Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministre, është liruar nga akuza për mosdeklarim të pasurisë.
Gjykatësi ka thënë se është vërtetuar se veprimet për të cilat ngarkohet Gërvalla nuk përbëjnë vepër penale.
“Gjykata ka analizuar me vëmendje pretendimet e Prokurorisë, por me asnjë provë të vetme nuk gjen që janë përmbushur elementet e veprës penale”, ka thënë gjykatësi Dibran Jusufi.
Ai ka theksuar se nga përshkrimi ligjor, deklarimi i pasaktë i pasurisë së ligjshme paraqet kundërvajtje dhe jo vepër penale, pra sipas tij, çdo mosdeklarim i saktë i pasurisë është kundërvajtje.
Lidhur me sekuestrimin e pasurisë, gjykatësi ka thënë se as Prokuroria nuk ka kërkuar sekuestrim pasi pasuria nuk është fituar me vepër penale.
Gjyqtari konstatoi se deklarimi i pasurisë ka qenë i pasaktë dhe jo mosdeklarim i pasurisë.
Gërvalla në formularin e vitit 2021 nuk e kishte deklaruar pasurinë e burrit të saj Stefan Swartz, një tokë më të vogël se që e kishte në fshatin Dubovik të Deçanit dhe pronësinë në një kompani të regjistruar në Gjermani.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor, Gërvalla tha se e kishte parasysh ligjin gjerman për mbrojtjen e të dhënave personale kur nuk e deklaroi pasurinë e bashkëshortit. Tha se i ka ndodhur një pështjellim për pronën, ndërsa lidhur me kompaninë deklaroi se nuk ka pasur aktivitet ekonomik, por vetëm shpenzime. Me kompaninë "Alb Lingua", ajo tha se nuk u mor që kur erdhi në Kosovë për zgjedhje dhe nuk ka qenë ekonomikisht aktive.
Gërvalla thotë se është e pafajshme për mosdeklarim të pasurisë
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njëherit zëvendëskryeministre, Donika Gërvalla, është paraqitur të martën në Gjykatë për t’u përballur me akuzat për mosdeklarim të pasurisë.
Ajo u deklarua e pafajshme lidhur me akuzën.
Vitin e kaluar, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Gërvalles me pretendimin se në formularin për deklarim të pasurisë, më 22 mars të 2021-s s’i ka paraqitur të dhënat e kërkuara me ligj.
Ajo akuzohet për veprën penale “mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë, të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Gërvalla, e cila udhëheq me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës mungoi seancën e kaluar më 7 nëntor meqë shkoi në udhëtim zyrtar. Gërvalla ishte në Forumin e Nivelit të Lartë për të Ardhmen e Demokracisë, në Vilnius të Lituanisë.