Arbëri

Gërvalla: Vuçiqi nisi t’i jetësojë kërcënimet, disa qytetarë u morën në biseda informative

Ministrja e jashtme e Kosoves, Donika Gervalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka nisur t’i jetësojë kërcënimet e tij pas votimit të djeshëm për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës.

Ajo ka thënë para mediave se bllokimi i qytetarëve në kufirin Kroaci-Serbi është pjesë “e këtij jetësimi”.

“Jemi ballafaqur me një situatë, e një veprim i tillë bazohet në ngjarjet e djeshme. Vuçiqi ka kërcënuar edhe Kosovën e edhe partnerët tanë, që vota pozitive në Këshill të Evropës do të ketë pasoja. Dje nuk eci propaganda, Vuçiqi ka nisur t’i jetësojë kërcënimet e tij. Në këtë kontekst e shoh ndalimin...Janë shkelur masivisht të drejtat e qytetatëve”, ka thënë Gërvalla.

Sipas saj, një pjesë e qytetarëve kosovarë iu nënshtruan bisedave informative.

“...Një numër i tyre u është nënshtruar bisedave informative, ka pasur qëllim që të flitet për 1999-n, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka shtuar ministrja e Jashtme.

Për procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE, Gërvalla ka theksuar se më meritorët në këtë janë presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe zëvendësministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti.

Gërvalla ka theksuar se një numër “goxha” i lartë zyrtarësh policorë ishin arrestuar e më pas janë liruar.

"Sa i përket arrestimit të zyrtarëve të ndryshëm policorë, numri është goxha i madh, nuk janë kufizuar në pak zyrtarë policorë. Nuk do doja të spekuloj sepse nuk dua ta shqetësoj publikun tonë dhe s’dua të jap informacione gjysmë të verifikuara. E dimë se një pjesë e madhe e tyre tashmë janë liruar".

Ajo është shprehur se reagimi i ndërkombëtarëve për ndalimin e qytetarëve në kufi është i pari pas shumë kohësh ku Serbisë i është kërkuar përgjegjësi.

“Kemi biseduar me partnerët tanë, i mbajmë të informuar. Ka pasur një reagim të BE-së ku pas kaq kohësh BE nuk flet më për përgjegjësi të të dyja palëve, por kur qartë e thotë se kjo përbën shkelje të marrëveshjes së mobilitetit dhe kërkon nga Serbia të ndalë aktet e tilla”, ka thënë ajo. 

E, zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është parakusht për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pas zërave se ajo duhet të bëjë hapa në këtë drejtim para votimit vendimtar në maj. Ahmeti tha se Asociacioni është kusht pas pranimit.

“Neni i 11-të i raportit të Dora Bakoyyanis tregon qartë se, sa i përket këtij zotimi, duhet të adresohet pas anëtarësimit”, tha Ahmeti i pyetur nëse Kosova do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese draft-statusin e Asociacionit para votimit në maj.