithsejtë shkollat e komunës, të cilat po ndjekin mësimin online.