Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se rritja e çmimit të energjisë elektrike do të ketë ndikim edhe te ngritja e çmimeve të tjera, duke shtuar se kjo do të jetë sfiduese për qytetarët në aspektin social.
Ai ka thënë se çmimet “e pakontrolluara” që aktualisht kanë prekur qytetarët janë si pasojë e inflacionit.
Gërxhaliu ka deklaruar në “60 Minuta” të KTV-së, se ekziston paradoksi që Gjermania dhe vende perëndimore kanë ulur çmimin e energjisë deri në 30 për qind, ndërsa tha se Kosova ka rritur çmimin e energjisë disa herë në katër vjetët e fundit.
“Paradoksi është se Gjermania dhe vendet evropiane kanë bërë ulje të çmimit deri në 30 për qind, ndërsa në Kosovë pritet të ketë një ngritje që do të jetë sfiduese...Për katër vjet është rritur për rreth 130% çmimi i energjisë...Sikur të merreshin parasysh indikatorët, s’do të kishte kërkesaë për rritje të çmimit”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Ai ka shtuar se Kosova e ka humbur moti betejën me çështjen e energjisë.
“Kosova ka humbur betejën me energji elektrike pasi s’ka pasur kapacitete e guxim politik që të marrë hapa për të ndërtuara kapacitete gjeneruese...Duhet të mendohet si të çlirohemi nga varshmëria nga importi. Jemi vendi më i pasur me thëngjill, është paradoksale...Në 2024-n Kosova ka importuar rreth 6 milionë euro thëngjill nga vendet e rajonit”, ka deklaruar ai.
Sipas Gërxhaliut, fuqitë e mëdha e dinë më tepër vlerën e pasurisë thëngjillore të Kosovës, sesa vetë kosovarët.
Ai ka shtuar se duhet të analizohet propozimi prej 15 për qind për rritje të pagës, derisa shtoi se qytetarët kosovarë paguajnë më tepër për produktet e njëjta, për dallim nga gjermanët, zviceranët e austriakët.
Gërxhaliu foli edhe për pagën mesatare në Kosovë.
“Në Zvicër paga mesatare është 6.800 franga, në Gjermani 3.580 euro, në Austri 3.700 euro, në Kosovë 580 euro...”.