Arbëri

Gërvalla: S’jam anëtar i asnjë partie, por s’do të thotë se ndër vite kam qenë indiferent

Drejtori i Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla, ka reaguar pas kritikave se zgjedhja e tij në këtë pozitë ka qenë e ndikuar politikisht.

Ai ka thënë se prej vitesh nuk është anëtar i asnjë partie, por ka shtuar se nuk do të thotë se ka qenë indiferent ndaj zhvillimeve. 

“Disa figura të politikës kanë kontestuar zgjedhjen time si drejtor të TV-RTK-së, duke hedhur dyshime për integritetin tim si person e si gazetar. Unë e kuptoj qëndrimin e tyre, por dua t’ua kujtoj se jam zgjedhur në mënyrë korrekte, në konkurs transparent, e në garë me kolegë të aftë profesionalë. Procesi i rekrutimit është fokusuar fuqishëm, midis tjerash, në çështje të integritetit personal dhe profesional. Miqtë e mi e dinë se unë që prej vjetësh nuk jam anëtar në asnjë grupacion politik. Natyrisht, kjo nuk dmth se unë ndër vite kam qenë indiferent ndaj historisë sonë të përbashkët”, ka shkruar ai.

Megjithatë, ka shtuar Gërvalla, në ndërtimin e shtetit ka kontribuar ndër vite “në një formë ose një tjetër”.

“Kemi marrë pjesë në lëvizjen studentore, skenën muzikore, luftën çlirimtare, ashtu si unë, jemi shprehur për politikë, kemi komentuar, kemi votuar, etj. Them se kjo është normale. Ne nuk mund të sajojmë njerëz prej balte për të udhëhequr institucionet tona”.

Gërvalla ka shtuar se historia nuk duhet të përdoret nga krerët politikë që të hedhin dyshime për integritetin e tij personal.

“Fakti që unë kam fituar pikët maksimale në proces rigoroz të konkurimit duhet të sigurojë çdokënd për dy gjëra me rëndësi. E para, se unë kam një ankorim të fortë në vlerat etike të profesionit tim: se për mua, gazetaria objektive qëndron mbi të gjitha. Unë thjesht kam bindjen se sot i shërbej më së miri atdheut duke qenë profesionist i paanshëm i gazetarisë. Dhe e dyta, se unë nuk jam i ndikueshëm nga politika ditore”.

Gërvalla ka deklaruar se krerët politikë janë të obliguar ligjërisht ta respektojnë integritetin e RTK-së, ku përfshihet edhe procesi i punësimit. Ndërsa, bojkotin për transmetuesin publik e ka quajtur ndërhyrje të politikës në institucion.

“E se mësymja e bojkotet përbëjnë ndërhyrje të politikës në një institucion të pavarur. Ju pra po shkelni vetë, që sot, mbi atë dërrasë të kalbur mbi të cilën po spekuloni se ndoshta mund të shkel unë dikur në rolin tim të ri!”

Gërvalla ka dhënë siguri se RTK-ja do të mbajë qëndrim të paanshëm ndaj partive.

“Ju mund të kujtoni se na bojkotoni, por ne s’do t’ju bojkotojmë juve. Qytetarët taksapagues që mbajnë gjallë RTK-në i siguroj se RTK do të shërbejë si sytë e veshët tuaj në korridoret e pushtetit. Ndërsa të gjithë punonjësit e RTK-së i siguroj se puna, arritja, sukseset individuale do të vlerësohen mbi baza strikt profesionale. Konsideroj se jemi të punësuar të gjithë në një institucion profesional, secili prej nesh quhet profesionist në lëmi të vet, nga rojet e gjer te drejtori: dhe si të tillë do të vlerësohemi”, ka shkruar në fund ai.

LDK-ja ka thënë publikisht se do ta bojkotojë RTK-në pas zgjedhjes së Gërvallës në pozitën e drejtorit, ndërkohë që bashkë me PDK-në kishin kritikuar e akuzuar Vetëvendosjen për kapje të RTK-së për shkak të lidhjes që ka pasur Gërvalla me LVV-në.